BDI: Askush nuk përmend mundësinë që guvernatori i ri i Bankës Popullore t’i besohet një shqiptari
Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar për fakti se as Qeveria, as Presidentja, e as struktura politike udhëheqëse në përgjithësi, “nuk tregojnë as minimumin e kujdesit për përfaqësimin e denjë të shqiptarëve në rrjedhat shoqërore të vendit”, transmeton Portalb.mk. “Më 21 maj pritet të votohet Guvernatori i ri i Bankës Popullore të Maqedonisë së Veriut […]


Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar për fakti se as Qeveria, as Presidentja, e as struktura politike udhëheqëse në përgjithësi, “nuk tregojnë as minimumin e kujdesit për përfaqësimin e denjë të shqiptarëve në rrjedhat shoqërore të vendit”, transmeton Portalb.mk.
“Më 21 maj pritet të votohet Guvernatori i ri i Bankës Popullore të Maqedonisë së Veriut – dhe askush më as që e përmend mundësinë që kjo pozitë t’i besohet një shqiptari. Sjellja është sikur kjo pozitë i takon ekskluzivisht maqedonasve etnikë dhe sikur kjo është punë e mbaruar paraprakisht. Në listën e ngushtë të katër kandidatëve aktualë, jo vetëm që nuk ka asnjë shqiptar, por ajo nuk pasqyron në asnjë mënyrë karakterin multietnik të shtetit. Edhe pse përzgjedhja ndjek procedura të qarta kushtetuese dhe ligjore – duke kaluar përmes Presidentes dhe më pas Kuvendit – përfaqësuesit politikë shqiptarë brenda shumicës parlamentare duhej të siguronin të paktën përfshirjen në listën e ngushtë të njërit prej ekspertëve shqiptarë të lartë të ekonomisë, të cilët ky vend i ka me bollëk. Por, për fat të keq, duket sikur sot nuk guxojnë as të pyesin për këto pozita – e lëre më të luftojnë për emërimin e një shqiptari në një funksion kaq të lartë shtetëror”, thonë nga BDI.
Kjo, sipas kësaj partie, vetëm sa e thellon shijen e hidhur tek qytetarët shqiptarë – një realitet i vendosur nga vetë Kryeministri, i cili në mënyrë të qëllimshme krijoi rreth vetes rrethe koncentrike të mbyllura etnikisht: fillimisht në Kabinetin e tij, pastaj në rrethin e ngushtë të bashkëpunëtorëve me të cilët udhëton në vizita zyrtare, dhe tani edhe në zgjedhjen e Guvernatorit, sikur shqiptarët nuk kanë përfaqësues që mund të hyjnë në listën e ngushtë për këtë detyrë të lartë publike.
“Republika e Maqedonisë së Veriut është shtet i të gjithë qytetarëve të saj – pa dallim etnie apo përkatësie tjetër. Dhe Kushtetuta e vendit e obligon shtetin të sigurojë shpërndarje të drejtë dhe përfaqësim të barabartë të të gjitha komuniteteve etnike në jetën publike. I bëjmë thirrje Presidentes që, brenda kompetencave të saj, të tregojë më shumë përkushtim ndaj frymës së Kushtetutës që garanton karakterin multietnik të shtetit, sesa ndaj kërkesave që i vijnë nga Qeveria”, shtojnë nga BDI.
Ndryshe, gara për guvernatorin e ri të Bankës Popullore po hyn në fazën përfundimtare. Mandati i guvernatores aktuale përfundon më 20 maj, që do të thotë se më 21 maj duhet të kemi guvernator të ri. Kryeministri, Hristijan Mickoski njoftoi se deri të premten do të përfundojnë konsultimet me presidenten e shtetit, Gordana Siljanovska-Davkova dhe do të dihet se kush do të jetë propozimi për njeriun e parë të institucionit më të rëndësishëm monetar, i cili sipas ligjit kujdeset që inflacioni të mos jetë i lartë dhe mbron vlerën e valutës sonë, denarit.