Kushtetuesja: Nuk do të komentojmë qëndrimet e askujt, është caktuar seanca për Ligjin e Gjuhëve
Gjykata Kushtetuese nuk do të komentojë deklaratat dhe reagimet politike që vijnë në prag të seancës së caktuar për të mërkurën në të cilën duhet të shqyrtohet kushtetutshmëria e Ligjit për përdorimin e gjuhëve. Ky qëndrim i Kushtetueses vjen pas njoftimit të sotëm të Bashkimit Demokratik për Integrim, në të cilin partia paralajmëroi se nëse […]
Gjykata Kushtetuese nuk do të komentojë deklaratat dhe reagimet politike që vijnë në prag të seancës së caktuar për të mërkurën në të cilën duhet të shqyrtohet kushtetutshmëria e Ligjit për përdorimin e gjuhëve. Ky qëndrim i Kushtetueses vjen pas njoftimit të sotëm të Bashkimit Demokratik për Integrim, në të cilin partia paralajmëroi se nëse ligji shfuqizohet, pasojat do të jenë të pariparueshme dhe nuk do të mund të mbajnë përgjegjësi për atë që mund të ndodhë më pas, transmeton Portalb.mk.
“Gjykata nuk do të komentojë pikëpamjet e askujt. Seanca ku do të diskutohet për Ligjin për përdorimin e gjuhëve është caktuar të mbahet më 11 dhjetor. Pas përfundimit të seancës do të mbahet një konferencë e rregullt për media ku do të jepen përgjigje të gjitha pyetjeve”, tha Kushtetuesja.
Ndryshe, BDI-ja tha sot se shfuqizimi i çdo dispozite të Ligjit për përdorimin e gjuhëve nuk është vetëm akt juridik, por sulm i drejtpërdrejtë ndaj stabilitetit dhe paqes së shtetit.
“Ky ligj është produkt i një kompromisi të ndërlikuar, i arritur pas viteve të mundimshme negociatash dhe është themeli i barazisë ndëretnike dhe respektit të ndërsjellë. Një vendim që do të cënonte këtë ligj do të përfaqësonte një shkelje të rëndë të Marrëveshjes së Ohrit dhe një kthim pas drejt një të ardhmeje të pasigurt dhe të trazuar. Bashkimi Demokratik për Integrim e konsideron këtë moment si një pikë kritike, ku çdo veprim që synon të prishë këtë balancë delikate është kapërcim i Rubikonit. Nëse një herë që kjo vijë kalohet, nuk do të ketë më kthim pas! Nëse Gjykata Kushtetuese vendos të shkatërrojë arritjet e Marrëveshjes së Ohrit, pasojat do të jenë të parikuperueshme, dhe ne nuk mund të mbajmë përgjegjësi për atë që mund të pasojë. U bëjmë thirrje qytetarëve, liderëve politikë dhe bashkësisë ndërkombëtare që të veprojnë menjëherë për të parandaluar këtë akt që rrezikon stabilitetin e vendit dhe të rajonit. Shqiptarët dhe të gjitha komunitetet që besojnë në drejtësi dhe barazi nuk mund të heshtin përballë këtij kërcënimi. Ky nuk është një moment për të qëndruar indiferentë. Ky është një moment për të zgjedhur anën e drejtë të historisë”, thuhet në reagimin e BDI-së.
I pyetur për koment për njoftimin e BDI-së, zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti, në një deklaratë për media nga ngjarja e sotme në Tetovë, tha se diskutimi për Ligjin për përdorimin e gjuhëve është i hapur për publikun për shkak të zgjidhjeve dhe politikave jo të plota të deritanishme të udhëhequra nga Bashkimi Demokratik për Integrim.
“Tani përballen me përgjegjësi dhe para përgjegjësisë u duhet mjegull, duhet destabilizim. Por nëse dikush në vend nuk ka të drejtë për këtë çështje, është BDI. Për shkak të zgjidhjeve të tyre gjysmake, jo të plota, bënë të mundur që dikush të merret me këtë çështje sot. Nëse kjo çështje do të ishte zgjidhur siç duhet, nëse do të kishte një ligj për gjuhën shqipe, nuk do të ishte temë diskutimi sot. Tema e diskutimit është për shkak të zgjidhjeve gjysmake dhe jo të plota të BDI-së”, tha Mexhiti.
Duke iu referuar vendimit që do të marrë Gjykata Kushtetuese, zëvendëskryeministri i parë tha se është një çështje e ndjeshme, jo vetëm ligjore, por edhe politike.
“Marrëveshja kornizë është pjesë e rendit kushtetues të Republikës së Maqedonisë. Në bazë të Marrëveshjes Kornizë dhe të gjithë atyre që dëshirojnë të mirën për shtetin, të mirën për marrëdhëniet ndëretnike, stabilitetin, duhet t’i qasemi kësaj marrëveshjeje me sens. Nuk do të hyj në çështjen e Gjykatës Kushtetuese. Unë vetëm po bëj thirrje që kjo nuk është çështje juridike, por edhe çështje politike që ndikon në stabilitetin e shtetit”, tha Mexhiti.
Për këtë temë ai foli edhe dje, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve gjatë një ngjarjeje në Likovë, ku tha se ka pasur njoftime se dy gjyqtarë nuk do të marrin pjesë në seancën e Gjykatës Kushtetuese. Kjo, tha zëvendëskryeministri, do të thotë që vendimet nuk do të jenë legjitime.
Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski, në një dalje televizive muajin e kaluar tha se ky rast do të jetë në rendin e ditës në dhjetor dhe se ka konstatim se do të vendoset nga përbërja e plotë e Gjykatës Kushtetuese, gjegjësisht me 9 gjyqtarët.
Kostadinovski më pas tha se nuk dëshiron të besojë në spekulimet dhe skenarët se gjyqtarët nga komunitetet joshumicë do të bojkotojnë, që do të thotë se nuk do të mund të diskutohet për iniciativat nëse gjykata nuk është në përbërje të plotë.
Megjithatë, gjyqtarët kushtetues shqiptarë do ta bojkotojnë seancën, ka konfirmuar dje nga Brukseli zëvendëskryeministri për qeverisje të mirë Arben Fetai, por edhe gjykatësi kushtetues Osman Kadriu. Në konferencën “Miqtë e Evropës”, Fetai paralajmëroi probleme në vendimmarrje sipas ligjit, ndonëse tha se është e paqartë se çfarë do të ndodhë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Ndërkohë gjykatësi kushtetues Osman Kadriu, në intervistën për Alsat deklaroi se nuk është e vërtetë që para Gjykatës Kushtetuese kontestohen vetëm 2-3 nene të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, por 18 nene të cilat janë parashtruar nëpërmjet 13 iniciativave nga 46 subjekte, përfshirë akademikë, profesorë e parti politike.
Lënda kundër Ligjit për Gjuhët u formua nga 13 nisma nga qytetarë, parti dhe shoqata të ndryshme në vitin 2019, por u aktivizua këtë vjeshtë, pas vërejtjeve të Komisionit të Venecias. Ligji në kontestohet në tërësi dhe shumica e neneve veç e veç, si dhe Dekreti për shpalljen e Ligjit. E vetmja gjë që nuk kontestohet është paragrafi 1 i nenit 1, ku thuhet se gjuhë zyrtare në tërë territorin e shtetit dhe në marrëdhëniet e tij ndërkombëtare është gjuha maqedonase dhe shkrimi i saj cirilik.
Ndryshe, shtatë vjet pas miratimit të ligjit të gjuhëve në atmosferë të tensionuar në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, me protesta dhe tentativa të panumërta të ish-presidentit Gjorgе Ivanov për ta bllokuar atë, në Gjykatën Kushtetuese në dhjetor do të vendoset shfuqizimi i plotë ose i pjesshëm i këtij ligji. Problemi nuk qëndron te ligjet që janë burim i marrëveshjes së Ohrit, por te “dështimi i politikës që 20 vitet e fundit nuk arriti t’i bëjnë këto ligje imune ndaj mendjeve shoviniste nën petkun e politikanit apo gjykatësit”, thanë ekspertët juridik për Portalb.mk.
Ligji për Zbatimin e Gjuhëve, në procedurë kuvendore ka hyrë më 5 shtator të vitit 2017-të, ndërkaq në fuqi ka hyrë në janar të vitit 2019-të. Seanca për vlerësimin e kushtetuetshmërisë të këtij ligji fillimisht ishte caktuar për me 5 tetor por për shkak të ndjeshmërisë së situatës, u shty për më 11 dhjetor.
- LEXO: RMV, më 11 dhjetor do të mbahet seanca e Gjykatës Kushtetuese për Ligjin për përdorimin e gjuhëve
- LEXO: Përdorimi i shqipes në Maqedoninë e Veriut nën llupën e Kushtetueses: Çfarë të presim dhe ku gaboi politika për 20 vite?
- LEXO: Ligji i gjuhëve, në dorë të gjykatësve Kushtetues
- LEXO: Maqedoni, u miratua ligji për përdorimin e gjuhëve
- LEXO: Kurti: Shqipja nuk ka qenë e as është gjuhë zyrtare në Maqedoninë e Veriut që të jetë e kërcënuar