Fetai: ASH -Taravari mbetet në qeveri sikur nuk ka ndodhur asgјë

Aleanca për Shqiptarët, fraksioni i Arben Taravarit vazhdon të jetë e gatshme për t’i ecur përpara punët në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut edhe pse eksponentë të VLEN-it, si zëvendëskryeministri Izet Mexhiti, por edhe ai i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, tashmë ia kanë treguar derën e daljes nga qeveria ASH-së, shkruan Portalb.mk. Zëvendëskryeministri Arben Fetai, […]

Prill 23, 2025 - 14:00
 0  4
Fetai: ASH -Taravari mbetet në qeveri sikur nuk ka ndodhur asgјë
Arben Taravari. Foto printscreen

Aleanca për Shqiptarët, fraksioni i Arben Taravarit vazhdon të jetë e gatshme për t’i ecur përpara punët në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut edhe pse eksponentë të VLEN-it, si zëvendëskryeministri Izet Mexhiti, por edhe ai i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, tashmë ia kanë treguar derën e daljes nga qeveria ASH-së, shkruan Portalb.mk.

Zëvendëskryeministri Arben Fetai, kuadër i ASH- fraksioni i Arben Taravarit, theksoi sot se ASH është në qeveri dhe nuk ka asnjë plan për ndryshim të pozicioneve në qeveri.

“Me kryeministrin Mickoski dhe me partnerët e koalicionit ka kontakte të përditshme. E kemi thënë disa prej nesh, e them që bashkëpunimi vazhdon në kuadër të qeverisë. Hiç më larg se dje kishim seancë të qeverisë ku nuk u ngrit as edhe një shqetësim. Pra, vazhdojmë të bëjmë punën tonë, sikur nuk ka ndodhur asgjë dhe besoj që i keni parë raportimet në media se gjatë ditëve në vijim do të ketë konsultime kryeministri, veç e veç me partitë, me koalicionin VLEN, Aleancën për Shqiptarët, partnerët e koalicionit ZNAM. Për momentin nuk ka ndryshuar asgjë, deri në konsultimet që pritet të ndodhin ditëve në vijim”, tha Fetai.

Kujtojmë se dje kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, por edhe sot kreu i Lëvizjes Demokratike Izet Mexhiti, të cilët janë pjesë e koalicionit VLEN, ia bënë me dije fraksionit të Arben Taravarit, se nuk mund të jenë në qeveri e në anën tjetër të jenë të ndarë nga VLEN dhe të bashkëpunojnë me parti opozitare, si BDI.

“Çdokush që bashkëpunon me BDI dhe Ali Ahmetin, të cilin e kemi akuzuar dhe vazhdojmë të akuzojmë për korrupsion, krim dhe keqpërdorim 20 vjeçar të pozitave publike nuk është e mundur të jetë pjesë e qeverisë”, tha Kasami.

“Mendoj për këtë do të kërkoni mendim nga z.Mickoski. Unë flas në emër të VLEN-it. VLEN-i është i qartë, edhe me VLEN-in edhe me BDI-në nuk mundet. Edhe me BDI-në edhe në qeveri, mendoj që nuk shkon”, theksoi Mexhiti.

Kujtojmë se, koalicioni VLEN, partneri shqiptar i VMRO-DPMNE-së në qeverinë aktuale nuk po i jeton ditët më të mira të qeverisjes. Arben Taravari dhe fraksioni i tij kanë vendosur që në zgjedhjet lokale, që janë të planifikuara për në muajin tetor, të shkoj ndaras nga koalicioni VLEN, me çka e vuri në pikëpyetje edhe prezencën e tij në qeveri. VLEN janë decid se Arben Taravari është vetëpërjashtuar nga koalicioni, dhe se koalicioni ditëve në vijim do të konsolidohet edhe më fortë dhe do të shndërrohet në një parti politike.

Brenda javës, pritet që koalicioni VLEN të takohet me kryeministrin Hristijan Mickoski ku në rend dite do të kenë pikërisht çështjen që e paralajmëroi Kasami: prezencën e Arben Taravarit, ministrit aktual të Shëndetësisë, në qeveri.