Bardhi nga Kuvendi: Ne nuk jemi armiqtë tuaj! Tre nismat të cilat duhet t’i miratojë Kuvendi këtë sesion të ri
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi mbajti pasditen e sotme fjalën e tij të parë në këtë sesion të ri parlamentar. Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Bardhi u shpreh se ky sesion duhet të nisë duke u dhënë prioritet të paktën tre nismave që ka propozuar opozita: Ligjit për përcaktimin e […]
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi mbajti pasditen e sotme fjalën e tij të parë në këtë sesion të ri parlamentar.
Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Bardhi u shpreh se ky sesion duhet të nisë duke u dhënë prioritet të paktën tre nismave që ka propozuar opozita: Ligjit për përcaktimin e minimumit jetik; Rritjes së pensioneve; Financimit të sektorit të bujqësisë.
Fjala e plotë e Bardhit në Kuvendit:
E ndërsa vetë fshihet, ka gjetur një moto të re propagandistike. Përvec “fajin e ka opozita”, tashmë ka shtuar edhe “fajin e kanë deputetët”. Pra fajin nuk e ka ai, as ministrat e tij të korruptuar, por kolegët deputetë, një pjesë e të cilëve të ndershëm, por shpesh të keqpërdorur si kartona për aferat e tij apo oborrit të tij.
E vërteta të nderuar kolegë socialist, është që ne jemi mbetur që kartonët, do t’i ngremë vetëm për interesat e qytetarëve dhe jo për të kundërtën, siç ndodh tashmë rëndomtë këtu për t’i shërbyer një pakice që, në kurrizin e të ndershmëve, i shërben vetëm pasurimit të kryeministrit apo oborrit të tij. Le të jetë ky sesion mundësia që ju të dëgjoni shqetësimet që ngre opozita në këtë sallë. Ne nuk jemi armiqtë tuaj, dhe ju nuk ka asnjë arsye të certifikoni veten si armiq të qytetarëve shqiptarë. Prandaj në këtë sesion uroj që kartonat si deputetë ti ngremë vetëm për atë që jemi betuar. Për interesin publik, për qytetarët.
Duke nisur nga nevoja për t’i dhënë zgjidhje një problemi që shoqëron Shqipërinë prej vitesh: mungesës së garancive për barazi në zgjedhje, mungesës së garancive për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Nuk mund ti ikni për më gjatë kësaj çështje. Raportet e OSBE-ODIHR janë aty. Kërkojnë adresim për garantimin e lirisë së votës; kërkojnë adresim për fenomenin e shitblerjes së votës; kërkojnë adresim të përdorimit nga ju të shtetit në zgjedhje, kërkojnë adresim të fenomenit të përdorimit të burimeve shtetërore në zgjedhje, kërkojnë adresim të përdorimit të krimit të organizuar në zgjedhje.
Duke vijuar me shqetësimet e tjera që vazhdimisht i kemi ngritur në këtë sallë.
Ju kujtoj këtu që nuk është vetëm opozita që ngre shqetësim për krimin dhe korrupsionin, por janë raportet e partnerëve tanë strategjikë, si Departamenti Amerikan i Shtetit apo raportet e organeve të Bashkimit Evropian.
Nuk është vetëm opozita që ngre shqetësim për median! Janë raportet prestigjioze të organizatave ndërkombëtare, që flasin dhe ngrenë alarmin për media të kontrolluara nga qeveria apo për shantazhe dhe presione ndaj gazetarëve.
Nuk është vetëm opozita që ngre shqetësimin për varfërinë dhe përkeqësimin e jetesës së shqiptarëve! Është Fondi Monetar Ndërkombëtar që thekson se 30 % e familjeve shqiptare janë në vështirësi për të garantuar bukën e përditshme. Janë raportet ndërkombëtare të cilat theksojnë se më shumë se 35% e familjeve shqiptare nuk kanë mundësi të paguajnë dritat dhe ujin. Është Raporti i UNICEF që thotë se 47% e fëmijëve shqiptarë nuk ushqehen siç duhet.
Dhe këto janë shifra që duhet të na alarmojnë të gjithë bashkë. Ky duhet të jetë fokusi i këtij Kuvendi, kjo duhet të jetë puna jonë e përditshme, pa ndasi, pa retorikë, pa propagandë.
Prandaj do të duhej të ishte në nderin e këtij Kuvendi, ta niste këtë sesion të ri duke u dhënë prioritet të paktën tre nismave që ka propozuar opozita:
Ligjit për përcaktimin e minimumit jetik;
Rritjes së pensioneve;
Financimit të sektorit të bujqësisë.
Këtu duhet të fokusohemi ne. Ky duhet të ishte fokusi i këtij Kuvendi, jo klientelizmi, jo lufta ndaj qytetarëve, jo varfërmi i tyre dhe pasurimi i një grushti afër Edi Ramës, që e kanë kthyer vendin në plaçkë korrupsioni.
Nga kjo foltore, nga kjo sallë, unë do të garantoj çdo qytetar shqiptar se opozita, Partia Demokratike do të luftojë për Shqipërinë e shqiptarëve, jo për Shqipërinë e një grushti pushtetarësh. Do të luftojmë për Shqipërinë ku mund të jetohet dhe punohet me dinjitet, jo për Shqipërinë ku ligjin e bën më i forti dhe ku pasurimi kalon vetëm përmes korrupsionit.
Flaka që Edi Rama i ka vënë Shqipërisë do të duhet të marrë fund me votën e shqiptarëve! Ne, si opozita e këtij vendi, kemi detyrimin historik të ndalim të keqen më të madhe që vendi ka patur pas diktaturës. Në thelb, regjimi i Edi Ramës nuk ndryshon shumë nga ai i Enver Hoxhës. Ai ndërtoi një diktaturë bardh e zi, ky i sotmi ka ndërtuar një diktaturë me ngjyra, në të cilën njerëzit kanë frikë të flasin, nuk ka zgjedhje të lira, nuk respektohet shteti ligjor, nuk ka ekonomi tregu. Na duhet një bashkim i madh me shqiptarët brenda dhe jashtë Shqipërisë!
Grupi ynë parlamentar, opozita, do të qëndrojë fort për interesat e qytetarëve, në këtë sallë dhe jashtë kësaj salle, me qëllimin e vetëm që shqiptarët të kenë mundësi për të ndërtuar të ardhmen e tyre këtu.