Çështja e gjuhës shqipe në RMV mund të zgjidhet me hapje të Kushtetutës

“Gjuha shqipe dhe gjuha serbe dhe alfabetet e tyre janë gjuhë zyrtare në Kosovë dhe kanë status të barabartë në institucionet e Kosovës”. Kështu rregullohet çështja e përdorimit të gjuhëve në Republikën e Kosovës. Gjuhë zyrtare në Finlandë janë finlandishtja dhe suedishtja. Pa marrë shembuj tjerë ku kemi raste të dy a më shumë gjuhë […]

dhjetor 15, 2024 - 07:00
 0  6
Çështja e gjuhës shqipe në RMV mund të zgjidhet me hapje të Kushtetutës
Flamujt e Maqedonisë Veriut dhe Shqipërisë, shqiptar, maqedonas, flamur, flamuj, RMV, Albania, shqiperi

“Gjuha shqipe dhe gjuha serbe dhe alfabetet e tyre janë gjuhë zyrtare në Kosovë dhe kanë status të barabartë në institucionet e Kosovës”. Kështu rregullohet çështja e përdorimit të gjuhëve në Republikën e Kosovës. Gjuhë zyrtare në Finlandë janë finlandishtja dhe suedishtja. Pa marrë shembuj tjerë ku kemi raste të dy a më shumë gjuhë zyrtare brenda një shtetit, shtrojmë pyetjen pse në Republikën e Maqedonisë së Veriut nuk mjafton vetëm një fjali për ta zyrtarizuar gjuhën shqipe, por duhet hapur kllapat, pastaj duhet përdorur numra, përqindje, duhet kufizuar gjeografikisht hapësirën e përdorimit e shumë të tjera? Mungon vullnet politik i shumicës? Pafuqi politike e subjekteve shqiptare? Pse duhet të jetë debat i papërfunduar zyrtarizmi i gjuhës shqipe në vendin tonë? Mungesa e një fjalie të qartë dhe shtimi i shumë fjalëve të tjera të ndërlikuara juridike a janë shkak i polarizimit të interpretimeve?

Sot, sa i përket zbatimit, Ligji për Gjuhën Shqipe në Maqedoninë e Veriut gjen interpretime po aq sa ka subjekte politike, njohës të çështjeve juridike e politike dhe institucione. Pse?

Gjykatësi i Gjykatës Kushtetuese dhe profesori universitar, Osman Kadriu për Portalb.mk thotë se kjo ndodh për shkak përshkrimit që e kanë bërë se, gjuhë e dytë zyrtare duhet të jetë gjuha e asaj bashkësie nacionale e cila është mbi 20%, krejt pa nevojë.

Osman Kadriu, foto printscreen nga Nova TV
Osman Kadriu, foto printscreen nga Nova TV

“Unë kam studiuar edhe Kushtetutën e Kosovës, dispozita është shumë e shkurtër, por e qarte: gjuhë zyrtare në Republikën e Kosovës janë gjuha shqipe dhe gjuha serbe. Dispozitat juridike te Ligji, me qenë se ato zbrazëtira paraqiten gabim nga vet Kushtetuta. Në Kushtetutë është dashur të theksohet. Aty është problem. Me interpretimin e dispozitës kushtetuese, unë gjithmonë e mbrojë këtë tezë, gjithmonë konkluzioni juridik është se është në pyetje gjuha shqipe. Pse ne tash të shkojmë në interpretim, me qenë se kur punohet në një normë, që të zbatohet e interpretohet, atëherë secili subjekt ka të drejt të interpretimit. Dhe si pasojë, cdo subjekt mund të interpretojë ndryshe. Aty tash has ai problemi kryesor rreth gjuhës shqipe. Duhet të jetë e pakontestueshme se është gjuha shqipe. Por, pse nuk e ka theksuar kushtetutdhënësi në pyetje është mosekzistenca e disponimit politik.

Edhe sikur të mos abrogohet ligji, ato zbrazëtira që i ka, a unë mundohem t’i mbuloj dhe t’u jap kahje se Ligji është kushtetues, ligjdhënësi, subjekti politik i përfaqësuar në parlament, patjetër duhet të iniciojë procedurë, jo vetëm për një ligj shumë të qartë për gjuhën shqipe, por të hapet edhe Kushtetuta, edhe një herë të çelet Kushtetuta, është më se e nevojshme”, ka sqaruar më tutje gjykatësi kushtetues Kadriu.

Gjykatësi Kadriu ka treguar edhe rrugën politiko-juridike që duhet të ndjekur për t’u mbyllur një herë e përgjithmonë çështja e gjuhës shqipe dhe debati për të njëjtën.

“Paraprakisht duhet ligjdhënësi në ligj t’i mundësohet nga ana e Kushtetutës. Autorizimin ligjdhënëse ta nxjerrë nga Kushtetuta. Bukfalisht, autorizimin ta nxjerrë nga Kushtetuta. Kushtetuta ta theksoje… Çka i kushton kushtetutdhënësit në Kushtetutë ta thekson se, gjuha e dytë zyrtare në Kushtetutë të jetë gjuha shqipe, kjo fjali mungon vetëm. Tash i kanë 2/3, vetëm se mungon vullneti politik te VMRO-ja. Le të dakordohen. Hapet nesër Kushtetuta. Ka procedurë. Po! Mirëpo, kur ka vullnet politik kushtetutdhënësi shumë shpejt mundet ta zbatoje atë çështje”, ka përfunduar Kadriu.

Jursiti Artan Dika në një prononcim për Portalb.mk, duke komentuar çështjen në fjalë, ka kujtuar se para 2001-shit pala maqedonase ka qenë kategorikisht kundër përdorimit të gjuhës shqipe në nivel qendror.

“Të detyruar me luftën e 2001-shit ata kishin sukses që qëndrimin kategorik kundër ta ambalazhojnë me qëndrim pro, por me kusht që zgjidhja të jetë sa më e cunguar dhe mundësisht jofunksionale. Këtë edhe ja kanë arritur deri tani. Zyrtarizimi i gjuhëve është i ndryshëm dhe ai mund të shkojë nga zyrtarizimi në nivel lokal e deri te përdorimi i saj minimal, i pjesshëm apo i plotë në nivel qendror. Në realitet gjuha shqipe sot, ndryshe nga maqedonishtja, është gjuhë jo e domosdoshme, fakultative, në stilin kush do mund ta përdorë si gjuhë shtesë, por nuk e ka për detyrim”, ka thotë Dika.

Sipas tij, problemi i gjuhës shqipe në Maqedoni më shumë se problem juridik është problem politik dhe se hapja e kësaj çështje në Gjykatën kushtetuese vetëm e vërteton këtë gjë.

“Por nga ana tjetër Gjykata Kushtetuese me veprimet e veta indirekt po e nxjerr sërish në pah kushtetutën si burim i problemeve dhe krizave. Nëse një ligj është i domosdoshëm dhe për këtë bëhet pengesë kushetuta atherë nëse ligji rrëzohet, sytë do duhet drejtuar nga kushtetuta si diçka që duhet ndryshuar. Po marr një shembull konkret, përmendja e gjuhës shqipe më ligj është qartë antikushtetuese. Jo se kjo nuk është e drejtë, jo se kjo nuk është legjitime, jo se kjo është e keqe, por sepse Kushtetuta e parasheh ndryshe. Në Kushtetutë, shefi në këtë vend janë maqedonët, ata janë popull dhe ata kanë të drejtë të përdorimit të plotë të gjuhës së tyre. Bashkësitë tjera etnike, sipas Kushtetutës, mund ta përdorin gjuhën e tyre në nivel qendror vetëm nëse plotësojnë kushtin numerik prej 20%. Këta nesër teorikisht mund të mos jenë dosmodo shqiptarët, mund të jenë turqit apo vllehët ose boshnjakët dhe nëse në ligj shkruan gjuha shqipe duke qenë shqiptarët nën 20% dhe dikush tjetër mbi 20%, kjo përbën diskriminim dhe nuk është në përputhje me kushtetutën”, sqaron më tutje Dika.

Artan Dika, foto printscreen nga Alsat
Artan Dika, foto printscreen nga Alsat

Sado që ligji aktual për gjuhën ka mangësi dhe probleme, thotë Dika, ai shënon një avancim të rregullimit po jo edhe të përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe.

“Përdorimi i gjuhës në praktikë çalon shumë nisur edhe nga rezistenca dhe aversioni që ekziston për gjuhën shqipe nëpër institucione”.

Për çalimin e zbatimit të Ligjit, Dika fajin e adreson te përfaqësuesit politik shqiptarë.

“As përfaqësuesit shqiptarë në pushtet kurrë nuk e kanë pasur prioritet zbatimin e ligjit. Një herë, rreth një vit më parë, kam shkuar për të dorëzuar një ankesë që e kisha shkruar vetëm në gjuhën shqipe, sepse vet kushtetuta parasheh që pala i drejtohet institucionit vetëm në gjuhën e tij ndërsa institucioni është i detyruar t’i kthej përgjigje në dy gjuhë, dhe nuk ma pranonin duke refuzuar gojarisht. I kam telefonuar drejtorit të organit kompetent për zbatimin e përdorimit të gjuhëve dhe ai më kërkonte prova se institucioni nuk po e pranon dokumentin në gjuhën shqipe. Nëse vazhdohet kështu të dekurajohen njerëzit për përdorimin e gjuhës së tyre atëherë është e kotë çdo gjë. Një dukuri tjetër e shpeshtë është imponimi nga punonjësit e administratës palëve që kërkesat e tyre t’i dorëzojnë në dy gjuhë, nisur nga interpretime individuale të legjislacionit, gjë që kjo nuk qëndron. Kur e kam dorëzuar një shkresë vetëm në gjuhën shqipe në Ministri të shëndetësisë para pak kohësh, punonjësja e administratës u habit aq shumë sa që më tha se diçka e tillë nuk i kishte bërë vaki asnjëherë në 20 vitet e punës së saj dhe nuk e dinte nëse mundej kështu”, deklaroi për Portalb Dika.

Gjykata Kushtetuese më 11 dhjetor 2024, vendosi të caktojë seancë përgatitore me të cilën synohet që ekspertë të fushave të ndryshme t’i përplasin argumentet me kontestuesit të ligjit në fjalë ndërsa gjykata ka kërkuar ‘mendim miqësor’ për këtë edhe nga Komisioni i Venedikut.

Ligji për Zbatimin e Gjuhëve në fuqi hyri në janar të vitit 2019-të. Ai u miratua në 11 janar 2018, në mungesë të VMRO-DPMNE-së në atmosferë të tensionuar në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, me protesta dhe tentativa të panumërta të ish-presidentit Gjorgе Ivanov për ta bllokuar atë.