Demiri reagoi ndaj qëndrimit të Antikorrupsionit: Drejtorët e Toksikologjisë dhe Kardiokirurgjisë kanë bërë lëshime në punë
Ministri i Shëndetësisë, Ilir Demiri, lidhur me qëndrimin e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit për paligjshmërinë e shkarkimit të drejtorëve mjekësorë të Klinikës Shtetërore të Kardiokirurgjisë dhe Klinikës së Toksikologjisë, bëri me dije se ato kanë ndodhur për lëshime në punën e tyre, transmeton Portalb.mk. “Ish-drejtori mjekësor i Klinikës për Kardiokirurgji është shkarkuar nga […]
Ministri i Shëndetësisë, Ilir Demiri, lidhur me qëndrimin e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit për paligjshmërinë e shkarkimit të drejtorëve mjekësorë të Klinikës Shtetërore të Kardiokirurgjisë dhe Klinikës së Toksikologjisë, bëri me dije se ato kanë ndodhur për lëshime në punën e tyre, transmeton Portalb.mk.
“Ish-drejtori mjekësor i Klinikës për Kardiokirurgji është shkarkuar nga pozita e drejtorit mjekësor për shkak të shkeljeve të rregulloreve ligjore, në Republikën e Maqedonisë së Veriut kanë operuar mjekë nga Serbia të cilët nuk kanë pasur licencën përkatëse dhe një sërë shkeljesh të tjera. Të gjitha të dhënat që i kemi raportuar në Prokurorinë Publike për ta hetuar këtë rast. Drejtori i mëparshëm mjekësor nga Klinika e Toksikologjisë dhe një nga mjekët janë shkarkuar për keqpërdorim gjatë gjithë periudhës së kaluar. Klinika ka pasur pëlqim për vazhdimin e kontratave të punës 18 personave, por nuk ka vepruar. Prej disa muajsh këta persona shkonin në punë dhe nuk paguheshin për punën e tyre. Punonjësit kanë pësuar kërcënime dhe ofendime në baza kombëtare, për të cilat kanë dorëzuar një shkresë me deklarata për fyerjet e përditshme nga drejtori dhe mjeku. Presim që prokuroria publike të veprojë edhe për këtë rast. Dëshiroj të informoj Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit se përgjegjësia e një ministri është siguria e pacientëve dhe siguria e të gjithë punonjësve të shëndetit publik”, tha Demiri.
Komisioni Kundër Korrupsionit njoftoi më 11 qershor se shkarkimet e Drejtorit Mjekësor të Toksikologjisë dhe Drejtorit të Kardiokirurgjisë Shtetërore nga ministri i Shëndetësisë Ilir Demiri ishin të pabazuara, duke thënë se me dy vendimet e ministrit është shkelur Ligji për Parandalimin e Korrupsionit dhe Konflikti i Interesit dhe Ligji për mbrojtjen shëndetësore. Është shkelur edhe Kodi Zgjedhor, duke qenë se në të dyja rastet drejtorët janë shkarkuar me vendime të marra (më 14 maj dhe 27 maj) përpara miratimit të konkluzionit për përfundimin e zgjedhjeve për deputetë në Kuvend më 30 maj 2024.
Në seancën e gjashtë të sotme, KSHPK-ja njoftoi gjithashtu se do të inicojë një iniciativë për përgjegjësinë e ministrit të Shëndetësisë para organeve kompetente.
Për dy shkarkimet – edhe për drejtorin mjekësor të Toksikologjisë, Danil Petrovski, edhe për drejtorin e kardiokirurgjisë shtetërore, Marjan Shokarovski, nuk janë respektuar procedurat për shkarkim nga pozita, gjegjësisht është dashur të ketë propozime për shkarkim nga bordet drejtuese në këshillat shëndetësore të këtyre institucioneve, thanë nga KShPK-ja.