Hungaria në rolin e një paravani për Kinën për kredinë prej 500 milionë eurosh për Maqedoninë e Veriut, shkruan media hungareze
Hungaria është në rolin e një paravani për Kinën për kredinë prej 500 milionë eurosh për Maqedoninë e Veriut, shkruan në artikullin e tij të fundit Szabolcs Panyi, gazetari kryesor investigativ dhe redaktor i portalit investigativ “VSquare” me seli në Budapest, e në fokus të të cilit, ndër të tjera, është ndikimi rus dhe ai […]
Hungaria është në rolin e një paravani për Kinën për kredinë prej 500 milionë eurosh për Maqedoninë e Veriut, shkruan në artikullin e tij të fundit Szabolcs Panyi, gazetari kryesor investigativ dhe redaktor i portalit investigativ “VSquare” me seli në Budapest, e në fokus të të cilit, ndër të tjera, është ndikimi rus dhe ai kinez, raporton 360Shkallë, përcjell Portalb.mk.
Media ngre pyetje në lidhje me kredinë prej 500 milionë eurosh të dakorduar në korrik të këtij viti nga kryeministri hungarez, Viktor Orban, dhe ai i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, të cilët kanë një marrëdhënie të ngushtë.
Më konkretisht si dilemë imponohet vendimi i Budapestit zyrtar për një kredi prej gjysmë miliard eurosh për Maqedoninë e Veriut, në një kohë kur qeveria e Orbanit është duke u përballur me sfida serioze financiare.
Në artikull përmendet në mënyrë konkrete kredia prej një miliardë eurosh që këtë pranverë Budapesti zyrtar e mori nga tre banka kineze – informacion ky që nuk u bë publik nga qeveria hungareze – por që u gjet më vonë në uebfaqen e agjencisë qeveritare hungareze për borxhin publik.
Siç shkruan “VSquare”, ajo që e bën historinë edhe më misterioze është se, sipas një burimi afarist ndërkombëtar, Hungaria fillimisht ka shpresuar se do të siguronte një hua shumë më të madhe gjatë vizitës së presidentit kinez Xi Jinping në Budapest si një zëvendësim për fondet e ngrira të BE-së në vend.
Në këtë kontekst, gazetari investigativ Panyi shkruan se sipas disa burimeve diplomatike dy kreditë janë të lidhura, gjë që tregon se, siç thotë ai, Hungaria po përdor fondet kineze për të mbështetur Maqedoninë e Veriut dhe në fakt po vepron si ndërmjetës për Kinën.
Kjo media përkujton se kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, një ditë pas fitores në zgjedhjet parlamentare nga partia e tij amë VMRO-DPMNE, gjegjësisht më 9 maj, njoftoi për një “paketë financiare për bashkëpunimin qeveri me qeveri në vlerë prej një miliard euro”, aq sa në fakt ishte edhe kredia nga Kina për Hungarinë.
“Sipas një burimi ekspert nga Maqedonia e Veriut, Hristijan Mickoski, lideri i VMRO-DPMNE-së, në ditën që zgjodh si kryeministër kur njoftoi për një kredi prej një miliard eurosh për projekte strategjike, ai menjëherë mohoi se ajo do të vinte nga Rusia apo Kina, duke thënë se do të sigurohej nga një vend evropian . Mirëpo, ky burim shumë shpejt ka dëgjuar informacione të pakonfirmuara se paratë në të vërtetë do jenë kineze, por që do të transferohen përmes Serbisë apo Hungarisë”, shkruan portali “VSquare”.
Më pas Mickoski deklaroi se si fillim do të mjaftonte një kredi prej 500 milionë eurosh.
Në një intervistë për televizionin Telma të dhënë në muajin korrik të këtij viti, në pyetjen se ku i ka marrë paratë kryeministri hungarez Viktor Orban për t’i dhënë kredi Maqedonisë, kryeministri Mickoski u përgjigj:
“Kjo është njësoj sikur ju tani në këtë gotë të shtini ujë nga dy shishe dhe të thoni se deri te gjysma është nga shishja e majtë, nga gjysma e lart është nga shishja e djathtë – kjo është e pamundur. Huaja është nga qeveria për qeverinë. A i sigurojnë ata paratë në tregun e hapur apo nga burimet e tyre? Nuk e di nga i ka marrë paratë Hungaria. Mua më intereson marrëveshja jonë dhe kjo do të jetë pjesë e një ligji që duhet të kalojë në seancën e qeverisë dhe në Kuvend, i cili nuk do të kontrabandohet me flamuj evropianë. Kemi kursyer mbi 100 milionë euro dhe në vend që të themi “hallall i qoftë”, ne themi “nga i ka marrë paratë?”
Përndryshe, propozim-ligji për huamarrjen e vendit prej 500 milionë eurosh nga Banka hungareze Eksport-Import për momentin është në procedurë parlamentare. Qeveria, si propozues i tij, kërkoi që ai të miratohet me procedurë të shkurtuar.
LSDM-ja opozitare dje kërkoi që qeveria ta tërheqë atë dhe në vend se me procedurë të shkurtuar ta dorëzojë propozim-ligjin në procedurë të rregullt për të siguruar një debat të gjerë publik me ekspertë, ndërsa ligji t’i kalojë të gjitha filtrat.
Ndryshe, projektligji për huamarrjen prej 500 milionë eurosh të vendit nga Banka Hungareze e Eksport-Importit kaloi filtrin në Komisionin parlamentar për Financa dhe Buxhet. Pas seancës së sotme të Komisionit, ligji i propozuar do të kalojë për procedurë të mëtejshme në Kuvend.
Kryeministri Hristijan Mickoski në fushatën parazgjedhore kishte premtuar marrjen e borxhit prej një vendi të huaj, duke e mbajtur të fshehur se për cilin shtet bëhet fjalë. Ai kishte paralajmëruar nismën e re për zhvillimin e komunave në vend duke siguruar 250 milionë euro.
- LEXO: RMV, projektligji për kredinë nga Hungaria kaloi filtrin e komisionit parlamentar
- LEXO: LSDM i kërkoi VMRO-së ta tërheqë ligjin për kredinë hungareze dhe ta miratojë sipas procedurës së rregullt
- LEXO: Me 58 vota “për”, Kuvendi i Maqedonisë së Veriut e miratoi rendin e ditës, në të huamarrja prej 500 milionë eurove nga Hungaria