Debat për gjyqësorin në RMV: Gjykata nuk mund të jetë e pavarur nëse nuk ka autonomi financiare
Mungesa e kuadrove në shërbimet e gjyqësorit, nevoja për efikasitet më të madh në procedurat gjyqësore si dhe sfidat me presionet ndaj gjyqësorit. Ishin këto çështjet që u trajtuan në konferencën e sotme të gjyqtarëve me titull: “Forcimi i pavarësisë dhe llogaridhënies gjyqësore përmes efikasitetit më të madh të procedurave”, në organizim të Shoqatës së […]


Mungesa e kuadrove në shërbimet e gjyqësorit, nevoja për efikasitet më të madh në procedurat gjyqësore si dhe sfidat me presionet ndaj gjyqësorit. Ishin këto çështjet që u trajtuan në konferencën e sotme të gjyqtarëve me titull: “Forcimi i pavarësisë dhe llogaridhënies gjyqësore përmes efikasitetit më të madh të procedurave”, në organizim të Shoqatës së Gjyqtarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut me mbështetjen e Misionit të OSBE-së në Shkup, shkruan Portalb.mk.
Aleksandar Kambovski, kryetar i Këshillit Gjyqësor alarmoi për problemin me mungesën e madhe të kuadrove. Sipas tij, ata që janë, bëjnë përpjekje maksimale për të qenë efikas.
Kambovski nga gazetarët u pyet për nevojat e domosdoshme në gjyqësor.
“Pavarësia e gjyqësorit nuk është një privilegj i gjyqtarëve, por një garanci thelbësore e të drejtave dhe lirive të të gjithë qytetarëve. Gjykata nuk mund të jetë e pavarur nëse nuk ka autonomi financiare. Reformat duhet të nënkuptojnë ndryshime themelore – jo vetëm ndryshime ligjore, por një ndryshim në organizimin, qasjen dhe mentalitetin e sistemit”, tha ai në përgjigjen e tij.
Dorëheqjet nuk janë reforma, tha tutje Kamboski.
“Pothuajse gjysma e Këshillit Gjyqësor është i ndërruar. Reformat bëhen ndryshe. Me ndryshimin e ndonjë ligji. Me zvogëlim të mandatit. Vetëm ndryshime në njerëz, nuk sjell asgjë. Kush garanton se anëtarët tjerë që do të vinë do të jenë më të mirë?”, përfundoi Kambovski.
Kryetari i Shoqatës së gjykatësve, Ivan Xholev bëri me dije se Shoqata do të vihet në dispozicion të reformave që po përfolen në sistemin gjyqësor.
“Do të jemi në dispozicion që të japim propozime për ligjet e reja që do kontribuojnë në përmirëimin e gjyqësorit, por edhe perceptimin e qytetarëve ndaj gjyqësorit. Efikasiteti për momentin është problem, por jo i madh. Efikasitetin e gjenerojnë disa struktura tjera. Mungesa e gjykatësve, shërbimeve gjyqësore, pavarësia financiare, krijojnë probleme në zgjidhjet kadrovike. Nga viti në vit, gjithnjë e më shumë rritet numri i lëndëve, ndërkaq, nga viti në vit më pak gjykatës. Nëse duam gjyqësor efikas, duhet të investohet. Të kemi punësime të reja”, tha gjykatësi Xholev.
Xhemali Saiti, Kryetar në Detyrë i Gjykatës Supreme, ishte decid se koordinimi institucional midis organeve të pushtetit është thelbësor.
“Fatkeqësisht, pavarësisht reformave të shumta, sot duket sikur jemi në fillim fare. Të njëjtat debate, të njëjtat përpjekje, shpresa e re dhe problemet e vjetra ende nuk janë kapërcyer”, tha Saiti.
Ai tha se mbajtësit e institucioneve gjyqësore duhet të jenë nxitësit e ndryshimit.
“Qasja profesionale dhe integriteti i të gjithëve ne është veçanërisht i rëndësishëm. Ndërkohë, Këshilli Gjyqësor dhe Gjykata Supreme duhet të jenë nxitësit e këtij procesi”, tha ai.
Kilian Vall, Shef i Misionit të OSBE-së në Shkup, kujtoi përgjegjësinë unike të sistemit të drejtësisë për të mbrojtur të drejtat e njeriut dhe për të siguruar që drejtësia të zbatohet.
“Ne të gjithë jemi të vetëdijshëm për sfidat që lindin nga presionet, procedurat e ngadalta dhe korrupsioni. Janë këto sfida që kanë ulur besimin e publikut në sistemin e drejtësisë”, tha ambasadori Vall.
Ai theksoi se fokusi në efikasitetin e procedurave nuk është vetëm një çështje administrative.
Gjendja aktuale në gjyqësor
Kujtojmë se gjyqësori në Republikën e Maqedonisë së Veriut nuk po i jeton ditët më të mira profesionale. Presioni i pushtetit ekzekutiv ndaj gjyqësorit është evident dhe i regjistruar edhe nga organet ndërkombëtare. Kritikat dhe rekomandimet e Raportit të progresit të cilin e publikon Komisioni Evropian çdo vit për Maqedoninë e Veriut, hasin në vesh të shurdhër. Kapituj e tituj të tërë për paanshmëri, pavarësi e departizim të institucioneve shtetërore, sidomos në fushën e sundimit të ligjit, assesi të gjejnë zbatim në praktikë.
Këshilli Gjyqësor, nga ana tjetër, shpesh ka reaguar ndaj deklaratave të bartësve të posteve më të larta qeveritare dhe ka shprehur shqetësim, sepse të njëjtat reflektojnë integritetin e anëtarëve të këshillit dhe gjyqtarëve dhe ndikojnë drejtpërdrejt në perceptimin dhe besimin e qytetarëve në punën e Këshillit Gjyqësor dhe të gjyqësorit.
“Anëtarët e Këshillit Gjyqësor dhe gjyqtarët duhet të jenë të lirë nga çdo formë presioni dhe ndikimi, në mënyrë që të vendosin në mënyrë të pavarur dhe autonome, dhe në këtë drejtim, Këshilli Gjyqësor u bën thirrje të gjithë bartësve të funksioneve publike të respektojnë në mënyrë të vazhdueshme Kushtetutën, ligjet dhe marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara në përputhje me Kushtetutën, me qëllim sundimin e ligjit dhe kthimin e besimit të qytetarëve në sistem”, thuhej në një nga kumtesat e Këshillit Gjyqësor.
- LEXO: Mickoski: Këshilli Gjyqësor nuk ka legjitimitet te qytetarët, potenciali kadrovik i cili duhet ta freskojë KGj-së duhet të jetë me qëllim impozant para vetes
- LEXO: Partizimi i gjyqësorit në RMV, juristët: E papranueshme, politikanët nuk dinë ndarjen e pushteteve
- LEXO: RMV, nuk ka hapa konkrete për përmirësimin e situatës së përzierjes së politikës në gjyqësor