Animi i Kurtit në zgjedhjet amerikane/ Çka thonë opozitarët dhe analistët politikë?

Albin Kurti, kryeministër i Kosovës, po qëndron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku ka marrë pjesë në Konventën e Partisë Demokratike me rastin e zyrtarizimit të Kamala Harris si kandidate për presidente për zgjedhjet e nëntorit të këtij viti. Ngjarja, që është pjesë e Forumit Ndërkombëtar të Liderëve 2024, u organizua nga National Democratic […]

gusht 22, 2024 - 08:00
 0  7
Animi i Kurtit në zgjedhjet amerikane/ Çka thonë opozitarët dhe analistët politikë?
animi-i-kurtit-ne-zgjedhjet-amerikane/-cka-thone-opozitaret-dhe-analistet-politike?

animi-i-kurtit-ne-zgjedhjet-amerikane/-cka-thone-opozitaret-dhe-analistet-politike?

Albin Kurti, kryeministër i Kosovës, po qëndron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku ka marrë pjesë në Konventën e Partisë Demokratike me rastin e zyrtarizimit të Kamala Harris si kandidate për presidente për zgjedhjet e nëntorit të këtij viti.

Ngjarja, që është pjesë e Forumit Ndërkombëtar të Liderëve 2024, u organizua nga National Democratic Institute (NDI), një organizatë që mbështet zhvillimin e demokracisë në nivel global.

Në një njoftim të Zyrës së Kryeministrit, theksohet se pjesëmarrja e Kurtit në këtë panel u cilësua si një mundësi për të diskutuar rolin e partive politike në proceset demokratike ndërkombëtare.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Kurti e ka quajtur Donald Trumpin, kandidat i Partisë Republikane për president të ShBA-së, si një kandidat të pazakonshëm.

Por, një deklarim i tillë nga ana e Kurtit, u kritikua ashpër nga Richard Grenell, ish i dërguari special i Administratës Trump për dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë. Grenelli, që konsiderohet si një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Trumpit, vlerësoi se një përfshirje e tillë e Kurtit, e dëmton popullin e Kosovës.

Xhavit Haliti: Amerikanët nuk bëjnë politikë të mëhallës, por bëjnë politikë strategjike

Deputeti opozitar  Xhavit Haliti, i cili njëherit është edhe anëtar i Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme, ka komentuar pjesëmarrjen e Kryeministrit Albin Kurti në Konventën Kombëtare Demokratike në SHBA, duke e cilësuar si një veprim që mund të ketë rëndësi, por që ka nevojë për më shumë informacion për të vlerësuar ndikimin e tij.

Haliti për Front Online është shprehur se është e rëndësishme të dihet nëse Kurti ishte ftuar si kryetar partie apo si kryeministër. “Nëse ftesa ishte bërë në cilësinë e tij si kryetar partie, Haliti tha se është e rëndësishme të dihet se kush i ka mbuluar kostot e pjesëmarrjes. Nëse ftesa ishte si kryeministër, atëherë, sipas tij, kjo është një arritje e mirë për të, duke theksuar se një ftesë në një ngjarje të tillë është një njohje e rëndësishme”, ka theksuar Haliti.

Sa i përket ndikimit të mundshëm të pjesëmarrjes së Kurtit në politikën amerikane, Haliti theksoi se kjo nuk do të ketë efekt të drejtpërdrejtë, pavarësisht nga fituesi i zgjedhjeve presidenciale. Sipas tij, politika amerikane funksionon në përputhje me interesat dhe objektivat strategjike të SHBA-së dhe nuk ndikohet nga pjesëmarrja e liderëve të huaj në ngjarje partiake. Haliti përfundoi se është e rëndësishme që Kosova të fokusohet në ndërtimin e marrëdhënieve strategjike dhe të mos e mbështesë veten në ndihmën e ndonjë partie apo individi të caktuar në SHBA. “Ata nuk bëjnë politike të mahallës,  por bëjnë politikë strategjike, kanë interesat e tyre dhe kane objektivat e tyre, ata nuk funksionojnë sipas lagjeve “, tha Haliti për FrontOnline.

Kadriaj: Kurti vazhdimisht përzihet në zgjedhjet e huaja

Ndërsa anëtarja e Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme, Time Kadriaj, ka ngritur shqetësime rreth angazhimeve ndërkombëtare të kryeministrit Albin Kurti, duke theksuar disa aspekte të rëndësishme si: Mungesa e Takimeve Zyrtare në SHBA.  Ajo ka kritikuar Kurtin për mungesën e takimeve zyrtare të nivelit të lartë në Shtetet e Bashkuara. Sipas Kadriaj, deri tani Kurti nuk ka realizuar takime të nivelit që është e zakonshme për një kryeministër, që ndikon në perceptimin e angazhimeve të tij ndërkombëtare.

Kadriaj e akuzon Kurtin në përpjekjen, siç thotë ajo, për të ndikuar në zgjedhjet e vendeve të rajonit. Kadriaj përmend se Kurti ka tentuar të marrë pjesë në takime në Zvicër, të cilat janë kundërshtuar ashpër. Ajo gjithashtu sugjeron se ndërhyrjet e tij kanë pasur ndikim në zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut, Preshevë, Medvegjë, Bujanoc dhe Shqipëri. “Ndërhyrjet e tilla nuk janë të përshtatshme për një lider të një shteti, dhe se ky veprim nuk i bën ndihmë reputacionit të Kurtit si kryeministër. Liderët e vendeve nuk duhet të përzihen në zgjedhjet e tjera, dhe këto përpjekje për ndikim janë të papërshtatshme dhe të dëmshme për marrëdhëniet ndërkombëtare”.

Mulolli: Mardhëniet e Kurtit me Partinë Republikane në SHBA kanë qenë të tensionuara kohë më parë

Fitim Mulolli, analist politik, pjesëmarrjen e Kurtit në Konventën e Partisë Demokratike në SHBA e sheh në përputhje me praktikat e zakonshme ndërkombëtare, ku partitë politike ftojnë mysafirë nga e gjithë bota në ngjarjet e tyre të rëndësishme.

Mulolli  shton  se partitë politike në perëndim e shohin këtë si normale,do të thotë pjesëmarrjen e liderit të një partie në një konventë të një partie tjetër dhe  se ky lloj angazhimi nuk duhet të shkaktojë shqetësime për marrëdhëniet me Partinë Republikane në SHBA, pavarësisht nga tensionet e mëparshme mes Kurtit dhe këtij grupimi politik.

“Pjesëmarrja e Kryeministrit Kurti është bërë në suaza të marrëdhënieve të partive si motër, ku Partia Demokratike e Shteteve te Bashkuara te Amerikës e ka thirrë kryeministrin të marrë pjesë do të thotë në konventën e tyre në Çikago.Kjo le të themi është një protokoll ndërkombëtar i zakonshëm, ku partitë gjithmonë thërrasin mysafirë nga mbarë bota për të marrë pjesë në konventat e tyre  partiake”.

Mulolli thotë se pjesëmarrja e Kurtit në Konventën demokrate nuk mund të ndikojë negativisht në relacion me Partinë Republikane. “Mirëpo ne të gjithë e dimë se marrëdhëniet e kryeministrit Kurti veçse  kanë qenë të tensionuara kohë më parë  me Partinë Republikane, kështu që ajo mund të jetë më problematike sesa pjesëmarrja në këtë konventë”, deklaron Mulolli për FrontOnline. /FrontOnline/