Është hapur hetim paraprak për gjyqtarin Elvedin Ferati, ka korrigjuar notat në Universitetin e Tetovës

Është hapur hetim paraprak për gjyqtarin Elvedin Ferati nga Gjykata Themelore e Tetovës, pasi Inspektorati Shtetëror Arsimor ka konstatuar se ai ka korrigjuar notat e tij në drejtësi në Universitetin Shtetëror të Tetovës, me shkarravitje. Hetimet paraprake i kryen Prokuroria Publike e Shkupit, transmeton Portalb.mk. “PTHP Shkup vepron me njoftimin e Inspektoratit Shtetëror të Arsimit […]

shtator 18, 2024 - 15:00
 0  3
Është hapur hetim paraprak për gjyqtarin Elvedin Ferati, ka korrigjuar notat në Universitetin e Tetovës
Gjykata Themelore Tetovë, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Është hapur hetim paraprak për gjyqtarin Elvedin Ferati nga Gjykata Themelore e Tetovës, pasi Inspektorati Shtetëror Arsimor ka konstatuar se ai ka korrigjuar notat e tij në drejtësi në Universitetin Shtetëror të Tetovës, me shkarravitje. Hetimet paraprake i kryen Prokuroria Publike e Shkupit, transmeton Portalb.mk.

“PTHP Shkup vepron me njoftimin e Inspektoratit Shtetëror të Arsimit dhe ndërmerr veprime në procedurë para-hetimore për të hetuar të gjitha rrethanat”, thonë nga Prokuroria.

Rasti u zbulua nga Komisioni Kundër Korrupsionit më 27 dhjetor 2023, si pjesë e një auditimi të madh që numëroi fakultetet dhe studentët e diplomuar të cilëve iu dhanë diploma me një numër të pamjaftueshëm kreditesh.

Gjykatësi Ferati shërben si gjykatës i Gjykatës civile. Ai u diplomua në gjeneratën e gjashtë të studentëve të Akademisë së Gjyqtarëve dhe Prokurorëve Publikë dhe në vitin 2020 u zgjodh gjyqtar.

Inspektorati Shtetëror Arsimor zbuloi se Ferati ka aplikuar për konkurs në Akademinë e Gjyqtarëve me notën 8.20 dhe në diplomën për studimet e kryera për drejtësi në Universitetin e Tetovës ka mesatarisht 7.88.

Vitin e kaluar, Inspektorati Shtetëror Arsimor, me urdhër të Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK), ka kontrolluar dokumentacionin e të gjithë kandidatëve të mëparshëm që janë pranuar dhe diplomuar në Akademinë për gjyqtarë dhe prokurorë publikë.

Kur Inspektorati hyri në Universitetin e Tetovës, pa se në librin amzë të Departamentit Juridik, Ferati kishte tri nota të korrigjuara me shkarravitje. Notat ishin kryqëzuar dhe korrigjuar në më të larta dhe nuk ka pasur kërkesa për rimarrje të provimeve, nuk ka raporte dhe as dëshmi për rimarrje të tri provimeve.

Këshilli Gjyqësor është në pritje të rezultatit të kësaj procedure dhe për momentin nuk ka hapur çështje ndaj gjyqtarit së ri.

Ferati ndër vite ka punuar si bashkëpunëtor ekspert në Gjykatën Themelore të Tetovës.

Nga kontrolli që është bërë në atë kohë nga KSHPK-ja, Inspektorati i Arsimit dhe Arkivi i Maqedonisë janë gjetur 400 vërtetime 7/1, ndërsa vetëm për 180 kredi, të cilat janë lëshuar vetëm nga Universiteti i Shtulit.

Inspektimi në Universitetin e Tetovës nga ana e Inspektoratit Shtetëror i Arsimit është bërë më 29 gusht.

Kujtojmë se Forumi për Ndryshime në Arsim akuzoi Ministrinë e Arsimit për heshtje në rastin e avancimit kundërligjor të një profesori të USHT-së. Sipas drejtuesve të Forumit, Agron Alili ka fituar thirrjen shkencore docent nga fakulteti i shkencave matematiko-natyrore pa i përmbushur kushtet elementare, përkatësisht titulli i është dhënë me mesataren prej 6.7 apo shumë me notë më të dobët se ajo që kërkohet me ligj.