Dy pacientë nga tragjedia në Koçan do të kthehen sot nga Bullgaria

Dy pacientë të tjerë nga tragjedia e Koçanit kthehen sot nga Bullgaria. Bëhet fjalë për dy djem, të moshës 19 dhe 21 vjeç, të cilët u shtruan gjithashtu në Plovdiv më 17 mars në Spitalin “Shën Gjorgji”për kirurgji plastike, rindërtuese dhe estetike, ku u vendosën në kujdes intensiv për shkak të ashpërsisë së djegieve. Ndërsa […]

Prill 29, 2025 - 21:00
 0  4
Dy pacientë nga tragjedia në Koçan do të kthehen sot nga Bullgaria
Familjarët e personave të lënduar nga rasti i Koçanit, duke pritur para spitalit Shën Naumi i Ohrit Shkup. Foto nga Portalb.mk

Dy pacientë të tjerë nga tragjedia e Koçanit kthehen sot nga Bullgaria. Bëhet fjalë për dy djem, të moshës 19 dhe 21 vjeç, të cilët u shtruan gjithashtu në Plovdiv më 17 mars në Spitalin “Shën Gjorgji”për kirurgji plastike, rindërtuese dhe estetike, ku u vendosën në kujdes intensiv për shkak të ashpërsisë së djegieve. Ndërsa ishin atje, gjendja e tyre po përmirësohej vazhdimisht dhe specialistët mjekësorë atje ishin përgjegjës për kujdesin dhe trajtimin e tyre, transmeton Portalb.mk.

Aktualisht, pacientët janë në gjendje të përgjithshme të qëndrueshme dhe po largohen nga spitali me rekomandime të përcaktuara për monitorim dhe rehabilitim.

Ata, së bashku me familjet e tyre, shprehin falënderime të veçanta për ekipin e spitalit, i cili arriti profesionalisht t’i shpëtojë.

Në zjarrin që ndodhi më 16 mars në diskotekën “Pulse” në Koçan, po atë ditë, jetën e humbën 59 persona, ndërsa më 4 prillmë 7 prill dhe 17 prill, ndërruan jetë edhe tre persona të tjerë, duke e çuar numrin total të viktimave në 62. Nga zjarri mbetën 196 të lënduar që u trajtuan brenda dhe jashtë vendit.

Sipas hetimeve të deritanishme nga institucionet, diskoteka ka punuar me një sërë shkeljesh të mëdha: nuk kishte rrjet hidranti dhe mjaftueshëm aparate PP, përdoreshin materiale piroteknike në mënyrë të paligjshme, nuk kishte as leje pune të ligjshme dhe nuk ishte lidhur asnjë kontratë me shkrim mes organizatorit dhe grupit interpretues.

Prokuroria në Koçan dhe Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka identifikuar si të dyshuar 68 persona fizikë dhe tre persona juridikë për krime të rënda kundër sigurisë publike, njëri prej tyre ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra nga zjarri. Ministria e Punëve të Brendshme ka ngritur kallëzime penale kundër tyre, shumica prej të cilëve ndodhen në paraburgim. Midis tyre është edhe zyrtari i BDI-së, Kreshnik Bekteshi.

Departamenti për Kontroll të Brendshëm, Hetime Penale dhe Standarde Profesionale në Ministrinë e Brendshme, në Prokurorinë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit më 25 prill ngriti kallëzim penal kundër K.B., G.L. dhe A.T, të gjithë policë, për shkak të ekzistimit të bazave të dyshimit për kryerjen e veprës penale të “keqpërdorimit të pozitës dhe autoritetit zyrtar”  lidhur me tragjedinë e zjarrit në Koçan.