Kasami për rrugën Tetovë – Prizren: Janë definuar detajet e fundit, marrëveshja do të ratifikohet pasi deputetët të kthehen nga pushimi

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut do të ratifikojë marrëveshjen për rrugën Tetovë – Prizren kur deputetët të kthehen nga pushimi, ndërsa do të analizohen versionet që kanë të bëjnë me tunelin. Kështu ka deklaruar sot kryetari i Komunës së Tetovës Bilall Kasami, shkruan Portalb.mk. Kasami tha se do të analizohen edhe versione tjera që kanë […]

gusht 28, 2024 - 15:00
 0  7
Kasami për rrugën Tetovë – Prizren: Janë definuar detajet e fundit, marrëveshja do të ratifikohet pasi deputetët të kthehen nga pushimi
Punimet në rrugën Prizren - Tetovë. Foto: Liburn Aliu (Fb)

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut do të ratifikojë marrëveshjen për rrugën Tetovë – Prizren kur deputetët të kthehen nga pushimi, ndërsa do të analizohen versionet që kanë të bëjnë me tunelin. Kështu ka deklaruar sot kryetari i Komunës së Tetovës Bilall Kasami, shkruan Portalb.mk.

Kasami tha se do të analizohen edhe versione tjera që kanë të bëjnë me tunelin që do të jetë pjesë e kësaj rruge.

“Kuvendi ka qenë në pushim veror, besoj që nga momenti kur do të rikthehen deputetët, do të vazhdojë procedura e ratifikimit të marrëveshjes në Kuvend. Jeni të njoftuar që zëvendës-ministrja e Transportit ka qenë në vizitë zyrtare në Kosovë, me çka i kanë definuar edhe detajet e fundit të vazhdimit të procedurës së tenderimit të projektimit të tunelit”, tha Kasami.

I pyetur për atë se a do të ndahet buxhet në vitin 2025, Kasami tha:

“Unë mund të garantoj që për një pjesë të kësaj rruge do të ndahet buxhet nga komuna e Tetovës, por sigurisht edhe në bashkëpunim me Ndërmarrjen Shtetërore, do të shohim që ky buxhet të jetë më serioz”.

Në Kosovë me 13 gusht 2024 filluan punimet për rrugën Prizren – Tetovë. Paraprakisht me 2 gusht 2024 Kosova nënshkroi kontratat për realizimin e punimeve për këtë projekt. Ndërsa më 23 maj 2024 në Kuvendin e Republikës së Kosovës u miratua propozimi për ratifikimin e marrëveshjes për bashkëfinancimin e punimeve në rrugën Tetovë – Prizren.

Në lidhje me atë se ku qëndron Maqedonia e Veriut me këtë projekt Portalb.mk bisedoi me zëvendës-ministren e Transportit dhe Lidhjeve të RMV-së, Kaltrina Zekolli-Shaqirin.

Ajo para dy javësh theksoi se kanë përshpejtuar procesin për fillimin e realizimit të këtij projekti, ku kompetencat e realizimit te këtij projekti janë ne suaza te Ndërmarrjes Publike për Rrugët Shtetërore, e cila tashmë ka ndarë buxhet për realizimin e tij.

“Procedura e projektit është në fazën e formësimit të grupit punues, që do të përcaktojë rregullat dhe procedurat për zhvillimin e procesit të përzgjedhjes së operatorit ekonomik për përgatitjen e dokumentacionit projektues. Do të formohet grupi punues i cili do të përbëhet prej 10 anëtarësh, nga 5 nga secila palë”, deklaroi ZekolliShaqiri.

Procedurën për përzgjedhjen e operatorit ekonomik do ta bëjë Ndërmarrja Publike, ndërsa përgatitja e dokumentacionit projektues për ndërtimin e tunelit në rrugën Tetovë-Prizren do të përfundojë brenda 18 muajve dhe do të definohet me marrëveshje të nënshkruar me operatorin ekonomik.

Sipas marrëveshjes së nënshkruar në Shkup në janar 2024 , vetëm për finalizimin e dokumenteve për projektimin e tunelit që do ta lidh këtë rrugë do të duhen një vjet e gjysmë, që do të thotë deri në mes të vitit 2026.

18 muaj është afati për kompletimin e dokumentacionit të projektit për ndërtimin e tunelit për rrugën Tetovë – Prizren, ndërkaq financimi i ndërtimit të tunelit do të bëhet në vlerë proporcionale, sipas gjatësisë së tunelit në territorin e secilës anë. Kjo mes tjerash është e përfshirë në marrëveshjen mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës për ndërtimin e rrugës Tetovë-Prizren, të cilën Portalb.mk e publikoi ekskluzivisht.

Aktualisht prej Tetovës në Prizren, rruga është 109 kilometra, ndërkaq me rrugën e re parashikohet të shkurtohet për 69 kilometra, gjegjësisht kjo rrugë do të jetë e gjatë 40.6 kilometra.

Kjo rrugë në të kaluarën është premtuar në shumë cikle zgjedhore në RMV, por pa realizim deri më tani.