Dyshimet se Martin Berishaj i ka dërguar fletëvotimet në ambasadë, Prokuroria fillon hetimet
Prokuroria Themelore në Prishtina ka njoftuar se ka filluar hetimet për keqpërdorime të mundshme të ambasadorit Martin Berishaj, në procedurën e transportimit të votave të qytetarëve të Republikës së Kosovës në diasporë. Sipas raportimeve të mediave, ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj ka vepruar jashtë çdo procedure zyrtare duke marrë vetë të gjitha zarfet


Prokuroria Themelore në Prishtina ka njoftuar se ka filluar hetimet për keqpërdorime të mundshme të ambasadorit Martin Berishaj, në procedurën e transportimit të votave të qytetarëve të Republikës së Kosovës në diasporë.
Sipas raportimeve të mediave, ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj ka vepruar jashtë çdo procedure zyrtare duke marrë vetë të gjitha zarfet me fletëvotime nga posta dhe duke i dërguar në ambasadë.
Për shkak të këtyre dyshimeve, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se ka nisur hetimet.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton se në vazhdën e aktiviteteve për ruajtjen dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, pas raportimeve për keqpërdorimet e mundshme të Ambasadorit M.B. rreth procedurës së transportimit të votave të qytetarëve të Republikës së Kosovës në diasporë, ka filluar ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme hetimore nëse në raportimet në fjalë përmbushen elementet e ndonjë vepre penale që ndërlidhet me procesin e zgjedhjeve, me qëllim të ruajtjes së këtij procesi”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.
Për raportimet lidhur me dyshimet për përfshirjen e ambasadorit Martin Berishaj në procesin zgjedhor ka reaguar edhe KQZ-ja.
Nga KQZ në një përgjigje për Paparacin kanë bërë të ditur se do të vlerësojnë nëse tërheqja e pakove me fletëvotimë është bërë sipas ligjeve në fuqi
“Lidhur me lajmin që po qarkullon për tërheqjen e pakove me fletëvotime nga kutia postare e KQZ-së në Zagreb (Kroaci), sqarojmë se do të vlerësohet nëse tërheqja e pakove me fletëvotime nga kjo kuti postare është bërë sipas akteve nënligjore dhe KQZ do të marrë vendim meritor”, ka thënë për Paparacin Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së.