Gjykata Kushtetuese e RMV-së do të vlerësojë kushtetutshmërinë e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor për listat e kandidatëve të pavarur

Gjykata Kushtetuese, me shumicë votash, mori vendim dhe nisi procedurë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së neneve 17 dhe 18 të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, të cilat ngritën pragun për mbledhjen e nënshkrimeve për kandidatët e pavarur dhe listat që planifikojnë të marrin pjesë në zgjedhje. Ndryshime të tilla janë votuar më 7 mars 2024 dhe […]

shkurt 27, 2025 - 14:00
 0  3
Gjykata Kushtetuese e RMV-së do të vlerësojë kushtetutshmërinë e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor për listat e kandidatëve të pavarur
Zgjedhje në Maqedoni, foto nga Fisnik Xhelili, Portalb.mk

Gjykata Kushtetuese, me shumicë votash, mori vendim dhe nisi procedurë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së neneve 17 dhe 18 të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, të cilat ngritën pragun për mbledhjen e nënshkrimeve për kandidatët e pavarur dhe listat që planifikojnë të marrin pjesë në zgjedhje. Ndryshime të tilla janë votuar më 7 mars 2024 dhe duhet të vlejnë për zgjedhjet lokale që do të mbahen në tetor të këtij viti, transmeton Portalb.mk.

Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski, tha se gjykata ka dyshime për kushtetutshmërinë e këtyre amendamenteve, sepse me të janë cenuar vlerat themelore si sundimi i ligjit dhe pluralizmi politik, si dhe parimi i barazisë së qytetarëve.

“Ndryshimet në regjistrim, të bëra në një procedurë jo transparente, cenojnë sigurinë juridike dhe parashikueshmërinë, të cilat janë parime themelore për shtetin e së drejtës. Mungesa e debatit publik dhe ekspertësh komprometon më tej ndryshimet, të cilat janë në kundërshtim me standardet ndërkombëtare. Sipas këtyre standardeve, nuk është e këshillueshme të bëhen ndryshime thelbësore së paku një vit para zgjedhjeve”, tha Kostadinovski.

Sipas tij, ligjvënësi me këto ndryshime kufizoi të drejtat e qytetarëve për të kandiduar për poste publike.

Dispozitat ligjore të vendosura nga Gjykata Kushtetuese dje (26 shkurt) nënkuptonin që kandidatët dhe listat e pavarura, për të qenë në fletëvotim, duhej të mblidhnin nënshkrime nga një përqind e numrit të përgjithshëm të zgjedhësve të regjistruar në njësinë zgjedhore specifike (nëse bëhej fjalë për zgjedhje parlamentare) ose komuna (nëse bëhej fjalë për zgjedhje lokale).

Përveç mundësimit të zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare, të cilat u mbajtën vitin e kaluar, që të votohen me dokumente personale, vlefshmëria e të cilave kishte skaduar deri në nëntë muaj para ditës së zgjedhjeve, një pjesë e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor (KZ) që u miratuan më 7 mars me shumicë të gjerë në Kuvend, parashikonin edhe ndryshime që ndikojnë në pjesëmarrjen e mundshme të kandidatëve të pavarur në proceset e ardhshme zgjedhore.

Nga këto ndryshime preken listat e pavarura të kandidatëve për deputetë dhe këshilltarë, si dhe kandidatët e pavarur për kryetarë komune, hyrja e të cilëve në garën për zgjedhjen e postit të caktuar përcaktohet nga një kuotë e caktuar e nënshkrimeve të qytetarëve që duhet të sigurojnë.

Nëse deri më tani për të hyrë në garën për zgjedhjen e deputetëve u nevojiteshin të paktën 1000 nënshkrime të qytetarëve pavarësisht numrit të votuesve të regjistruar në njësinë zgjedhore ku garojnë, tani numri i nënshkrimeve që duhet të mbledhin listat e kandidatëve të pavarur do të përcaktohet nga numri i përgjithshëm i votuesve të regjistruar në zonën zgjedhore. Sa më i madh të jetë numri i zgjedhësve të regjistruar në njësinë zgjedhore ku ata garojnë, aq më i madh do të jetë numri i nënshkrimeve të qytetarëve që listat e pavarura duhet të japin për të hyrë në garën për zgjedhjen e deputetëve.

Përveç listave të pavarura për deputetë, ndryshimet në Kodin Zgjedhor kanë implikime edhe për kuotën e nënshkrimeve të nevojshme për pjesëmarrjen e kandidatëve të pavarur për këshilltarë dhe kryetarë komune në zgjedhjet lokale. Sipas dispozitave të mëparshme të KZ-së, kandidatëve të pavarur për kryetarë komunash dhe këshilltarësh u kërkohej të mblidhnin nga 100 deri në 1000 nënshkrime në varësi të numrit të përgjithshëm të banorëve në komunën në të cilën ata konkurrojnë.

Me ndryshimet e reja të miratuara në Kodin zgjedhor, megjithatë, kandidatët e pavarur për këshilltarë apo kryetarë komunash duhet të mbledhin së paku një për qind të nënshkrimeve nga numri i përgjithshëm i votuesve të regjistruar nga lista zgjedhore për komunën, përkatësisht për qytetin e Shkupit.

Nëse e marrim për simulim numrin e votuesve të regjistruar në qytetin e Shkupit në zgjedhjet lokale të vitit 2021 (467.373), kjo do të thotë se kandidatët e pavarur për këshilltarë apo kryetarë komunash në kryeqytet duhet të mbledhin së paku 4.673 nënshkrime të qytetarëve, në vend të 1.000 sa ishin para ndryshimeve, për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale.