Departamenti i Shtetit pas deklaratave të Mickoskit për destabilizim: SHBA është në kontakt të rregullt me ​​zyrtarë qeveritarë

Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) janë në kontakt të rregullt me ​​zyrtarët qeveritarë në vend për çështje me interes të përbashkët. Kjo është përgjigja e Departamentit Amerikan të Shtetit ndaj pyetjeve të “Zërit të Amerikës” në gjuhën maqedonase nëse Shtetet e Bashkuara kanë informacion për rrezikun e pretenduar të destabilizimit në Maqedoninë e Veriut, […]

gusht 20, 2024 - 15:00
 0  6
Departamenti i Shtetit pas deklaratave të Mickoskit për destabilizim: SHBA është në kontakt të rregullt me ​​zyrtarë qeveritarë
Departamenti i Shtetit të SHBA-së, Foto nga faqja zyrtare në Facebook

Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) janë në kontakt të rregullt me ​​zyrtarët qeveritarë në vend për çështje me interes të përbashkët. Kjo është përgjigja e Departamentit Amerikan të Shtetit ndaj pyetjeve të “Zërit të Amerikës” në gjuhën maqedonase nëse Shtetet e Bashkuara kanë informacion për rrezikun e pretenduar të destabilizimit në Maqedoninë e Veriut, siç paralajmëron kryeministri Hristijan Mickoski, dhe nëse kanë biseduar për këtë temë me qeverinë e vendit, transmeton Portalb.mk.

“Ndërsa ne përgjithësisht nuk ofrojmë komunikime nga takimet diplomatike, ne jemi në kontakt të rregullt me ​​zyrtarë qeveritarë për një gamë të gjerë çështjesh me interes të përbashkët,” u përgjigj zyra e shtypit e Departamentit të Shtetit.

Kryeministri Mickoski në fillim të këtij muaji tha se sipas informacioneve të marra nga disa kanale, kryesia e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) në përpjekje, siç tha ai, të mbrojë kapitalin që ka krijuar gjatë 20 viteve të fundit, këtë vjeshtë do të ndërmarrë hapa drejt destabilizimit të shtetit.

Javën e kaluar, më 15 gusht, më saktë, kryeministri duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve gjatë vizitës së tij në Drejtorinë doganore, përsëriti pohime të tilla, duke shtuar se zyrtarët e ish-qeverisë po tentojnë të shkaktojnë konflikt ndëretnik. Ai nuk përmendi emra konkretë, por pretendon se kjo bëhet nga elementë që disponojnë shuma të mëdha parash.

“Një pjesë e tyre janë zyrtarë të lartë në qeveritë e mëparshme, të cilët po përpiqen të mobilizojnë njerëzit në terren, kryesisht për të manipuluar, dhe ajo që më shqetëson veçanërisht, ata po përpiqen të provokojnë konflikt etnik, domethënë të destabilizojnë harmoninë ndëretnike në Maqedonia. Kjo është ajo që më shqetëson më shumë sepse ata e kuptojnë se nuk mund t’i mobilizojnë njerëzit në asnjë mënyrë tjetër, mënyra e vetme është të provokojnë këtë lloj konflikti – ne nuk do ta lejojmë këtë. I bëj thirrje publikut, mediave, qytetarëve që të përmbahen nga çdo provokim. Herët a vonë autorët e provokimeve të tilla do të përgjigjen, por ju lutemi të bëni durim”, tha Mickoski pas vizitës në Drejtorinë doganore.

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) mohoi pretendimet e kryeministrit, duke i vlerësuar ato si spin. Nga aty kanë bërë të ditur se si palë shtetformuese janë garant për paqen, stabilitetin dhe të ardhmen evropiane të Maqedonisë së Veriut.

“Pa komentuar spinet dhe bllofet politike, duam të sqarojmë se kemi mandat dhe përgjegjësi nga votuesit shqiptarë për të mbrojtur legjitimitetin, vullnetin politik dhe dinjitetin e zërit dhe të popullit shqiptar në Maqedoninë e Veriut”, tha partia e Ali Ahmetit.

Veç kësaj, nga atje thanë se: “do të marrim të gjitha masat dhe mjetet demokratike për të parandaluar poshtërimin dhe majorizimin e shqiptarëve përmes imponimit të vasalëve”.

Lidhur me akuzat për krim, partia bëri thirrje për një veting gjithëpërfshirës të të gjithë funksioneve publike në 30 vitet e fundit, i cili do të realizohej me asistencë ndërkombëtare.

Nga partneri i koalicionit i VMRO-DPMNE-së në qeverinë “VLEN”, thanë se nuk i kanë informacione me të cilat disponon kryeministri Mickoski. Mirëpo, zëvendëskryeministri dhe ministri i Mjedisit, Izet Mexhiti, në një dalje televizive tha se ka një numër të vogël të njerëzve me para të zeza që duan destabilizimin në vend për të shpëtuar lëkurën e tyre, por thotë se nuk beson se do të ndodhë një gjë e tillë.

Më herët, lideri i LSDM-së, Venko Filipçe, i ka bërë thirrje kryeministrit që nëse ka ndonjë informacion për destabilizim apo prishje të mundshme të paqes në vend, t’i ndajë me institucionet kompetente. Në një intervistë për “Fokus”, Filipçe ka thënë se narrativat e konfliktit ndëretnik dhe destabilizimit i shkojnë VMRO-së dhe BDI-së, por se LSDM-ja nuk do të jetë pjesë e lojërave të tilla, siç thotë ai, të padrejta.