Gjuetia pa leje në gjyqësorin e RMV-së: Qëllo, pastaj paguaj
Po të mos kishte qenë fotografia e zëvendësdrejtorit të “Rrugëve të Maqedonisë”, Sasho Drango, ku ai pozon me armë pranë një ariu të vrarë, ndoshta nuk do të diskutohej publikisht tema e gjuetisë së paligjshme, shkruan Prizma, transmeton Portalb.mk. Gjithçka filloi nga një foto të cilën Anima Mundi e publikoi në Facebook. Pastaj vijuan reagimet […]
Po të mos kishte qenë fotografia e zëvendësdrejtorit të “Rrugëve të Maqedonisë”, Sasho Drango, ku ai pozon me armë pranë një ariu të vrarë, ndoshta nuk do të diskutohej publikisht tema e gjuetisë së paligjshme, shkruan Prizma, transmeton Portalb.mk.
Gjithçka filloi nga një foto të cilën Anima Mundi e publikoi në Facebook. Pastaj vijuan reagimet në rrjetet sociale për ariun e vrarë dhe zyrtarin e ulur pranë tij si përballë një trofeu. Në Prokurorinë e Manastirit pas zërit të arritur menjëherë hapën lëndë dhe po hetojnë nëse Drango e ka gjuajtur ilegalisht gjahun, që sipas Ligjit për Gjahun dhe Gjuetinë është e ndaluar përgjithmonë.
Në ndërkohë në buletinin policor u gjend informacioni për arrestimin e katër personave në afërsi të Gjevgjelisë për gjueti të paligjshme dhe tregti të paligjshme me armë.
Për të pare nëse dhe sa dënohen autorët e gjuetisë së paligjshme në vendin tonë, BIRN i analizoi dënimet për gjueti të paligjshme në pesë vitet e fundit. Analiza nxorri në pah se gjatë kësaj periudhe janë shqiptuar rreth pesëdhjetë dënime. Dënimet janë dënime me kusht ose gjoba me para.
Dënime me kusht
Të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikës tregojnë se për gjueti të paligjshme nuk janë shqiptuar shumë dënime. Për pesë vjet, konkretisht nga viti 2019 deri në vitin 2023, për gjueti të paligjshme janë akuzuar 42 persona.
Dënimet janë shqiptuar vetëm në 18 raste. Kjo do të thotë se çdo vit tre deri në katër autorë kanë mbajtur përgjegjësi para ligjit për gjueti të paligjshme.
Në vitin 2021 dhe 2022 nuk ka pasur asnjë dënim për gjueti të paligjshme.
“Kanë gjuajtur dhe kanë vranë një derr të egër prej 60 kilogramësh”, thuhet në aktgjykimin që gjykatësi nga Dibra, Oruç Abazovski, ua ka shqiptuar tre të pandehurve, banorë të Qendrës Zhupa.
Tre të pandehurit fajësohen se kanë bërë gjueti të paligjshme në kohën kur gjuetia ka qenë e ndaluar. Banorët e Dibrës janë dënuar me kusht për një afat prej tre muajsh, dënim ky i cili nuk do të zbatohet nëse brenda një viti nuk kryejnë një vepër penale të re. Të dënuarit kanë paguar si dënim edhe nga 2.000 denarë për shpenzime gjyqësore. Gjykata ua ka konfiskuar gjahun e zënë, pushkën e gjuetisë dhe municionin.
Me tre muaj burg me kusht për gjueti të paligjshme është dënuar edhe një pensionist nga Berova.
“…Ilegalisht, pa leje për pushkën dhe pa leje për gjueti”, “ka gjuajtur gjah në vend gjuetie të ndaluar pa koncesion për gjuajtje të gjahut, me ç’rast rreth orës 07:45 është kapur nga një patrullë e Ministrisë së Punëve të Brendshme në Berovë”, thuhet në aktgjykim.
Dënimet për gjueti të paligjshme varen nga ajo nëse gjuetia e gjahut bëhet gjatë sezonit kur gjuetia është e ndaluar, kur dënimet janë në formë të gjobave ose burg deri në gjashtë muaj.
Nëse gjuhet pa leje në një vendgjueti të ndaluar, ose nëse vritet, plagoset ose kapet gjahu i gjallë, është paraparë gjobë ose dënim me burg deri në një vit.
Dënimet janë më të larta kur gjuhen kafshë të rralla ose kafshë numri i të cilave është zvogëluar.
Ligji për Gjahun dhe Gjuetinë, ndër të tjera, e ndalon përgjithmonë gjuetinë e nëntëdhjetë llojeve të kafshëve, duke përfshirë këtu arinjtë, rrëqebullin, ketrat, disa lloje të bufave, lejlekët…
Për këtë është paraparë gjobë ose dënim me burg deri në tre vjet. Por edhe atëherë kur ka dënime më të larta dhe kur ka lëndë për gjuajtjen e specieve të ndaluara, gjykatat shqiptojnë dënime me kusht.
Kështu, në një nga aktgjykimet e vitit 2019, e cila i referohet gjuetisë së paligjshme të gjahut të mbrojtur, shkruhet se tre të pandehur kanë gjuajtur në mënyrë të paligjshme në një vendgjueti të ndaluar dhe pa leje, “qëlluan dhe vranë kafshë të rrallë dhe numri i të cilës është zvogëluar – tre dhi të egra – një dhi të egër me dy keca, me çka i kanë shkaktuar dëm koncesionarit, Shoqatën e Gjuetarëve Tikveshija nga Kavadari”, thuhet në aktgjykim.
Për këtë të pandehurit janë dënuar me dënim me katër muaj burg me kusht.
Përveç dënimeve me kusht që janë më të shpeshtat, gjykatat kanë shqiptuar edhe gjoba për gjuajtjen e kafshëve gjatë sezonit kur gjuetia është e ndaluar ose për gjueti pa leje.
Një qytetar i Tetovës në vitin 2022 është akuzuar sepse edhe pse e ka ditur se nga muaji shkurt deri në muajin shtator kishte ndalesë për gjueti, ka gjuajtur gjahun në kundërshtim me Ligjin për Gjahun dhe Gjuetinë. Rojtari nga Shoqata e gjuetisë “Mali Sharr” e ka zënë të pandehurin duke e tërhequr zvarrë një derr të egër të vrarë dhe e ka paraqitur atë. Gjykatësi e ka vërtetuar fajin dhe e ka dënuar me gjobë prej 300 eurosh.
Në vitin 2022 dy banorë të Koçanit janë dënuar me 150 euro gjobë për gjueti të paligjshme. Të pandehurit e kanë pranuar fajin.
Në mesin e aktgjykimeve është edhe një për katër banorë të Gostivarit, të cilët në vitin 2019 janë dënuar për gjueti të paligjshme dhe u është dashur të paguajnë gjobë prej 400 eurosh për shkak se kanë gjuajtur pa leje në një vend ku gjuetia ka qenë e ndaluar dhe nuk kanë pasur leje për gjueti të lëshuar nga koncesionari.
Vetëm dy inspektorë për gjueti në të gjithë vendin
“Është dëshpërues fakti që akte të tilla shpesh kanë të bëjnë me llojet që janë të mbrojtura me dy ligje, Ligji për Mbrojtjen e Natyrës dhe Ligji për Gjahun dhe Gjuetinë,” thotë Aleksandar Pavllov, biolog nga Shoqata e Ekologëve të Maqedonase (ShEM).
Pavllov thekson se krahasuar me numrin e kallëzimeve dhe akuzave të ngritura numri i rasteve që përfundojnë me aktgjykim është i vogël.
“Unë besoj se kultura e mosndëshkimit do të vazhdojë derisa të vihet një theks më i madh tek ky lloj krimi dhe këto vepra të fitojnë një peshë më të madhe nga institucionet. E në ndërkohë duhet të krijohet një praktikë e bashkëpunimit të ndërsjellë dhe veprimit të koordinuar ndërinstitucional”.
Pavllov thotë se për ta bërë këtë, nevojitet një trajnim për krimet kundër kafshëve të egra për autoritetet gjyqësore, shërbimet e inspektimit, por edhe për gjuetarët dhe rojtarët.
Se shteti këtë lloj krimi po e lufton me dembelizëm dhe spontanitet dëshmojnë edhe të dhënat nga raporti i Inspektoratit Shtetëror për Pylltari dhe Gjueti nga viti 2024, ku thuhet se në Maqedoni ka vetëm dy inspektorë aktivë për gjuetinë.
“Ne nuk mund të presim një luftë të suksesshme kundër gjuetisë të paligjshme me një numër kaq të vogël të inspektorëve. Shpresat i kemi tek themelimi i një njësie të veçantë për luftimin e krimit ekologjik në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Kemi sinjale pozitive se një gjë e tillë do të realizohet,” thotë Pavllov.
- LEXO: Mickoski paralajmëroi shkarkimin e zëvendësdrejtorit të “Rrugëve të Maqedonisë” nëse konstatohet se ka vrarë ari
- LEXO: Anima Mundi: Zëvendësdrejtori i “Rrugëve të Maqedonisë” vrau një ari të mbrojtur me ligj, kërkojmë shkarkimin dhe dënimin e tij
Ndryshe, asnjë institucion në Maqedoninë e Veriut nuk ka të dhëna të sakta se sa vepra penale kryhen ndaj kafshëve të egra. Nuk dihet numri i kafshëve të kapura, të vrara, të torturuara apo të helmuara ilegalisht, nuk dihet as edhe nëse janë hetuar këto raste, a janë ngritur akuza dhe as nëse është shqiptuar ndonjë dënim dhe i çfarë lloji. Nuk ka të dhëna nëse ndonjë person ka kapur apo vrarë një rrëqebull ballkanik apo ka helmuar zogj, nëse ka mbajtur përgjegjësi për këtë dhe as se sa kafshë të egra janë viktima të kurtheve të ngritura ilegalisht në male.