Katër deputetë të RMV-së nuk e kanë deklaruar pasurinë

Katër deputetë të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut nuk e kanë deklaruar pasurinë e tyre, edhe pse sipas ligjit një gjë të tillë duhet ta bëjnë brenda 30 ditëve pas marrjes së detyrës. Dy deputetë janënga E Majta, një nga VMRO-DPMNE dhe një nga VLEN, shkruan Scoop.mk, transmeton Portalb.mk. Deputetët që nuk e kanë deklaruar […]

gusht 7, 2024 - 12:30
 0  8
Katër deputetë të RMV-së nuk e kanë deklaruar pasurinë
Adnan Azizi, Amar Mecinoviq, Dushko Ivanov, Jovana Mojsoska. Fotot e marra nga Kuvendi i RMV-së. Ilustrim: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Katër deputetë të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut nuk e kanë deklaruar pasurinë e tyre, edhe pse sipas ligjit një gjë të tillë duhet ta bëjnë brenda 30 ditëve pas marrjes së detyrës. Dy deputetë janënga E Majta, një nga VMRO-DPMNE dhe një nga VLEN, shkruan Scoop.mk, transmeton Portalb.mk.

Deputetët që nuk e kanë deklaruar pasurinë janë:

  1. Adnan Azizi – VLEN;
  2. Amar Mecinoviq– E Majta;
  3. Dushko Ivanov – VMRO-DPMNE;
  4. Jovana Mojsoska – E Majta.

SKUP Maqedoni kërkoi informacion nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit për atë se cilët janë zyrtarët që nuk i kanë dorëzuar fletët anketuese brenda afatit ligjor, nga ku na njoftuan se këta katër deputetë nuk kanë dorëzuar deklaratë për gjendjen pasurore dhe interesat.

“Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit në kolegjiumin e mbajtur më 19.07.2024 vendosi që ndaj 33 personave të cilët nuk kanë dorëzuar deklaratë për gjendjen pasurore dhe interesat brenda afatit të parashikuar ligjor pas përfundimit të detyrës si deputet dhe ndaj 11 personave që nuk kanë dorëzuar deklaratë për gjendjen pasurore dhe interesat brenda afatit ligjor pas zgjedhjes në postin e deputetit (në mesin e të cilëve edhe katër personat e lartpërmendur) për ngritjen e procedurës kundërvajtëse për kundërvajtje sipas nenit 82 të Ligjit për Parandalimin e Korrupsionit dhe Konfliktin e Interesit, të dënueshme sipas nenit 109 të po këtij ligji. Para zhvillimit të procedurës kundërvajtëse do të zbatohen procedurat për barazim me lëshimin e urdhëresës për pagesë të kundërvajtjes”, sqaruan nga KSHPK.

SKUP Maqedoni iu drejtua edhe Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Të katër deputetëve ua dërguam pyetjet përmes e-mail-eve zyrtare, por vetëm deputetja e partisë E Majta, Jovana Mojsoska, na ktheu përgjigje.

“Për shkak të problemeve me sistemin e lajmërimit në profilin personal të DAP-it, fleta ime anketuese u dorëzua në letër. Për problemin me dorëzimin elektronik është njoftuar edhe KSHPK-ja dhe jam në pritje të një takimi për ta tejkaluar problemin”, sqaron Mojsoska.

Për deputetin e VMRO-DPMNE-së, Dushko Ivanov, fleta anketuese ishte dorëzuar pasi SKUP kërkoi sqarim se pse nuk ka fletë anketuese për Ivanovin.

Me Ligjin për Parandalimin e Korrupsionit, personi i zgjedhur ose i emëruar me zgjedhje ose emërim dhe jo më vonë se 30 ditë nga dita e zgjedhjes ose emërimit, plotëson fletë anketuese me një përshkrim të detajuar të pasurisë së patundshme, gjësendeve të tundshme me vlerë më të madhe, letrave me vlerë dhe kërkesat dhe borxhet, si dhe pasuritë e tjera që janë në posedim të tij, ose në posedim të anëtarëve të familjes së tij, me deklarimin se mbi çfarë baze janë siguruar pasuritë e deklaruara  dhe depoziton një deklaratë të vërtetuar nga noteri për heqjen dorë nga mbrojtja e sekretit bankar në lidhje me të gjitha llogaritë në bankat vendase dhe të huaja.

Të njëjtin detyrim e ka edhe pas përfundimit të detyrës, brenda 30 ditëve. Fletët anketuese i dorëzohen Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit dhe Drejtorisë të të Ardhurave Publike.

Personi i zgjedhur ose i emëruar ka detyrimin që brenda 30 ditëve të deklarojë çdo rritje të pasurisë së tij, pasurisë të një anëtari të familjes së tij, në vlerë që tejkalon një shumë prej njëzet pagave mesatare neto në periudhën paraprake tremujore.

Koordinatorja e programit nga Qendra e Maqedonisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar, Snezhana Kamillovska Trpovska, për SKUP thotë se deklarimi i pasurisë nga zyrtarët ka për qëllim që të mundësohet një proces transparent në të cilin do të shihet vlera e pasurisë së tundshme dhe të patundshme të të gjithë personave të zgjedhur dhe të emëruar, si para marrjes së detyrës, ashtu edhe pas përfundimit të detyrës.

“Ky detyrim ligjor ka për qëllim të parandalojë pasurimin joproporcional, gjegjësisht përdorimin e pozitës për qëllime personale, si dhe të mundësojë transparencë nga të gjithë qytetarët, sepse ideja e deklarimit të pasurive është që ato të bëhen publike në mënyrë që vetë qytetarët të kenë mundësi ta ndjekin, duke ulur kështu rrezikun nga korrupsioni me premisën përfundimtare se represioni do të zbatohet në mënyrën e duhur  nëse konstatohet se një person i emëruar ose i zgjedhur ka një rritje disproporcionale të pasurisë në raport me të ardhurat që i ka”, thotë ajo.

Kamillovska Trpovska shton edhe se nuk mund të definohen qartë arsyet se përse nuk e deklarojnë pasurinë, ndonëse përmendi se ndoshta disa zyrtarë nuk e dinë afatin ligjor për deklarim brenda 30 ditëve, edhe pse KSHPK në ueb-faqen e tij publikon listën e zyrtarëve që duhet ta bëjnë këtë.

“Për të gjithë vlen rregulli që mosnjohja e ligjit nuk do të thotë edhe mosbindje ndaj tij. Neni 109 i Ligjit për Parandalimin e Korrupsionit dhe Konfliktit të Interesit parashikon gjoba për ata persona që nuk e kanë deklaruar pasurinë brenda afatit të caktuar, në shumë prej 300 deri në 500 euro. Ajo që bëjnë disa nga zgjedhurit dhe të emëruarit është se paguajnë e gjobën dhe nuk e deklarojnë më pasurinë, sepse këtu përfundon detyrimi, pra mundësia e KSHPK-së për të dhënë gjoba. Për ato arsye ndoshta duhet të rishikohet Ligji dhe të parashihet një procedurë e mëtutjeshme”, tha Kamillovska Trpovska.

Ajo shtoi se është e rëndësishme që të bëhet një kontroll i duhur nga ana e institucioneve dhe se në periudhën e fundit përmendet se nuk ka ingerenca për të vepruar për disa fletë pronësie të caktuara për shkak të vjetërsimit të tyre, si dhe se qëllimi i fletëve të pronësive dhe dorëzimit të tyre është për të parandaluar që ata persona të fitojnë një përfitim pasuror i cili mund të jetë siguruar në një mënyrë korruptive.

Ish-anëtari i Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, Arif Musa, sqaron se detyrë e KSHPK-së është që t’i ndjekë penalisht personat e zgjedhur dhe të emëruar në raste të tilla.

“Ligji është shumë i qartë. Ajo që dua ta theksoj janë gjobat e vogla që u shqiptohen zyrtarëve për mosdeklarim të pasurisë. Ata patjetër duhet të jenë më të mëdha. Ka mjete ligjore me të cilat personat e tillë duhet të ndëshkohen dhe nuk duhet të ketë asnjë lëshim nga kjo. Vetë zyrtarët duhet të jenë të vetëdijshëm dhe përgjegjës për detyrimet e tyre pas marrjes së detyrës”, thotë ai.

Sipas tij, të gjithë zyrtarët janë të vetëdijshëm dhe të informuar për këtë obligim dhe se institucionet i informojnë ata persona se duhet ta deklarojnë pasurinë e tyre brenda afatit të caktuar kohor.