Edhe pse u tërhoq, gjykatësja Periq vazhdon të figurojë në fletëvotimin për zgjedhjen e anëtarit të Këshillit Gjyqësor
Edhe përkrah njoftimit se tërhiqet nga gara për anëtar të Këshillit Gjyqësor nga radhët e Gjykatësve suprem, gjykatësja Cvetanka Periq vazhdon të jetë në fletëvotimin për votimin e ardhshëm të planifikuar për 6 qershor, transmeton Portalb.mk nga 360 Gradë. Periq e ka njoftuar Këshillin Gjyqësor se do ta tërheqë kandidaturën e saj më 30 maj […]
Edhe përkrah njoftimit se tërhiqet nga gara për anëtar të Këshillit Gjyqësor nga radhët e Gjykatësve suprem, gjykatësja Cvetanka Periq vazhdon të jetë në fletëvotimin për votimin e ardhshëm të planifikuar për 6 qershor, transmeton Portalb.mk nga 360 Gradë.
Periq e ka njoftuar Këshillin Gjyqësor se do ta tërheqë kandidaturën e saj më 30 maj dhe si shpjegim për vendimin e saj ka deklaruar se e ka bërë për arsye shëndetësore.
Megjithatë, me nëntë vota “pro”, Këshilli Gjyqësor sot ka ardhur në përfundimin se listat e kandidatëve për votimin e ardhshëm mbeten të pandryshuara.
Pothuajse të nëntë anëtarët e Këshillit Gjyqësor që morën pjesë sot në diskutimin për këtë pikë të vetme të rendit të ditës të seancës së sotme urgjente, shprehën habinë dhe zhgënjimin e tyre për veprimin e gjykatëses Periq në këtë fazë të procedurës e cila vendosi të ndërmarrë një haptë tillë, aq më tepër që bëhet fjalë për gjykatës në Gjykatën Supreme.
Përveç kësaj, disa nga anëtarët e Këshillit Gjyqësor shprehën dyshime për besueshmërinë e arsyeve për shkak të të cilave Periq vendosi ta ndërmarrë këtë hap dhe publikisht parashtruan pyetjen nëse ka gjasa që pas një veprimi të tillë të fshihen presione të ndryshme.
Anëtarët e Këshillit Gjyqësor vunë në pikëpyetje edhe vetë mundësinë e Periq ta kryejë funksionin e gjykatësit sepse, siç thanë ata, nëse për arsye shëndetësore nuk mund të jetë anëtare e Këshillit Gjyqësor, si mund ta kryejë punën e saj si gjykatëse në Gjykatën Supreme.
“Më duhet të them se jam e befasuar në mënyrë të pakëndshme sepse e gjithë kjo ndodh në një fazë kur e gjithë procedura ka përfunduar. Këshilli Gjyqësor nuk mund të bëjë asnjë veprim sepse ne i kemi bërë të gjitha veprimet, i kemi përcaktuar listat e kandidatëve, është formuar Komisioni Zgjedhor dhe kjo është shumë e çuditshme për mua. Nuk e di se për çfarë arsye shëndetësore bëhet fjalë, por bëhet fjalë për një gjykatëse të Gjykatës Supreme. Për ta kryer funksionin në Gjykatën Supreme, si edhe punën në Këshillin Gjyqësor, duhet të jesh i shëndetshëm”, tha anëtarja e Këshillit Gjyqësor, Antoaneta Dimovska.
Kolegu i saj Selim Ademi gjatë diskutimit tha se kjo situatë nuk është e rregulluar me ligj, ndërsa Këshilli tashmë e ka përcaktuar listën me dy kandidatët dhe e ka dorëzuar në Komisionin për zgjedhje.
“Këshilli Gjyqësor ka vërtetuar listën me dy kandidatë dhe e ka dorëzuar në Komisionin për zgjedhje dhe pastaj kjo është punë e Komisionit. Në raportet e Komisionit të për zgjedhje thuhet se materialet janë shtypur, janë pranuar dhe ka implikime financiare. Në këtë fazë Këshilli Gjyqësor nuk mund të ndërhyjë dhe ta zëvendësojë listën ekzistuese me një listë tjetër të kandidatëve”, tha Ademi.
Në diskutimin e seancës së sotme urgjente mori pjesë edhe kryetarja e Gjykatës Supreme, Besa Ademi, e cila tha se nuk është njohur më detajisht me arsyet e tërheqjes së kandidaturës së gjykatëses Periq.
“As unë dhe as gjykatësit nuk i dimë në detaje arsyet e tërheqjes. Do të kishte qenë e një rëndësie qenësore që në këtë seancë të gjykatësve të informohej për këtë hap të gjykatëses, duke qenë se procesi zgjedhor tashmë ka filluar dhe janë ndërmarrë një sërë veprimesh procedurale, gjegjësisht procesi ka arritur në vetë fazën e votimit. Gjithmonë duhet t’i kushtohet vëmendje e duhur të gjitha aspekteve, sepse kryerja e funksionit të gjykatësit dhe kryerja e funksionit të anëtarit të Këshillit Gjyqësor nga radhët e Gjykatës Supreme është një çështje publike që lidhet drejtpërdrejt me interesin publik”, tha Besa Ademi.
Duke folur në këtë drejtim, ajo theksoi se anëtari i Këshillit Gjyqësor duhet të udhëhiqet gjithmonë nga qëllimi më i rëndësishëm, që është mbrojtja e pavarësisë, integritetit dhe reputacionit të gjyqësorit. Ajo tha se anëtarët e mundshëm nga radhët e gjykatësve të Gjykatës Supreme duhet të kenë një vizion të qartë për rolin e tyre në Këshill, si dhe për rolin e tyre në të gjithë procesin e reformave në gjyqësor.
“Është gjithmonë mirë që në zgjedhje të tilla të ketë më shumë kandidatë, ky është kuptimi i sistemit zgjedhor. Në këtë drejtim janë edhe rekomandimet e misionit vlerësues, të cilat konstatojnë se nevojiten përmirësime në zgjidhjen ligjore të kësaj pjese“, tha Ademi.
Anëtarja e Këshillit, Tanja Çaçarova-Ilievska, bëri thirrje që kandidatët që me rastin e aplikimit ta analizojnë më thellë gjendjen e tyre personale, si dhe nëse mund të jenë të gatshëm për ushtrimin e pozitës së anëtarit të Këshillit Gjyqësor
“Për momentin në listë janë dy kandidatë dhe procedura është në fazën përfundimtare. Fletët e votimit të kandidatëve janë shtypur dhe janë pranuar në Këshill, ndërsa tërheqja e Cvetanka Periq është dorëzuar më 30.5.2024, një ditë para se t’i marrim fletëvotimet në Këshill. Ne nuk kemi asnjë detyrim të vendosim dhe vetëm do të konstatojmë, por më duhet të them se është një hap joserioz i një gjykatëseje të Gjykatës Supreme, duke pasur parasysh përmbajtjen e njoftimit dhe arsyet e dhëna“, tha Çaçarova–Ilievska.
Kolegu i saj Milazim Mustafa përkujtoi se kjo situatë nuk ndodh për herë të parë dhe se në zgjedhjet e vitit 2020 një kandidat është tërhequr dy ditë para zgjedhjeve, por gjithsesi ka marrë pjesë dhe ka marrë vota.
Propozimi që Sashko Georgiev ua parashtroi kolegëve të tij ishte që të propozohen ndryshime ligjore që do ta rregullonin se në cilën fazë të procedurës më së voni mund të tërhiqet nga gara zgjedhore një nga kandidatët.
Anëtari i Këshillit Gjyqësor, Ivica Nikollovski, u pajtua me kolegët sipas të cilëve në këtë fazë të procedurës nuk ka kushte për tërheqjen e kandidatit. Ai tha edhe se njoftimi për tërheqje për arsye shëndetësore nuk mbështetet me asnjë provë dhe se ata si Këshill Gjyqësor duhet t’i hetojnë pretendimet e tilla.
“Nëse bëhet fjalë për probleme të rënda shëndetësore, duhet ta parashtrojmë pyetjen, nëse ajo nuk mund të jetë anëtare e Këshillit Gjyqësor për shkak të problemeve shëndetësore, a mund ta kryejë detyrën e gjykatësit. Dhe nëse këto arsye nuk vërtetohen, të parashtrojmë pyetje të tjera, a ka ndikime apo presione të mundshme. Bëhet fjalë për një gjykatëse nga Gjykata Supreme me rezultate pozitive në kryerjen e detyrave gjyqësore. Një sjellje e tillë e pazakontë duhet të hetohet“, tha Nikollovski.
E të njëjtit mendim me anëtarët e tjerë të Këshillit ishte edhe kryetarja e Këshillit Gjyqësor, Vesna Dameva, e cila ndër të tjera shtoi se ka dyshime se po vihet në pikëpyetje autonomia dhe pavarësia e funksionit të gjykatësit, pa dhënë më shumë detaje.
“Veprimet personale të secilit gjykatës, këtu në rastin konkret të një gjykatësi të Gjykatës Supreme, duhet të mendohen mirë për të mos e dëmtuar reputacionin e Gjykatës Supreme në rastin konkret, dhe rrjedhimisht të gjyqësorit në përgjithësi dhe të Këshilli Gjyqësor. Me sa di unë, gjykatësja shkon në punë dhe nëse kjo është arsyeja e vërtetë, dhe besoj se është, sepse ajo është gjykatëse dhe nuk duhet të paraqesë gjëra të pavërteta para Këshillit Gjyqësor, atëherë vërtet pyes veten nëse mund ta kryejë edhe funksionin e gjykatësit, gjë që u theksua edhe nga një nga kolegët e mi me çka absolutisht jam dakord. Kam edhe një pyetje tjetër që dua ta bëj, por unë dhe kolegët e mi do të duhet ta mendojmë me kujdes për rastin konkret dhe për çdo rast pasues. Gjatë marrjes së vendimeve gjyqësore nga një gjykatës, ja të themi për gjykatësen në fjalë, a ka pasur ndryshim mendimi pas marrjes së një vendimi. E them këtë sepse mendoj që pasi të shprehet një qëndrim në drejtim të mbrojtjes së integritetit personal, ai duhet të qëndrojë i njëjtë deri në fund “, tha Dameva.
Përndryshe, Këshilli Gjyqësor më 15 maj përcaktoi listën e kandidatëve për zgjedhjen e anëtarit të Këshillit nga radhët e gjykatësve suprem dhe në të përveç Cvetanka Periq është edhe gjykatësi Isamedin Limani.
Vendi për anëtarin nga Gjykata Supreme në Këshillin Gjyqësor ka rreth një vit që ka mbetur bosh, pas dorëheqjeve të Mirjana Radevska-Stefkovas dhe Zoran Gerasimovskit, të cilët vendosën ta ndërmarrin këtë hap pas shkarkimit kontrovers të kryetares së Këshillit, Vesna Dameva.
Gjykatësi suprem Nake Georgiev aplikoi në shpalljen që u shpall për plotësimin e pozitës, por para se të bënte betimin solemn dha dorëheqje nga pozita e tij që djali i tij të zgjidhej gjykatës.
Pas kësaj, kishte disa shpallje për plotësimin e pozitës, por të gjitha kanë dështuar pasi nuk ka pasur kandidatë të paraqitur nga Gjykata Supreme. Mundësia e përzgjedhjes u hap pasi për shpalljen e fundit aplikuan dy gjykatësit e Gjykatës Supreme, Cvetanka Periq dhe Isamedin Limani.
Përveç se për një anëtar nga radhët e gjykatësve suprem, të enjten gjykatësit do të votojnë edhe për një anëtar të ri të Këshillit Gjyqësor nga Gjykata e apelit në Manastir. Aty, sipas listës së përcaktuar nga Këshilli Gjyqësor, kandidatë janë Aleksandar Kambovski, Aleksandra Pop Stefanija dhe Tatjana Susulevska.