BDI pyet: Pse qeveria fsheh të vërtetën për lidhjet e agjencisë “Rubikon”?

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka deklaruar kërkon transparencë të plotë nga qeveria dhe Ministria e Punëve të Brendshme lidhur me aktivitetet dhe përgjegjësinë e agjencisë së sigurimit “Rubikon” në natën tragjike në Koçan.  Kjo agjenci, sipas BDI-së, e afërt me partinë në pushtet, ishte përgjegjëse për sigurinë e kabaresë në Koçan natën kur ndodhi […]

Mars 31, 2025 - 14:00
 0  6
BDI pyet: Pse qeveria fsheh të vërtetën për lidhjet e agjencisë “Rubikon”?
Zjarri në diskotekën "Pulse" në Koçan. Foto: Teuta Buçi/Portalb.mk

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka deklaruar kërkon transparencë të plotë nga qeveria dhe Ministria e Punëve të Brendshme lidhur me aktivitetet dhe përgjegjësinë e agjencisë së sigurimit “Rubikon” në natën tragjike në Koçan.  Kjo agjenci, sipas BDI-së, e afërt me partinë në pushtet, ishte përgjegjëse për sigurinë e kabaresë në Koçan natën kur ndodhi tragjedia që mori 59 jetë, transmeton Portalb.mk.

BDI, kërkon që qeveria t’i japë publikut përgjigje të qarta:

  • Kush janë klientët e tjerë të “Rubikon”?
  •  A kanë pasur kontrata të rregullta sigurie dhe sigurues të licencuar?
  •  A ka kryer ndonjëherë MPB inspektim ose kontroll mbi këtë agjenci?
  •  A po mbrohet kjo kompani për shkak të lidhjeve të saj me pushtetin?
  • A është e vërtetë që kjo agjenci i shantazhon kompanitë që ta angazhojnë, duke u mburrur me lidhjet e saj të ngushta me autoritete të larta partiake?

“Në vend që ta përdorë drejtësinë për të goditur kundërshtarët politikë, qeveria duhet të japë llogari për dështimet e saj dhe për ata që vërtet mbajnë përgjegjësi për këtë tragjedi. BDI kërkon një hetim të plotë, të paanshëm dhe të drejtë për këtë rast, si dhe përgjegjësi nga të gjithë ata që kanë lejuar një situatë të tillë të ndodhë. Qytetarët meritojnë të vërtetën, jo lojëra politike dhe mbulim të skandaleve”, thuhet në kumtesën e BDI-së.

Prej se ka ndodhur tragjedia në Koçan, LSDM dhe BDI kanë dalë me qëndrime publike lidhur me hetimin.

Socialdemokratët shkojnë me tezën se hetimi është selektiv dhe me përfundimin se drejtësia selektive është padrejtësi.

Ndërkohë, pas ditëve të para të tragjedisë kur ish -ministri i brendshëm Kreshnik Bekteshi u arrestua, pati reagime sporadike nga BDI ose simpatizantët e tyre se ishte një përballje me shqiptarët.

Në zjarrin që ndodhi më 16 mars në një lokal nate në Koçani, kanë humbur jetën 59 persona, ndërsa kishte 196 të lënduar që trajtohen brenda dhe jashtë vendit.

Sipas hetimeve të deritanishme nga institucionet, diskoteka ka punuar me një sërë shkeljesh të mëdha: nuk kishte rrjet hidranti dhe mjaftueshëm aparate PP, përdoreshin materiale piroteknike në mënyrë të paligjshme, nuk kishte as leje pune të ligjshme dhe nuk ishte lidhur asnjë kontratë me shkrim mes organizatorit dhe grupit interpretues.