Për shkak të ndryshimeve klimatike liqenet malore në RMV po e humbasin ujin, disa prej tyre edhe mund të zhduken
Në Malin Sharr janë formuar 44 liqene malore nga të cilët 26 janë të përhershëm, pra që ekzistojnë gjatë gjithë vitit, ndërsa 18 janë periodikë dhe zakonisht formohen nga muaji prill deri në muajin korrik. Sipërfaqja mesatare e të 44 liqeneve është 250.500 metra katrorë dhe ndodhen në një lartësi mbidetare prej 2.000 deri në […]


Në Malin Sharr janë formuar 44 liqene malore nga të cilët 26 janë të përhershëm, pra që ekzistojnë gjatë gjithë vitit, ndërsa 18 janë periodikë dhe zakonisht formohen nga muaji prill deri në muajin korrik. Sipërfaqja mesatare e të 44 liqeneve është 250.500 metra katrorë dhe ndodhen në një lartësi mbidetare prej 2.000 deri në 2.400 metra. Më i madhi prej tyre është liqeni i Bogovinës, i cili është edhe liqeni më i madh malor në Maqedoni. Megjithatë, alpinistë të shumtë Liqenin e Madh të Karanikollës e konsiderojnë si një nga liqenet malorë më të bukur në Malin Sharr, shkruan SDK, transmeton Portalb.mk.
Vitin e kaluar ekspertë së bashku me punonjës të Parkut Kombëtar “Mali Sharr” përgatitën një raport për gjendjen e liqeneve nëpërmjet monitorimit të kushteve të Liqenit të Madh të Karanikollës.
“Liqeni i Madh i Karanikollës i përket grupit të liqeneve më të mëdhenj akullnajorë në Malin Sharr. Ndodhet në një lartësi mbidetare prej 2.190 metrash, gjerësia e tij është 114,5 metra, ndërsa ka një thellësi prej 5,6 metrash. Mbushet ekskluzivisht nga bora e maleve që shkrin, si dhe nga reshjet dhe burimet nënujore. Nivel më të lartë të ujit ka gjatë shkrirjes së borës, më saktësisht në muajin maj dhe qershor. Ujin e humbet kryesisht gjatë avullimit, por edhe nga rrjedhjet nëntokësore. Thellësia e liqenit kontribuon për ngjyrën e tij specifike blu të errët dhe jeshile. Për shkak të pamjes, ngjyrës dhe peizazheve piktoreske përreth, Liqeni i Karanikollës është një destinacion popullor për vizitorët gjatë verës. Gjatë vitit, por edhe në një periudhë shumëvjeçare, vihet re qartë ndryshimi i nivelit të ujit të liqenit”, thuhet në raportin e Parkut Kombëtar “Mali Sharr”.
Qëllimi kryesor i raportit ishte që të përcaktohej nëse ndryshimet klimatike ndikojnë në zvogëlimin e sipërfaqeve të liqeneve malore.
“Për t’i parë ndryshimet në nivelin e liqeneve u bë një krahasim i imazheve satelitore historike me rezolucion të lartë të disponueshme në Google Earth Pro dhe në portalin e Agjencisë së Kadastrës së Pasurive të Paluajtshme (AKPP). Imazhi më i vjetër i disponueshëm është ortofotoja (bardh e zi) e AKPP-së nga muaji korrik i vitit 2004, ndërsa imazhi më i fundit është ai i bërë në muajin nëntor të vitit 2024. Megjithatë, problemi kryesor që u shfaq në këtë procedurë janë periudhat e ndryshme kur ato janë bërë, pra nga muaji korrik, menjëherë pas shkrirjes së borës, deri në muajin nëntor, kur niveli i ujit zakonisht është mjaft i ulët. Kjo nuk ofron tregues mjaft bindës dhe të qartë të një rënieje të vazhdueshme të nivelit të liqenit dhe sipërfaqes së tij, të paktën jo për periudhën 2004-2024. Por, për ta kuptuar vetë ndikimin e ndryshimeve klimatike, është e domosdoshme të shihet se si dhe saktësisht sa ujë merr Liqeni i Karanikollës dhe si, sa dhe kur e humbet atë kryesisht nga avullimi dhe rrjedhja e ujërave nëntokësore”, thuhet në raport.
Në të theksohet edhe se gjatë kësaj periudhe vihen re ndryshime si në temperaturë ashtu edhe në vëllimin e reshjeve.
“Është e nevojshme një analizë solide e të dhënave klimatike, veçanërisht temperaturave dhe reshjeve, si dhe e ndryshimeve të tyre. Për fat të keq i vetmi stacion meteorologjik malor në këtë zonë është ai në Kodrën e Diellit, i cili ka pasur disa ndërprerje në funksionim. Mirëpo, nga të dhënat e disponueshme është mjaft evidente se temperaturat mesatare vjetore të ajrit të matura nga stacioni matës në Kodrën e Diellit kanë një tendencë të rritjes. Në periudhat 1979-2000 dhe periudhën 2001-2024 vihet re një rritje për rreth një gradë, që është një vlerë e konsiderueshme. Një rritje si kjo ndikon në zvogëlimin e reshjeve të borës dhe mbulesës së borës, rritjen e avullimit dhe të ngjashme. Për dallim nga temperaturat, sasia e reshjeve shënon një stagnacion në raport me nivelin mesatar vjetor. Ndryshimet moderne të klimës, veçanërisht për sa i përket zvogëlimit të sasisë së reshjeve të borës, rritjes së temperaturave të ajrit dhe avullimit përbëjnë një kërcënim serioz për mbijetesën e liqenit. Për ta ruajtur këtë trashëgimi natyrore e domosdoshme është që të ndërmerren masa urgjente për monitorim dhe mbrojtje, të cilat do të ndihmonin në kuptimin dhe parandalimin e efekteve afatgjata të ndryshimeve klimatike tek ky, si dhe liqenet e tjera akullnajore të Malit Sharr”, thuhet në raport.
Por jo vetëm liqenet në Malin Sharr, por edhe liqenet akullnajore në të gjithë rajonin janë në rrezik nga zvogëlimit i sipërfaqes ose nga zhdukja e plotë e tyre. Kështu, disa nga liqenet akullnajore në malet Prokletie në Mal të Zi dhe Rilla në Bullgari tashmë po tregojnë shenja të një reduktimi drastik të vëllimit. Një situatë e ngjashme vihet re edhe tek liqeni i Karanikollës, ku ndryshimet klimatike të kombinuara me ndikimet njerëzore, si për shembull blegtoria, po e përkeqësojnë edhe më shumë cilësinë dhe sasinë e ujit.