“S’ka asgjë më logjike se Bullgaria dhe RMV-ja të bashkohen në një shtet”, deklarata që nxiti tensione të reja mes dy vendeve

Kreu i partisë së ekstremit të djathtë bullgar Prerodba, Kostadin Kostadinov, përmes një postimi në Facebook ka thënë se nuk ka asgjë më logjike se bashkimi i Maqedonisë në Bullgari, duke qenë se siç thotë ai, nuk ka asgjë më logjike se dy vende me histori të përbashkët, origjinë të përbashkët, gjuhë dhe njerëz të […]

Jan 9, 2025 - 19:00
 0  3
“S’ka asgjë më logjike se Bullgaria dhe RMV-ja të bashkohen në një shtet”, deklarata që nxiti tensione të reja mes dy vendeve
Flamuri i Maqedonise dhe ai i Bullgarisë. Foto: Qeveria e RMV-së

Kreu i partisë së ekstremit të djathtë bullgar Prerodba, Kostadin Kostadinov, përmes një postimi në Facebook ka thënë se nuk ka asgjë më logjike se bashkimi i Maqedonisë në Bullgari, duke qenë se siç thotë ai, nuk ka asgjë më logjike se dy vende me histori të përbashkët, origjinë të përbashkët, gjuhë dhe njerëz të përbashkët, si Bullgaria dhe Maqedonia, të bashkohen dhe të bëhen një shtet. Kjo ka ngjallur reagimet e partive dhe institucioneve në Maqedoninë e Veriut, transmeton Portalb.mk.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme e Maqedonisë së Veriut dënon ashpër deklaratën e Kostadinovit dhe deputetit aktual në Kuvendin Popullor të Bullgarisë, “me të cilën ai shpreh pretendime të qarta territoriale ndaj vendit tonë”.

“Deklarata të tilla dashakeqe të zyrtarëve të skenës politike bullgare janë sulm i drejtpërdrejtë ndaj sovranitetit, integritetit dhe pavarësisë së vendit tonë dhe në të njëjtën kohë janë në kundërshtim të drejtpërdrejtë me rregullat dhe parimet e së drejtës ndërkombëtare, mosndërhyrjen e shteteve në punët e tyre të brendshme dhe politika e ndërtimit të marrëdhënieve të mira fqinjësore. Një deklaratë e tillë e papërshtatshme e Kostadinovit, presim që Sofja zyrtare ta hedhë poshtë si e papërshtatshme me frymën dhe kohën në të cilën jetojmë, me standardet evropiane që ne i respektojmë fuqimisht dhe në kundërshtim me përpjekjet tona për të garantuar paqe të qëndrueshme, siguri dhe prosperitet në Evropë dhe më gjerë”, thonë nga MPJTJ.

Edhe deputeti dhe lideri i LSDM-së, Venko Filipçe, ka kërkuar që Sofja zyrtare të reagojë dhe të distancohet qartë dhe pa mëdyshje, ndërsa Bashkimi Evropian të dënojë deklaratën e Kostadin Kostadinovit.

Duke e quajtur irredentiste, Filipçe në reagimin e publikuar në profilin e tij në Facebook dënon deklaratën e Kostadinovit dhe shton se me të, lideri i Prerodbës cenon sovranitetin dhe dinjitetin e vendit dhe mohon identitetin e veçantë etnik maqedonas. Kjo, siç shton ai, është shkelje e drejtpërdrejtë e parimeve të së drejtës ndërkombëtare dhe vlerave themelore të Bashkimit Evropian.

“Unë bëj thirrje dhe pres që Sofja zyrtare të shkëputet qartë dhe pa mëdyshje nga deklaratat e Kostadinovit, të cilat bien ndesh me vlerat dhe parimet evropiane të fqinjësisë së mirë. I bëj thirrje Bashkimit Evropian që të dënojë qartë këtë qëndrim, i cili cenon të drejtat universale të njeriut dhe vlerat evropiane, dhe të tregojë se deklarata të tilla nuk kanë vend në BE”, thotë Filipçe.

Për të paraqitur këtë pikëpamje, Kostadinov është frymëzuar praktikisht nga deklarata e fundit e presidentit të sapozgjedhur amerikan Donald Trump, i cili pak ditë më parë ndau dëshirën e tij për të bashkuar Kanadanë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke e shndërruar vendin në shtetin e 51-të federal.

“Kërkesat e Trumpit për Kanadanë janë plotësisht të justifikuara. Nuk ka asgjë më logjike dhe normale se sa dy vende me histori të përbashkët, origjinë të përbashkët, gjuhë të përbashkët dhe kryesisht të njëjtët njerëz, si Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja, të bëhen një vend. E njëjta gjë vlen edhe për pretendimet e Trump për Kanalin e Panamasë. Në fund të fundit, SHBA ishte pronari i parë i tokës së kanalit, ata e ndërtuan dhe e zotëruan deri në vitin 1979. Prandaj Prerodba i mbështet plotësisht pretendimet e presidentit të sapozgjedhur amerikan”, thotë Kostadinov në një deklaratë të publikuar në profilin e tij në Facebook.

Përveç aneksimit të Maqedonisë, Kostadinov beson se Bullgaria duhet të konfirmojë pretendimet e saj ndaj pjesëve jugore të rajonit të Besarabisë – një zonë historike në Evropën Lindore, dy të tretat e së cilës ndodhen brenda Moldavisë së sotme dhe një pjesë e vogël e territorit ukrainas.

“Besarabia Jugore ka qenë pjesë e shtetit bullgar për më shumë se 450 vjet, bullgarët janë popullsia autoktone e kësaj zone që nga shekulli i VI dhe janë edhe sot shumica e popullsisë. Në krahasim, Ukraina ka vetëm Besarabinë Jugore për 34 vjet”, shton lideri i Prerodbas.

Kujtojmë se gjatë vitit 2024, rruga eurointegruese e Maqedonisë së Veriut është karakterizuar nga dinamika të reja politike dhe diplomaci intensivisht të tensionuar, sidomos pas gjysmës së dytë të vitit. Një ndër rastet që përshkallëzoi situatën me ardhjen e qeverisë së re në pushtet vitin e kaluar ishte edhe deklarata e ministrit Aleksandar Nikolloski, i cili tha se kërkojnë që paratë për hekurudhën drejt Bullgarisë të ridedikohen për hekurudhë të shpejtë në Korridorin 10.