Gjuha dhe kujtimet e hidhura
Në këto ditë dimri, kur ndotja e ajrit e rrezikon shëndetin e njerëzve, në Maqedoninë e Veriut rikthehet edhe një valë tensionesh ndërpartiake dhe ndëretnike. Kohëve të fundit po përmendet shpesh edhe fjala e frikshme “destabilizim”, veçanërisht pasi Gjykata Kushtetuese paralajmëroi se do ta “shqyrtonte” Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve, një ligj ku gjuha shqipe […]
Në këto ditë dimri, kur ndotja e ajrit e rrezikon shëndetin e njerëzve, në Maqedoninë e Veriut rikthehet edhe një valë tensionesh ndërpartiake dhe ndëretnike.
Kohëve të fundit po përmendet shpesh edhe fjala e frikshme “destabilizim”, veçanërisht pasi Gjykata Kushtetuese paralajmëroi se do ta “shqyrtonte” Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve, një ligj ku gjuha shqipe nuk e ka statusin e duhur, pavarësisht nga komentimet kontradiktore për qëllime të ndryshme politike. Madje, në të ardhmen, do të duhej të hiqej formulimi “gjuha që e flasin së paku 20 përqind e qytetarëve”.
Përdorimi i gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut nuk e rrezikon askënd. Të kundërtën e mendojnë vetëm albanofobët e papërmirësueshëm. Pa një respekt ndaj gjuhës shqipe, as nuk mund të flitet për “patriotizëm kushtetues”.
Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut kanë përvojë të hidhur me vendimet e gjykatave kushtetuese.
Pas ndryshimeve kushtetuese në ish – Republikën Socialiste të Maqedonisë u kufizua përdorimi i barabartë i gjuhës shqipe në jetën publike e zyrtare. Kundër ndryshimeve reaguan akademikët e Kosovës. Më 1988 ata kërkuan nga Gjykata Kushtetuese e Jugosllavisë që ta korrigjonte padrejtësinë, por ankesa e tyre u refuzua.
Autoritetet shtetërore shprehën arrogancë ndaj kërkesave të shqiptarëve edhe pas pavarësimit të Maqedonisë. Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë më 1997 e shpalli si kundërkushtetues përdorimin e flamurit kombëtar. Vendimi nxiti protesta paqësore, por policia e përdori dhunën. Ajo vrau katër civilë dhe plagosi shumë shqiptarë në Gostivar. Më pas u dënuan me burg krerët e komunave të Gostivarit dhe të Tetovës.
Aktualisht ka reagime edhe kundër “shqyrtimit” të ligjit të sipërpërmendur. Kjo atmosferë është pasojë edhe e azdisjes së tepruar të disa elitave albanofobe. Politikanë të programuar, por edhe të papërgjegjshëm, veprojnë për motive të dyshimta ose për motive populiste, pa u merakosur për pasojat.
Shfuqizimi i një të drejte të fituar shkakton pasoja të rrezikshme. E ndaluara adhurohet më shumë.
“Shqyrtimi” i një ligji, pas ankesës së partive dhe individëve të njohur për albanofobinë e tyre, na rikthen në kohën e regjimit komunist, kur çmenduria shkoi aq larg sa u ndryshuan edhe toponimet.
Me këtë problematikë serioze, veçanërisht në shoqëritë shumetnike, bëhet edhe politikë ditore. Në këtë situatë, që nuk është komike, as spektakolare, por delikate, duhet maturi me deklaratat dhe veprimet politike, sepse mjafton hapja e kutisë së Pandorës dhe sakaq fluturojnë të gjitha ligësitë.
Të shpresojmë se do të merren vendime me mendje të kthjellët dhe nuk do të cenohen raportet ndëretnike për interesa politike. Vetëm kështu e kaluara e zymtë mund të mbetet si kujtim i hidhur, por edhe të bëhet mësim për t’i pranuar vlerat themelore europiane. Një nga këto vlera është respektimi i diversitetit etnik, kulturor, gjuhësor, religjioz…
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.