Zjarrfikësit po punojnë pa shtesa të rrezikshmërisë e pa sigurim shëndetësor
Në çdo intervenim që bëjnë jeta e tyre është e rrezikuar. Madje shpeshherë ata përfundojnë të lënduar për punën që bëjnë për shuarjen e zjarreve. Të enjten, një zjarrfikës sa ishte duke intervenuar në terren vdiq, ndërsa arsyet që dërguan deri tek kjo vdekje ende nuk dihen. Pavarësisht rreziqeve, zjarrfikësit në Kosovë vazhdojnë të përballen […]
Në çdo intervenim që bëjnë jeta e tyre është e rrezikuar.
Madje shpeshherë ata përfundojnë të lënduar për punën që bëjnë për shuarjen e zjarreve.
Të enjten, një zjarrfikës sa ishte duke intervenuar në terren vdiq, ndërsa arsyet që dërguan deri tek kjo vdekje ende nuk dihen.
Pavarësisht rreziqeve, zjarrfikësit në Kosovë vazhdojnë të përballen me kushte jo të mira të punës, pa shtesa të rrezikshmërisë e pa sigurim shëndetësor.
“Ka shumë vite që shërbimi i zjarrfikësve dhe shpëtimit, ka mbetur i pa trajtuar as profesionalisht e as ligjërisht, por as edhe teknikisht, kur i them këto atëherë mendoj qoftë në kushtet apo pajisjet pastaj në të mirat materiale por edhe në pagat e tyre që nuk janë të dinjitetshme”, ka thënë Tahir Ahmeti- ekspert i emergjencave.
Për këtë, Ahmeti kërkon intervenimin e dorës së shtetit.
“Ky shërbim në të vërtet ka nevojë për investime të shumta, qoftë në mjete dhe pajisje, qoftë edhe në pagesën e rrezikshmërisë”, thotë ai.
Nga Këshilli për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut thonë se qeveria e Kosovës ka lënë në harresë këtë kategori të punonjësve.
“Shteti është ai që duhet ta vlerësojë punën përmes sigurimit të kushteve për punën, për ta është shtesa për rrezikshmëri, po shihni në këtë vapë zjarrfikësit, vetëm kur të del flaka na bien mend për zjarrfikës”, ka thënë Behxhet Shala nga KMLDNJ.
Shala kërkon nga ekzekutivi që të ndajë mjete për përmirësimin e kushteve të zjarrfikësve.
“Shteti ka mjete dhe duhet të gjej mjete t’i rahatojë këto shërbime të cilat janë esenciale e pa të cilat nuk bënë. Shteti ka rezerva por e ka shtrëngu deri në momentin ku i afrohet të zgjedhje, ku do të ketë edhe rritje të pagave e sigurisht do u gjuhet diçka edhe zjarrfikësve”, thotë Shala.
Me ligjin e ri të pagave, zjarrfikësit marrin pagë mujore 525 euro. /Teve1