KF Shkupi prezantoi dy prurjet e reja për sezonin e ri
Ekipi shkupjan, KF Shkupi, sot ka prezantuar dy prurjet e reja që do të jenë në shërbim të trajnerit Ernes Gjoka për sezonin e sapofilluar 2024/25, transmeton Portalb.mk. “Klubi ynë ka kënaqësinë të njoftojë se Besar Guxhufi, i cili gjatë sezonit të kaluar ishte në huazim nga klubi i Beshiktashit, tani karton i tij do […]
Ekipi shkupjan, KF Shkupi, sot ka prezantuar dy prurjet e reja që do të jenë në shërbim të trajnerit Ernes Gjoka për sezonin e sapofilluar 2024/25, transmeton Portalb.mk.
“Klubi ynë ka kënaqësinë të njoftojë se Besar Guxhufi, i cili gjatë sezonit të kaluar ishte në huazim nga klubi i Beshiktashit, tani karton i tij do të jetë në pronësi të ekipit tonë. Guxhufi ka nënshkruar kontratë të plotë me FC Shkupin dhe ne jemi të entuziazmuar ta kemi atë në ekipin tonë”, raportoi KF Shkupi.
Në orët e pasdites, u njoftua që qendërmbrojtësi Esmin Licina do të jetë përforcimi i radhës për Shkupin.
“Futbollisti 26-vjeçar vjen te ekipi ynë pas një përvoje të mirë në Super Ligën e Kosovës me Malishevën. Licina ka luajtur edhe për ekipet si Vardari, “Skopje” dhe Makedonija Gjorçe Petrov”, njoftoi Shkupi.
Sezoni 2024/2025 ka filluar javën e kaluar, ku ekipi shkupjan u përball me ekipin e Voska Sportit. Kjo ndeshje u përmbyll me rezultat 3-3. Në sezonin e kaluar, ata së bashku me Shkëndijën dhe kampionët e Strugës ishin në garën e ngushtë për vendin e parë.
Për herë të parë në këtë sezone, gjysma e ekipeve në Ligën e Parë do të jenë ekipe shqiptare, gjashtë nga dymbëdhjetë ekipet: Struga, Shkupi, Shkëndija, Gostivari, Voska dhe Besa e cila tani është inkuadruar.
Kampioni i Ligës së Parë në sezonin 2023/24 në Maqedoninë e Veriut u shpall Struga Trim&Lum, ndërsa në Kupën e Maqedonisë, Tikveshi u shpall fitues.