Konvikti i studentëve “Pellagonia” para kolapsit: Nuk ka ujë të ngrohtë, as ashensorë, e as drejtor

Jetën e studentëve në konviktin e studentëve “Pellagonia” në Shkup e vështirësojnë shumë probleme. Mungesa e ujit të ngrohtë, ashensorët që nuk funksionojnë, minjtë nëpër tualete, muret me lagështi dhe cilësia e ulët e ushqimit janë vetëm disa nga sfidat me të cilat përballen banorët e këtij konvikti publiko-privat, shkruan Meta.mk. Objekti për gati një […]

Nëntor 19, 2024 - 12:00
 0  6
Konvikti i studentëve “Pellagonia” para kolapsit: Nuk ka ujë të ngrohtë, as ashensorë, e as drejtor
Ilustrim: Meta.mk / foto të bëra nga banorët e konviktit “Pellagonia”.

Jetën e studentëve në konviktin e studentëve “Pellagonia” në Shkup e vështirësojnë shumë probleme. Mungesa e ujit të ngrohtë, ashensorët që nuk funksionojnë, minjtë nëpër tualete, muret me lagështi dhe cilësia e ulët e ushqimit janë vetëm disa nga sfidat me të cilat përballen banorët e këtij konvikti publiko-privat, shkruan Meta.mk. Objekti për gati një muaj funksionon pa drejtor, pasi i fundit dha dorëheqje në tetor dhe ende nuk është emëruar një ushtrues detyre i ri. Për këtë arsye nuk ka kush t’i nënshkruajë vendimet dhe të marrë vendime për t’i zgjidhur hallet e studentëve, transmeton Portalb.mk.

“Në mëngjes, pasi ngrihemi, lahemi me ujë të ftohtë akull – kuptohet nëse kemi ujë. Nëse e lëshoni kazanin në tualet, ju duhet të prisni një orë që të mbushet përsëri. Pastaj, çdo mëngjes rrugës për në fakultet na duhet të zbresim në këmbë nga kati i tetë, sepse nuk ka ashensor për të zbritur. Ndërsa pasi kthehemi nga fakulteti, të uritur pa masë, lutemi që të ketë diçka të mirë për të ngrënë në mensë”.

Kështu e përshkruan jetën në konviktin “Pellagonia” këto ditë një nga banorët e tij.

Dhjetëra studentë për redaksinë e Meta.mk përshkruajnë vështirësitë me të cilat përballen në mes të javës së kolokviumeve, kur gjithsesi janë nën presion të madh për të studiuar dhe për t’i marrë provimet, kështu që kushtet e vështira në konvikt paraqesin stres shtesë. Mungesa e ujit të ngrohtë në disa pjesë të objektit e vështirëson ruajtjen e higjienës personale, ndërsa ashensorët, të cilët janë pothuajse tërësisht jashtë funksionit, e rrisin pakënaqësinë tek banorët në katet më të larta.

“Ujë të ngrohtë nuk ka që nga fillimi i vitit akademik, arsyetimi ishte se po pastrohen kaldajat si çdo vit, por ja, edhe pas dy muajsh ujë nuk ka. Në “ndërtesën e meshkujve” nuk ka as ujë të ngrohtë, as presion, i thamë mjeshtrit, ai na tha që në katet më të larta normalisht që nuk do të ketë ujë”, thotë një student banor i konviktit “Pellagonia”.

“Ujë të ngrohtë kam vetëm deri në orën 11 të mëngjesit. Të mos flasim për katet më sipër. Nuk ka presion as për ujë të ftohtë, aq më pak ujë të nxehtë”, thotë një student tjetër.

“Mjeshtrat vijnë vetëm për të parë se çfarë problemi ka, por largohen pa gjetur zgjidhje. Në dhomën tonë na rridhte ujë dhe pas pesë raportimeve mjeshtrit erdhën për të na thënë se nuk mund të bënin asgjë. Kështu që uji vazhdoi të rridhte”, dëshmojnë një grup studentësh që banojnë në këtë konvikt.

Për Meta.mk studentët dërguan edhe disa fotografi ku mund të shihen insekte në ushqimin të cilin ata pretendojnë se e kanë marrë në mensën e studentëve.

Insekte në ushqimin e mensës së Konviktit “Pellagonia”/ foto nga studentët
Insekte në ushqimin e mensës së Konviktit “Pellagonia”/ foto nga studentët

 

Fotot ku mund të shihen jashtëqitjet e minjve dëshmojnë për prani të këtyre mysafirëve të padëshiruar.

Jashtëqitje të brejtësve në Konviktin “Pellagonia”/ foto nga studentët
Jashtëqitje të brejtësve në Konviktin “Pellagonia”/ foto nga studentët

 

Këto rrethana ndikojnë jo vetëm në suksesin akademik, por edhe në shëndetin psikologjik, duke rritur ndjenjën e pafuqisë dhe neglizhencës tek studentët.

“Nuk mund të jetosh në këtë lloj mjerimi, do të çrregullohemi mendërisht. Epo, do na sëmurë kjo larje me ujë të ftohtë. Është vetëm çështje kohe para se të përfundojmë në spital. Qentë e rrugës kanë kushte më të mira, më besoni”, thotë një student i revoltuar.

Kushtet në disa prej dhomave në Konviktin e studentëve “Pellagonia”/ foto nga studentët
Kushtet në disa prej dhomave në Konviktin e studentëve “Pellagonia”/ foto nga studentët

Banorët janë të mendimit se shumë nga problemet mund të zgjidhen, por nuk ka se kush t’i nënshkruajë vendimet e nevojshme, sepse konvikti po funksionon pa drejtor prej gati një muaji, pasi i fundit dha dorëheqje në fund të tetorit. Deri në këtë moment nuk është emëruar as ushtrues detyre drejtor. Ky bllokim administrativ e vështirëson zbatimin e ndërhyrjeve urgjente për përmirësimin e kushteve.

“Konvikti ka probleme me servisimin e ashensorëve, pompave të ujit, ngrohësve dhe më e rëndësishmja, po dëgjojmë se mund të mbesim edhe pa ushqim nëse nuk emërohet një drejtor i ri. Këto ditë po i kalojmë disi, por na duhet dikush që do ketë autorizim për të nënshkruar. Nuk kemi as edhe kujt t’i ankohemi për kushtet”, thonë banorët e vendosur në konviktin e studentëve “Pellagonia”.

E përderisa studentët po përballen me sfida të përditshme, situata e pazgjidhur për udhëheqësinë e thellon krizën edhe më shumë. Ata kërkojnë emërimin e menjëhershëm të një personi kompetent i cili do ta marrë përgjegjësinë dhe do të fillojë me sanimin e problemeve.

Kushtet në disa nga dhomat e konviktit të studentëve "Pellagonia" / foto nga studentët
Kushtet në disa nga dhomat e konviktit të studentëve “Pellagonia” / foto nga studentët

Punonjësit e konviktit me të cilët bisedoi Meta, thonë se i janë drejtuar Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASH), nga ku presin që të emërohet një ushtrues detyre drejtor.

Meta.mk iu drejtua Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për arsyet se pse kaq gjatë nuk është emëruar ushtrues detyre dhe nëse janë në dijeni të problemeve të studentëve në konviktin “Pellagonia”. Por, nga atje u përgjigjën shkurt se konvikti do të bëhet me një ushtrues detyre drejtor gjatë kësaj jave.

“Gjatë kësaj jave do të emërohet ushtrues detyre drejtor dhe do të tejkalohen të gjitha sfidat që janë shkaktuar si pasojë e mos angazhimit të udhëheqësisë së mëparshme”, thuhet në përgjigjen e shkurtër nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.

Studentët që janë pjesë e Këshillit të banorëve në konvikt theksojnë se kushtet dinjitoze të jetesës janë një e drejtë elementare dhe jo privilegj. Nëse nuk ka reagim të shpejtë këtë javë ata njoftojnë se do të detyrohen të ndërmarrin hapa të tjerë për ta tërhequr vëmendjen e publikut dhe autoriteteve.

Kujtojmë se është rritur numri i nxënësve dhe studentëve që janë vendosur në konvikte, krahasuar me vitin e kaluar shkollor, gjegjësisht 2022/2023.

“Gjatë vitit 2022/2023, numri i përgjithshëm i nxënësve dhe studentëve të akomoduar nëpër shtëpi studentore dhe për nxënës të shkollave fillore dhe të mesme është 5 877, që paraqet rritje për 6.5 % krahasuar me vitin 2021/2022”, raportojnë nga Enti Shtetëror i Statistikave.