Fetai i mban “top sekret” emrat e ekspertëve që punojnë në Ligjin për Përfaqësim të Drejtë, nuk përfillet as alarmi i Avokatit të Popullit

Edhe përkundër rëndësisë së madhe të miratimit të Ligjit për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat në Maqedoninë e Veriut, ende në opinion nuk ka asnjë propozim ligj për të cilin mund të diskutohet publikisht. Madje, emrat e ekspertëve që punojnë në këtë ligji e që Portalb.mk ka muaj që po i kërkon, mbahen “top sekret” […]

Prill 23, 2025 - 14:00
 0  6
Fetai i mban “top sekret” emrat e ekspertëve që punojnë në Ligjin për Përfaqësim të Drejtë, nuk përfillet as alarmi i Avokatit të Popullit
Arben Fetai, zëvendëskryeministër për politika të qeverisjes së mirë. Foto: Printscreeen nga kanali në Youtube i Qeverisë së RMV-së

Edhe përkundër rëndësisë së madhe të miratimit të Ligjit për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat në Maqedoninë e Veriut, ende në opinion nuk ka asnjë propozim ligj për të cilin mund të diskutohet publikisht. Madje, emrat e ekspertëve që punojnë në këtë ligji e që Portalb.mk ka muaj që po i kërkon, mbahen “top sekret” sikurse të punojnë në përpilimin e strategjisë së luftës ndër-shtetërore. Zgjidhja ligjore e cila duhet të zëvendësojë mekanizmin e “Balancuesit” që u shfuqizua nga Gjykata Kushtetuese derisa t’i kalojë të gjithë fazat, mund të vonojë edhe më shumë se një vit. Dy zëvendëskryeministrat shqiptarë në qeveri, Arben Fetai dhe Izet Mexhiti janë bartës të këtij procesit dhe sipas tyre, ka disa muaj që ligji është në “fazën finale”, shkruan Portalb.mk.

“Nuk është zgjidhje e lehtë, kërkon një qasje gjithëpërfshirëse, në mënyrë që mos të ketë improvizime. Jemi në fazën finale, të konsultimeve të grupeve punuese. Afat përfundimtar nuk mund të vendojmë në këtë drejtim. Duhet të gjindet zgjidhje e qëndrueshme. Kemi diskutime në baza ditore, në kuadër të ekipit që është duke e përgatitur dhe finalizuar këtë projekt ligj. Unë këtë javë do kem takim, uroj, të fundit në nivel të grupit të ekspertëve dhe pastaj do dalim bashkë me kryeministrin Mickoski do e promovojmë, do e paraqesim para opinionit”, u përgjigj në pyetjen gazetareske të Portalb.mk, zëvendëskryeministri Arben Fetai.

insistimin e redaksisë tonë për shqiptimin e emrave të ekspertëve të kyçur në procesin e përpilimit të këtij ligj që ka disa muaj që i kërkojmë nga Fetai, ai tha se nuk është grup pune i emëruar zyrtarisht.

“Ky nuk është grup punues i emëruar zyrtarisht nga ana e qeverisë, kemi mbledhur profesorë dhe njerëz të politikës. Unë dhe Izet Mexhiti jemi bartës të këtij procesi, politikisht. Dhe, ka një grup profesorësh nga partitë e koalicionit, si dhe ekspertë të profesionit që kanë përvojën dhe njohurinë për të gjetur zgjidhjen më të mirë të mundshëm”.

Zëvendëskryeministri Fetai u shpreh i lumtur për përmbajtjen e deritanishme të projekt ligjit. Sipas tij, duhet të hekurosen edhe dy tre çështje që të jetë gati që ta parasqesin para opinionit, sa më shpejtë që munden.

Ndërkohë, derisa ende nuk kemi mekanizëm për mbrojtjen e përfaqësimit të shqiptarëve në institucione, punësimet bëhen pa kriter balancues etnik. Heqja e balancuesit ka krijuar një vakum ligjor, këtë para pak ditësh e konfirmoi edhe Naser Ziberi, Avokati i Popullit, duke i bërë apel qeverisë që të dorëzojë urgjentisht ndryshimet ligjore në parlament.

“Informacionet tona flasin se ka devijime nga ky përcaktim, ku nuk respektohet kjo e drejtë dhe prandaj apeloj deri tek Qeveria, deri tek parlamenti që sa më shpejtë të tejkalohet kjo shprastirë juridike të sillet ligji aq i proklamuar për përfaqësim të drejtë dhe adekuat dhe me këtë të pamundësohet procesi i deformimit të implemetimit të përcaktimit kushtetues për përfaqësim të drejtë dhe adekuat. Informacionet vijnë nga gati të gjitha organet shtetërore, duke filluar nga ministritë, drejtoritë etj”, tha Ziberi.

Partneri shqiptar në koalicionin qeverisës, VLEN që nga ardhja në pushtet siguron se po punohet në ligj që do jetë më i mirë se “Balancuesi”, kurse kryeministri Hristijan Mickoski më 1 mars 2025 tha se ka gjasa që derisa t’i kalojë të gjitha ligji të vonojë edhe më shumë se një vit.

Gjykata Kushtetuese e RMV-së më 9 tetor 2024 me shumicë votash vendosi për shfuqizimin e instrumentit “Balancues”, i cili deri tani ka rregulluar përfaqësimin e drejtë të komuniteteve në administratën shtetërore. Pas këtij vendimi, për punësimet në administratën publike nuk po mbahet llogari për përkatësinë etnike.

Lënda për shfuqizimin e tij u hap pas një iniciative të dorëzuar nga përbërja e vjetër e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) më 11 janar 2024, sepse, sipas tyre, me të bëhen abuzime gjatë punësimit.