Komisioni i Medias/ Ina Zhupa përplaset me Fidel Yllin: Pse nuk zbaton vendimin e CAS?

Komisioni Parlamentar për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik u mblodh ditën e sotme, ku pjesë e tij ishte edhe Kreu i KOKSH Fidel Ylli. Fidel Ylli u thirr në Komision për të raportuar për pjesëmarrjen e Shqipërisë në veprimtaritë sportive ndërkombëtare dhe zhvillimin e sportit në Shqipëri. Por edhe ditën e sotme nuk munguan debatet, ku […]

shtator 9, 2024 - 20:00
 0  6
Komisioni i Medias/ Ina Zhupa përplaset me Fidel Yllin: Pse nuk zbaton vendimin e CAS?

Komisioni Parlamentar për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik u mblodh ditën e sotme, ku pjesë e tij ishte edhe Kreu i KOKSH Fidel Ylli.

Fidel Ylli u thirr në Komision për të raportuar për pjesëmarrjen e Shqipërisë në veprimtaritë sportive ndërkombëtare dhe zhvillimin e sportit në Shqipëri.

Por edhe ditën e sotme nuk munguan debatet, ku një përplasje e ashpër ndodhi midis Ina Zhupës dhe Presidentit të Komitetit Olimpik Kombëtar.

Gjatë diskutimeve në Komisionin e Medias, ajo i kujtoi atij vendimin e CAS për asamblenë e janarit e 2021 ku u shkarkua Viron Bezhani dhe u ndryshua statuti. Gjykata arbitrale e Lozanës, më e larta e sportit, më 17 qershor 2024 e cilësoi të paligjshme asamblenë në fjalë.

Ina Zhupa: “Ylli a mund të na thoni me këtë vendim të CAS a keni dijeni, kush është qëndrimi juaj dhe përse është zhvilluar një asamble tjetër pas kësaj?”, u shpreh kryetarja e komisionit, Ina Zhupa.

Fidel Ylli: “Kjo është një asamble e KOKSH-it në janar 2021 dhe unë kam qenë deputet. S’kam qenë në këtë asamble dhe as s’e kam organizuar unë. Unë jam zgjedhur në prill, mbas 4 muajsh”, tha kreu i KOKSH, Fidel Ylli.

Deputetja e PD-së Ina Zhupa, vijoi të këmbëngulte se Fidel Ylli është i paligjshëm në krye të KOKSH.

Ina Zhupa: “Ju në konceptim tuaj dhe si ish-deputet dhe president mendoni se duke e rrëzuar CAS atë asamble që s’keni qenë ju, por ka ndryshuar më pas rregullat që do zgjidheshit ju, iu ka prekur ligjshmërinë ju? Nëse s’do zhvillohej ajo asamble a do zgjidheshit më pas ju?”,  tha Ina Zhupa.

Fidel Ylli: “Ajo asamble nuk e cënon fare zgjedhjen time, absolutisht zero. Është një ish-president që i kishte mbaruar mandati dhe nuk donte të mblidhte asamblenë,”-u përgjigj Fidel Ylli, kreu i KOKSH.

Me tej komisioni u ndërpre nga kërkesa e zëvendës kryetares Evis Kushi, e cila tha se Zhupa po e kthente çështjen në politike.