Demiri thotë se do të ketë masa për gjuhë të urrejtjes ndaj shqiptarëve kundër drejtorit të shkarkuar të Toksikologjisë, Petrovskit
Ministri i Shëndetësisë, Ilir Demiri i pyetur nga Portalb.mk nëse do të ketë masa ndëshkuese apo ndonjë padi për gjuhën e urrejtjes ndaj shqiptarëve të shprehur nga drejtori i shkarkuar i Klinikës së Toksikologjisë, tha se do të ketë dhe se me këtë merren organet e drejtësisë. Drejtori mjekësor i Klinikës Universitare për Toksikologji në […]
Ministri i Shëndetësisë, Ilir Demiri i pyetur nga Portalb.mk nëse do të ketë masa ndëshkuese apo ndonjë padi për gjuhën e urrejtjes ndaj shqiptarëve të shprehur nga drejtori i shkarkuar i Klinikës së Toksikologjisë, tha se do të ketë dhe se me këtë merren organet e drejtësisë. Drejtori mjekësor i Klinikës Universitare për Toksikologji në Shkup, Danil Petrovski, u shkarkua nga ky post nga ministri, siç thanë për shkak të pandërgjegjshmërisë në punë duke përfshirë dhe gjuhës së urrejtjes ndaj shqiptarëve. Megjithatë, ai do të vazhdojë të punojë në Klinikë si mjek.
“Ato janë procedura juridike të cilat vazhdojnë. Do të ketë, me ato merren organet e drejtësisë”, tha Demiri i cili nuk komentoi më tej për këtë çështje
Kujtojmë se punonjësit shqiptar të angazhuar me kontratë në vepër në Klinikën e Toksikologjisë përmes një deklarate të përbashkët, mes tjerash, janë ankuar për fyerje nacionaliste ndaj tyre nga ana e drejtorit Petrovski, si dhe presion që të mos jenë më në punë për shkak se kontrata e tyre ka skaduar më 31.12.2023. Madje u ankuan se nuk janë lejuar të hyjnë në vendet e tyre të punës.
Pas kësaj, me 14 maj 2024 Ministria e Shëndetësisë njoftoi se Petrovski është shkarkuar nga pozita e drejtorit mjekësor të Klinikës së Toksikologjisë për shkak të pandërgjegjshmërisë dhe fyerjeve në baza nacionale.
“Edhe pse ka pasur pëlqim për vazhdimin e kontratave të punës për 18 persona, ai nuk ka vepruar. Të angazhuarit kanë shkuar në punë pa kontratë dhe pa pagesë për punën e tyre, duke lënë 18 familje pa të ardhura. Gjatë mandatit të tij Klinika ishte e përmbytur dhe e pasiguruar kurse ndaj të angazhuarve ka patur sjellje joprofesionale me kërcënime dhe nënçmime të përditshme në bazë nacionale”, deklaruan nga Ministria e Shëndetësisë, duke theksuar se Petrovski nuk është shkarkuar para zgjedhjeve “për të mos nxitur padurimin në bazë nacionale.”
Më herët, më 2 maj, Inspektorati Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor (IShSSH) kreu inspektim kontrollues në Klinikën e Toksikologjisë pas lëshimit të vendimit paralajmërues me masa inspektuese të urdhëruara, nga i cili u konstatua se punëtorët dhe bashkëpunëtorët shëndetësorë të cilëve u ka skaduar kontrata ishin ende të regjistruar në Klinikën e Toksikologjisë.
Kujtojmë se punonjësit e Klinikës së Toksikologjisë në një konferencë për media muajin e kaluar u ankuan se kjo klinikë ka disa vite që është lënë mënjanë.