Dëshmitari i Palevskit pohoi se kishin folur mëngjesin kur u vra Vanja dhe se hetuesit e rrahën Videvskin për ta detyruar të rrëfehej
Me paraqitjen e provave materiale dhe dëshminë e një dëshmitari të mbrojtjes, sot në Gjykatën Themelore Penale të Shkupit vazhdoi gjykimi për rrëmbimet dhe vrasjet e Vanja Gjorçevskës dhe Pançe Zhezovskit nga Velesi. Avokati Vladimir Tufegxhiq, i cili është mbrojtësi i babait të vajzës së vrarë, Aleksandar Gjorçevskit, i akuzuar për ndihmë, ka paraqitur provat […]


Me paraqitjen e provave materiale dhe dëshminë e një dëshmitari të mbrojtjes, sot në Gjykatën Themelore Penale të Shkupit vazhdoi gjykimi për rrëmbimet dhe vrasjet e Vanja Gjorçevskës dhe Pançe Zhezovskit nga Velesi. Avokati Vladimir Tufegxhiq, i cili është mbrojtësi i babait të vajzës së vrarë, Aleksandar Gjorçevskit, i akuzuar për ndihmë, ka paraqitur provat para gjykatës, duke theksuar se ato mbeten në listën e pastruar të provave materiale të dorëzuara në gjykatë. Zoran Petkovski pas prezantimit të tij është thirrur si dëshmitar për mbrojtjen e të akuzuarit të parë në këtë rast, Ljupço Palevski-Palço, transmeton Portalb.mk.
Ai e filloi deklaratën e tij duke iu përgjigjur pyetjeve të drejtpërdrejta të avokatit të Palevskit, avokatit Marjan Vitanovski. Pyetja e tij e parë për dëshmitarin ishte nëse ai kishte kontakte me të akuzuarin e parë gjatë ditëve kritike.
Me Palevskin diskutuan për dronët iranianë
Petkovski, i cili tha për vete se në atë kohë dhe tani është anëtar i komisionit për siguri të partisë politike Desna, duke iu përgjigjur pyetjes tha se më 27 nëntor 2023 (ditën kur Vanja u rrëmbye dhe u vra), ka komunikuar me Palevskin përmes një kanali sekret në platformën Telegram.
Komunikimi, siç tha ai, ka qenë në periudhën kohore rreth orës 8:20 deri në orën 9:00. Dëshmitari tha se këtë e pretendon pasi atë ditë kishte ditëlindjen gruaja e tij, e cila ishte dëshmitare e komunikimit, pasi në atë kohë ata po pinin kafen e mëngjesit bashkë.
Ai ndau edhe temën e diskutuar me Palevskin.
“Në atë kohë, por edhe tani jam anëtar i komisionit të sigurisë së partisë politike Desna dhe kemi diskutuar për temën e dronëve iranianë “Shahid”. “Kam marrë detyrë dhe obligim nga Palevski që të marr informacion për këtë dhe ta njoftoj bashkë me anëtarët e tjerë të komisionit”, tha Petkovski.
Duke iu përgjigjur një pyetjeje shtesë, dëshmitari tha se Palevski nuk i kishte treguar se ku ishte në atë kohë. Ai po ashtu tha se nuk është arrestuar në lidhje me vrasjet dhe as për komunikimin me Palevskin.
Pyetja e radhës, për të cilën dëshmitari Petkovski ka folur në detaje, ka të bëjë me ditën e 5 shkurtit 2025, kur ai dhe një anëtar tjetër i kryesisë së partisë janë thirrur për bisedë në stacionin policor “Prolet”, lidhur me mbylljen e lokaleve të partisë.
Petkovski, me këtë rast ka ndarë edhe një moment interesant.
“Me eksperiencë nga jeta e punës në Forcat e Armatosura dhe Ministrinë e Brendshme, para se të futesha në stacion kam ndezur një aparat regjistrues me të cilin kam regjistruar të gjithë bisedën. Biseda ishte jashtëzakonisht korrekte dhe miqësore. Ngjarja ka ndodhur në zyrën e shefit Dragan Zarinski, ku kanë marrë pjesë shefi Dejan Dimovski dhe një inspektor tjetër i cili nuk është identifikuar. Pasi jemi takuar, biseda ka zgjatur pak më shumë se një orë”, tha Petkovski.
Ai tha se pasi hetuesit e kanë parë se bëhet fjalë për ish-pjesëtarë të shërbimeve të sigurisë, atmosfera e bisedës ka marrë ton miqësor dhe hetuesit kanë filluar të paraqesin momente dhe informacione për ngjarjet e 22 dhe 27 nëntorit 2023, gjegjësisht vrasjet e Pançes dhe Vanjës në Veles dhe Shkup.
Vrima në mur
Në një moment, njëri nga hetuesit e pyeti drejtpërdrejt nëse e njeh një nga të akuzuarit, përkatësisht Bore Videvski.
“Diku pas 50 minutash (nga biseda) m’u drejtua inspektori Zarinski, pranë meje ishte ulur Dejan Dimovski. Zarinski më pyeti nëse e njihni Bore (Videvski), i thashë që e njoh. Pastaj me dorën e djathtë më tregoi një vrimë në mur dhe më tha: Kjo është nga Bore. Nuk më lejohet t’ju them këtë, por kemi përdorur metoda të vjetra për të marrë rrëfim”, tha Petkovski në dëshminë e tij para gjykatës.
Në vijim të asaj që u tha, ai tha se duke qenë se është një rrëfim i detyruar, gjykata duhet ta ketë parasysh.
Më pas dëshmitari ka vazhduar të tregojë se çfarë tjetër sipas tij i ka thënë inspektori në stacionin “Prolet”.
“Zarinski vazhdoi se derisa po fliste dhe po rrihte Bore, (Vlatko) Keshishev qëndronte para derës dhe dëgjonte. Ai vazhdoi me fjalët: Kur hyri Vlatko, më tha Bore dhe Veljo, ma sollën në bagazh nga e mora. Ai po mendonte për Pançe Zhezovskin”, tha dëshmitari i mbrojtjes së Palevskit.
Petkovski tha se përveç ngjarjeve penalo-juridike në Veles dhe Shkup, me të kanë biseduar edhe për “Qytetin e sigurt”, sepse, siç tha ai, ai ka marrë pjesë në zhvillimin e tij “së bashku me izraelitët”.
Duke iu përgjigjur pyetjes nga prokurorja Zhaklina Krstevska-Josifovska, dëshmitari tha se me Palevskin ka pasur komunikim vetëm më 27 nëntor, por jo edhe më 22 (ditën kur u vra Zhezhovski) dhe për këtë është i sigurt sepse i ruan mesazhet dhe komunikimin nga 22 nëntori.
I pyetur për komunikimin me Palevskin nga 27 nëntori, Petkovski tha se atë nuk e ruan sepse ishte kanal Telegram ku mesazhet automatikisht fshihen 30 minuta pas komunikimit.
Ai ka thënë se puna e tij e fundit, para se të pensionohej tre vjet më parë, ka qenë oficer i zbulimit dhe analizës në Kumanovë, ndërsa në pyetjen e prokurores nëse është e vërtetë se ka qenë i dënuar në mënyrë disiplinore gjatë kohës që ka punuar, dëshmitari është përgjigjur:
“Unë nuk dua të diskutoj çështje që lidhen me shërbimin”.
I pyetur për vrimën në mur në zyrën e shefit të policisë, e cila dyshohet se ishte nga rrahja e Bore Videvskit, dëshmitari tha se ishte një çarje e dukshme në muri, me një diametër prej 10 deri në 12 centimetra, por se rreth saj nuk kishte gjurmë të tjera të dukshme, si gjak.
Dëshmitari iu përgjigj edhe disa pyetjeve të gjyqtarit Ivica Stefanovski, të cilat kanë të bëjnë me njohuritë e Palevskit për teknologjinë informative.
Dëshmitari tha se nuk mund të thotë, por si ekspert në hidroakustikë dhe nga ajo që ka parë, i akuzuari Palevski, siç tha ai, i zotëron mirë mjetet e komunikimit elektronik.
Ndryshe, lidhur me bisedën në stacionin policor, të cilën dëshmitari Petkovski fshehtas e ka incizuar me diktofon, mbrojtja e Bore Videvskit ka kërkuar që regjistrimi të paraqitet si provë materiale, por gjykata e ka refuzuar propozimin, me arsyetimin se bëhet fjalë për material që është siguruar në mënyrë të kundërligjshme.
Avokati Bojan Manev, i cili është mbrojtës i Bore Videvskit, në një deklaratë për media pas përfundimit të seancës së sotme, tha se refuzimi i gjykatës për ta pranuar incizimin si provë materiale është në kundërshtim me Ligjin për procedurë penale.
“Unë si mbrojtës i të pandehurit kam të drejtë të siguroj mbrojtje adekuate në bazë të dëshmisë së një dëshmitari të caktuar, përkatësisht të paraqes prova adekuate. Këtë të drejtë e kam sipas dispozitave të Ligjit për procedurë penale. E pas dëshmisë së sotme të dëshmitarit, nëse duam të zhvillojmë procedurë të përshtatshme, duhet të thirret edhe inspektori tjetër i cili ishte i pranishëm në ngjarjen penalo-juridike dhe marrjen me dhunë të rrëfimit nga i akuzuari Bore Videvski, sepse ai është pjesë e asaj procedure. Meqë tani dihet për këtë çështje do ta propozoj, por nuk e di nëse do të pranohet nga gjykata”, tha Manev.
I pyetur nëse ka dokumentacion mjekësor nga torturimi i klientit të tij, avokati tha se deri më tani të paktën 10 herë ka paraqitur dokumente të tilla, si dhe pesë raste të tjera urgjente për gjendjen e veshkave të Videvskit. Lidhur me lëndimet që i janë konstatuar klientit të tij, avokati është përgjigjur:
“Shumë, nga frakturat e kokës. Në urgjencë kemi edhe dokumentacionin mjekësor dhe dokumentacionin nga Klinika e Nefrologjisë ku ka qenë për dy javë. Gjithçka është konfirmuar nga mjekët”.
Në pyetjen e gazetarëve se çfarë po bënte Bore Videvski, sepse në seancën e fundit u shfaqën video ku shihet ai, Palevski dhe Vlatko Keshishev në shtëpinë e Velibor Manev mbrëmjen para vrasjes së Zhezhovskit, avokati tha se ato video nuk janë të asaj dite.
Për ato incizime që i kemi parë në seancën e kaluar, do të them vetëm një gjë, nga ana e klientit tim dhe do ta shihni në dëshminë e tij, thuhet se nuk janë incizime nga ajo ditë. Mbrëmjen para vrasjes së Pançe Zhezovskit, është dita e Shën Kryeengjëllit. Ato regjistrime nuk janë të asaj dite. Këtë do ta shihni në dëshminë e të gjithë të akuzuarve. Sinqerisht nuk besoj se dikush e kishte planifikuar vrasjen si krim, do ta filmonte veten. Një gjë e tillë s’ka logjikë”, tha Manev.
Sipas aktakuzës, Ljupço Palevski, Bore Videvski, Velibor Manev, Vlatko Keshishov dhe Aleksandar Gjorçevski, akuzohen se së bashku kishin planifikuar rrëmbimin e 14-vjeçares Vanja për të detyruar një anëtar të familjes së saj të ngushtë të jepte para për shpërblim. Sipas aktakuzës, rrëmbimi i të lënduarit Pançe Zhezovski në Veles ka qenë me qëllim që ta detyrojnë që t’ua japë automjetin “sitroen” për ta përdorur në rrëmbimin e fëmijës në Shkup..
Në seancën e kaluar Prokuroria Themelore Publike Shkup vendosi që kërkesa për përjashtimin e prokurorëve Zhaklina Krstevska-Josifovska dhe Ana Stojkoviq-Dimitrovska dhe kreut të Prokurorisë Publike të Shkupit Gavril Bubevski është e pabazë. Kërkesa në seancën paraprake është bërë nga i akuzuari i parë për vrasjen e Vanja Gjorçevskës dhe Pançe Zhezovskit, Ljupço Palevski-Palco, i cili para gjykatës tha se tani kërkon përjashtimin e tre prokurorëve individualisht për rrethana dhe arsye të reja, përkatësisht anshmëri në zhvillimin e procedurës.
Në sallën e gjyqit u luajtën gjashtë CD me video nga kamerat e sigurisë të vendosura në shtëpinë e të pandehurit Velibor Manev. Disqet përmbajnë materiale nga kamerat e sigurisë, që mbulojnë ditët nga 20 nëntori deri më 3 dhjetor 2023 me vëzhgim 24 orë.
Gjykimi për këtë rasti filloi më 20 shtator. Të dyshuar për këtë rast janë edhe Velibor Manev, Vlatko Keshishov, Ljupço Palevski-Palço dhe Aleksandar Gjorçevski, E mitura Vanja Gjorçevska, e cila ishte raportuar e zhdukur më 27 nëntor, u gjet e vdekur në afërsi të Shkupit më 3 dhjetor, kur në afërsi të Velesit u gjet i vdekur edhe Pançe, me origjinë nga Velesi, i cili, nga ana tjetër, u raportua i zhdukur më 24 nëntor. I dyshuari kryesor për vrasjen e Vanja Gjorçevskës dhe Pançe Zhezovskit është Ljupço Palevski-Palço, i cili më 15 maj u ekstradua nga Turqia në vend, ku u gjet dhe u arrestua pas fletarrestit ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet maqedonase përmes Interpolit.