Incidentet e ditëve të fundit, bashkësitë fetare në RMV nënshkruan deklaratë për tolerancë dhe bashkëjetesë

Pas ngjarjeve të ditëve të fundit, të cilat çojnë në përplasje dhe urrejtje ndëretnike, sot, 02.12.20024, të gjithë krerët e bashkësive fetare në Republikën e Maqedonisë së Veriut u mblodhën në selinë e KOM dhe dolën me qëndrim të përbashkët ku edhe nënshkruan kumtesën në të cilën bëjnë thirrje për tolerancë dhe bashkëjetesë, transmeton Portalb.mk. […]

dhjetor 2, 2024 - 14:00
 0  5
Incidentet e ditëve të fundit, bashkësitë fetare në RMV nënshkruan deklaratë për tolerancë dhe bashkëjetesë
Bashkësitë fetare në RMV nënshkruan deklaratë për tolerancë dhe bashkëjetesë

Pas ngjarjeve të ditëve të fundit, të cilat çojnë në përplasje dhe urrejtje ndëretnike, sot, 02.12.20024, të gjithë krerët e bashkësive fetare në Republikën e Maqedonisë së Veriut u mblodhën në selinë e KOM dhe dolën me qëndrim të përbashkët ku edhe nënshkruan kumtesën në të cilën bëjnë thirrje për tolerancë dhe bashkëjetesë, transmeton Portalb.mk.

Kumtesën e nënshkruan Arhepiskopi i Ohrit dhe Maqedonisë z. Stefani, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, Biskupi i Shkupit dhe Eparku i Strumicës – Shkupit Kiro Stojanov, Superintendent i Kishës Evangeliste metodiste Marjan Dimov dhe Kryetari i Bashkësisë Hebraike Pepo Levi, njoftuan nga BFI.

Në këtë kumtesë thuhet: “Të jetosh në një shoqëri multikulturore është bekim i madh. Takimi me kultura të ndryshme sjell mundësi për fisnikërimin e shpirtit të njeriut dhe rrit kreativitetin e gjithë shoqërisë. Zoti na ka dhënë të jetojmë në një shtet të përbashkët. Prandaj, ne, krerët e Kishës Ortodokse Maqedonase- Arkipeshkia e Ohrit, Bashkësisë Fetare Islame, Kishës Katolike, Kishës Evangjeliste Metodike dhe Bashkësisë Hebraike, u bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve të Maqedonisë së Veriut që të mos bien pre e përpjekjeve të caktuara për të prishur bashkëjetesën, por të gjithë së bashku të mbështesim njëri tjetrin, ta thellojmë solidaritetin dhe ta ruajmë respektin ndaj njëri tjetrit, ndaj simboleve të atdheut tonë dhe simbolet e gjitha komuniteteve në këtë vend”.

Kujtojmë se ditëve të fundit në Maqedoninë e Veriut ndodhin ngjarje të cilat çojnë në përplasje dhe nxitje të urrejtjes ndëretnike.

Me rastin e ditës 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit, u arrestuan tetë persona, tre prej të cilëve përfunduan në paraburgim 8 ditor, për shkak të grisjes së flamurit të Maqedonisë së Veriut dhe përfshirjes në rrahje.

Mbrëmë në Kumanovë janë djegur disa vetura, një objekt afarist dhe një fasadë shtëpie, të cilat raportohet se u përkasin qytetarëve shqiptar.

Gjithashtu, reagime ka nxitur nisma e ministres së Arsimit Vesna Janeva për hetim nga Inspektorat i Arsimit në shkollën fillore “7 Marsi” në fshatin Çellopek të Tetovës, ku gjatë performancës nxënësit mbanin armë plastike dhe ishin të veshur me uniforma të UÇK-së. Veprimi i Janevës është konsideruar si ksenofobik nga partitë opozitare shqiptare në vend.