Zjarri në Komunën e Tetovës, Dauti: Pas hetimeve nga organet kompetente do japim informacione shtesë
Nuk dihen ende shkaqet e zjarrit i cili ra dje në objektin e Komunës së Tetovës ku u dogjën materiale zgjedhore nga viti 2017 e këndej. Pritet që Prokuroria dhe Ministria e Punëve të Brendshme të konstatojnë shkaqet, ndërsa zjarri nuk do të ndikojë në procesverbalet e zgjedhjeve. Kështu deklaroi për media Nazmi Dauti nga […]
Nuk dihen ende shkaqet e zjarrit i cili ra dje në objektin e Komunës së Tetovës ku u dogjën materiale zgjedhore nga viti 2017 e këndej. Pritet që Prokuroria dhe Ministria e Punëve të Brendshme të konstatojnë shkaqet, ndërsa zjarri nuk do të ndikojë në procesverbalet e zgjedhjeve. Kështu deklaroi për media Nazmi Dauti nga Komuna e Tetovës. Policia njoftoi se sot do të bëhet inspektimi, raporton Portalb.mk.
“Jo nuk ndikon te procesverbalet, por i gjithë materiali zgjedhore që duhet të ruhet për një periudhë të caktuar të komunës përkatëse, normalisht që aty janë edhe procesverbalet finale të vendvotimeve, ruhen domethënë në objektin e Komunës dhe ende deri në këtë moment nuk kemi konstatuar se cili material është djegur apo është zhdukur dhe çfarë është ende ekzistues. Por pas hetimeve nga organet kompetente do të japim informacone shtesë”, tha Dauti.
Zjarri në bodrumin e Komunës së Tetovës ra dje pas orës 15:00, ndërsa zjarrfikësit arritën ta shuajnë.
“Me datë 06.10.2024, në ora 15:25, në SPB Tetovë është raportuar se në hapësirat e bodrumit të komunës së Tetovës ka shpërthyer zjarr. Nuk ka persona të lënduar, ndërsa zjarri është shuar nga ekipi i Njësitit Territorial Zjarrfikës Tetovë. Është njoftuar Prokurori Publik, ndërsa gjatë ditës do të bëhet inspektimi”, informoi Policia e Tetovës.
Sipas informacioneve jozyrtare zjarri është vënë me qëllim.
Raportohet se janë djegur edhe dokumente të tjera të komunës.