Basha: Kemi gati programin për të luftuar korrupsionin, të krijohet njësia e rikuperimit të pasurive të vjedhura

Lulzim Basha thotë se është i vendosur për të luftuar korrupsion në vendin tonë, ndërsa thotë se gjatë qeverisjes së socialistëve ky fenomen është rritur. Nëpërmjet një videomesazhi në rrjetet sociale, ai shpreh mbështetjen ndaj  SPAK dhe GJKKO, ndërsa thotë do të punojë për themelimin e Njësisë të Zbulimit dhe Rikuperimit të Pasurive të Vjedhura. Po […]

gusht 22, 2024 - 20:00
 0  13
Basha: Kemi gati programin për të luftuar korrupsionin, të krijohet njësia e rikuperimit të pasurive të vjedhura

Lulzim Basha thotë se është i vendosur për të luftuar korrupsion në vendin tonë, ndërsa thotë se gjatë qeverisjes së socialistëve ky fenomen është rritur.

Nëpërmjet një videomesazhi në rrjetet sociale, ai shpreh mbështetjen ndaj  SPAK dhe GJKKO, ndërsa thotë do të punojë për themelimin e Njësisë të Zbulimit dhe Rikuperimit të Pasurive të Vjedhura.

Po ashtu, Basha thekson se një tjetër pikë në kuadër të luftës ndaj korrupsionit është edhe verifikimi i kontratave koncensionare dhe PPP, forcimin e KLSH dhe kthimin e tij në një Gjykatë të Kontrollit të Shtetit me fuqi ekzekutive.

 “Korrupsioni mbetet gangrena më e madhe për shoqërinë dhe zhvillimin ekonomik të vendit. Shqiptarët kanë humbur mbi 10 miliardë euro për shkak të korrupsionit masiv, të shpërndarë në çdo hallkë të qeverisjes.  Në programin tonë ne parashikojmë ndërhyrje të shpejta dhe konkrete për të luftuar korrupsionin: Ne do të themelojmë, sipas praktikave më të mira, Njësinë e Zbulimit dhe Rikuperimit të Pasurive të Vjedhura, për të gjurmuar kudo pasuritë e vjedhura të shqiptarëve dhe për t’ia kthyer ato arkës publike. Mbështetje e plotë dhe e gjithanshme si dhe bashkëpunim me SPAK dhe GJKKO. Ndryshime ligjore në Ligjin “Anti-Mafia”për të luftuar korrupsionin dhe abuzimet e zyrtarëve të lartë. Konfiskimi i pasurive të zyrtarëve publik të përfshirë në këto akte dhe PPP abusive. Heqje e imunitetit të deputetëve duke i hapur rrugë hetimit të plotë nga ana e SPAK të çdo zyrtari të dyshuar për korrupsion”, deklaroi ai.