“Karagjozllëqe, histori banale”, Meta zbulon arsyen pse u thirr në SPAK
Presidenti i partisë së Lirisë, Ilir Meta pasi u mor për 3 orë rresht në pyetje, tha se nuk ka pasur kurrë besim te SPAK dhe kurrsesi nuk ka tani. Arsyen e thirrjes së tij në SPAK e konsideroi banale. “Histori banale të Ilir Metës që s’kanë asnjë lidhje me asnjë detyrë. Seanca e sotme […]
Presidenti i partisë së Lirisë, Ilir Meta pasi u mor për 3 orë rresht në pyetje, tha se nuk ka pasur kurrë besim te SPAK dhe kurrsesi nuk ka tani. Arsyen e thirrjes së tij në SPAK e konsideroi banale.
“Histori banale të Ilir Metës që s’kanë asnjë lidhje me asnjë detyrë. Seanca e sotme ishte një turp i vërtetë, të pyesësh Ilir Metën a e njeh Alberto Arancini, nga përgjimet del që të ka bërë dhuratë palma, si mund të thuash a ke dhënë leje për kompleksin Lura në Gjirin e Lalëzit, që i ka dhënë zhvillim zonës. Në datën kaq Monika Kryemadhi ka tërhequr 20 mijë euro, a e keni diskutuar me ju. Ajo ka pasur punët e saj, me pasurinë e familjes së saj”, deklaroi ai.
Akuzat që bëri nga dera e Prokurorisë së Posaçme, Meta i vijoi edhe në deklaratën për mediat nga selia e partisë së tij. Drejtësinë e re, ai e quan “narko-drejtësi që vjen nga narko shteti”.
“Jam thirrur se kam denoncuar në SPAK krimet zgjedhore, SPAK ka përgjegjësi për vrasjen e Elbasanit, sepse SPAK duhet të niste hetimit për vjedhjen e votave dhe SPAK ia kaloi Prokurorisë së Elbasanit, jam thirrur se kam çuar në SPAK ligjet me porosi që ka bërë Rama, jam thirrur sepse kam çuar në SPAK si president, falsifikimi nga ana e Kuvendit i firmës Gramoz Ruçit në procesin fars kundër Presidentit dhe SPAK as nuk na ka thirrur si kallëzues sepse nuk e lë Edi Rama, jam thirrur për denoncimet mbi aferën e inceneratorëve, SPAK nuk lëvizi para zgjedhjeve sepse Rama duhet të blinte me ato lekë zgjedhjet.Nuk do të lejojë që Shqipëria të lëngojë nga ky narko-shtet dhe narko-drejtësi. Nuk kam pasur asnjëherë besim te SPAK, sepse që kur u krijua u krijua në mënyrë të paligjshme”, tha Meta.
Ndonëse një ditë më parë, bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi tha se ka besim të SPAK, Meta nuk ndan të njëjtin qëndrim. Ai thotë se qëllimi i SPAK me Altin Dumanin, është dëmtimi i opozitës.
“Nuk ndaloj askënd që të bjerë në dashuri me SPAK, është aleati më i verbër i Edi Ramës, që përdoret për të mbajtur presion opozitën, ka gjymtuar denoncimet e opozitës, ka reaguar shumë vonë”, shtoi ai.
Deklaratën e mbyll duke thënë se është i bindur që në karrierën e tij, nuk ka shkelur asnjëherë ligjin.
“Ilir Meta nuk ka asnjë akt dhe vendim që cenon interesin publik dhe ligjin. Ndërsa aty është mali i skandaleve pafund. Në fund të atij mali është Edi Rama”, përfundoi Meta.