Ambasadori i ri francez në RMV: Ndryshimet kushtetuese duhen bërë, por nuk ka garanci absolute për integrimin në BE

Maqedonia e Veriut, e cila tani duhet të përmbushë objektivat e kapaciteteve që dalin nga angazhimi i saj në NATO, mund të mbështetet në marrëdhëniet e saj me Francën dhe ekspertizën e saj ushtarake për të modernizuar ushtrinë e saj, veçanërisht në kuadër të Marrëveshjes për Bashkëpunim Mbrojtës, të nënshkruar më 14 tetor 2022. Prokurimi […]

Nëntor 24, 2024 - 19:00
 0  6
Ambasadori i ri francez në RMV: Ndryshimet kushtetuese duhen bërë, por nuk ka garanci absolute për integrimin në BE
Ambasadori francez në RMV, Christophe Le Rigoller. Foto: Ambasada e Francës në RMV

Maqedonia e Veriut, e cila tani duhet të përmbushë objektivat e kapaciteteve që dalin nga angazhimi i saj në NATO, mund të mbështetet në marrëdhëniet e saj me Francën dhe ekspertizën e saj ushtarake për të modernizuar ushtrinë e saj, veçanërisht në kuadër të Marrëveshjes për Bashkëpunim Mbrojtës, të nënshkruar më 14 tetor 2022. Prokurimi i sistemeve “Mistral” është shembull konkret i lidhjeve të forta mes dy vendeve tona, thotë ambasadori i ri francez në vend, Christophe Le Rigoller, në një intervistë për MIA-n, transmeton Portalb.mk.

Sipas tij, aleanca e NATO-s është një kornizë që ofron mundësi për dialog të zgjeruar politik.

“Anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në NATO mundëson gjithashtu një dialog politik të përforcuar për politikat e sigurisë, stabilitetin rajonal apo menaxhimin e krizave ndërkombëtare”, tha Rigoler, i cili e uroi Radmila Shekerinskën për zgjedhjen e saj në postin e zëvendëssekretares së përgjithshme të NATO-s, “që ilustron kredibiliteti i Maqedonisë së Veriut si anëtare e Aleancës”.

Duke komentuar Raportin e Komisionit Evropian për progresin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në rrugën e saj evropiane, ambasadori francez thekson se rekomandimet i referohen reformave themelore që janë të nevojshme për integrim evropian.

“Fakti që theksi vihet në këto çështje kyçe (në fushën e sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit) nuk është befasi. Disa çështje që lidhen me shtetin e së drejtës (pavarësia e gjyqësorit, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar) janë pjesë e këtyre reformave të nevojshme, rëndësia e të cilave nënvizohet vazhdimisht nga Bashkimi Evropian dhe shtetet anëtare të tij. Këto rekomandime janë ende aktuale dhe janë rezultat i një vlerësimi real të situatës. Këto tema janë gjithashtu ndër prioritetet e agjendës së reformave të paraqitura në kuadër të Planit të Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor. Për këtë arsye, Franca vendosi, në mbështetje të procesit të integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut, të sigurojë tre ekspertë teknikë në ministritë e mjedisit, çështjeve evropiane dhe drejtësisë, në mënyrë që të mbështesë sa më shumë përpjekjet e këtyre administratave”, thotë Rigoler.

Sipas tij, Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, duke ofruar një udhërrëfyes konkret, do të lehtësojë zbatimin e reformave të nevojshme, por vendet kandidate kanë detyrimin të zbatojnë reformat e nevojshme, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit dhe reformat administrative.

“Financimi do të mund të përdoret në mënyrë efektive vetëm nëse vendet që e marrin atë janë në gjendje ta shpenzojnë atë. Prandaj është e nevojshme të forcohen kapacitetet administrative të Maqedonisë së Veriut. Në përgjithësi, përshpejtimi i procesit të integrimit varet shumë nga shpejtësia e zbatimit të reformave. Së fundi, është e rëndësishme të kujtojmë se reformat do të përfitojnë kryesisht Maqedoninë e Veriut dhe qytetarët e saj”, thekson ambasadori francez.

I pyetur nëse ka mundësi për ndërmjetësimin francez edhe në “propozimin francez plus”, për ndryshime kushtetuese me efekt të vonuar deri në përfundim të negociatave, Rigoller thekson se detyrimet e marra duhet të respektohen.

“Në Strategjinë e saj për Ballkanin Perëndimor, për Francën, integrimi i rajonit është prioritet. Prandaj, Franca mbështet plotësisht dhe do të vazhdojë të mbështesë procesin që çon në integrimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian. Në këtë kuadër, ajo është e gatshme të japë të gjithë ndihmën e saj për të kapërcyer bllokimet aktuale. Detyrimet e marra duhet të respektohen. Megjithatë, nuk jemi indiferentë ndaj ndjeshmërisë së temës. Është e nevojshme të jemi realistë dhe të kuptojmë se nuk mund të ketë garanci absolute për rezultatin e procesit të integrimit, i cili për nga natyra e tij është kompleks, pasi kërkon pëlqimin e të gjitha shteteve anëtare. Megjithatë, Franca është e gatshme të punojë dhe të përdorë fuqinë e saj bindëse për të siguruar përparimin e procesit integrues, në të mirë të Bashkimit Evropian dhe të gjithë rajonit juglindor të Evropës”, ​​thotë Rigoller në intervistë për MIA.

Kujtojmë se kryeministri Hristijan Mickoski së fundmi tha se “ndryshime kushtetuese nuk planifikojmë”. Megjithatë, ndryshe nga Mickoski, partneri i tij në qeveri, Arben Taravari pret që deri në fund të vitit të ndodhin ndryshimet kushtetuese.

Qeveria e Mickoskit ka deklaruar në vazhdimësi se vendi nuk do të bëjë asnjë hap i vetëm pa një fund të dukshëm. Do të bëjmë lëvizje, thotë Mickoski, vetëm kur ta shohim qartë fundin, përndryshe nuk do të bëjmë asgjë.

Kujtojmë se, në raport me Bullgarinë, Maqedonia e Veriut duhet t’i bëj ndryshimet kushtetuese për të ecur përpara në rrugën eurointegruese. Ato nënkuptojnë shtimin e bullgarëve dhe kombeve tjera në Kushtetutë. Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese.