A lejohet përdorimi i celularëve në shkolla? Qëndrime nga Struga, Studeniçani, Tearca, Tetova, Vrapçishti dhe Zhelina
Komunat me shumicë shqiptare në Maqedoninë e Veriut janë të pajtimit për ndalimin e telefonave celular për nxënësit në shkolla. Ndërkaq, përderisa një pjesë e drejtuesve të shkollave thonë se kanë vendosur rregull për ndalimin e telefonave, disa të tjerë nuk kanë marrë vendim të tillë sepse thonë se ndalesa duhet të bëhet me ligj. Megjithatë, […]


Komunat me shumicë shqiptare në Maqedoninë e Veriut janë të pajtimit për ndalimin e telefonave celular për nxënësit në shkolla. Ndërkaq, përderisa një pjesë e drejtuesve të shkollave thonë se kanë vendosur rregull për ndalimin e telefonave, disa të tjerë nuk kanë marrë vendim të tillë sepse thonë se ndalesa duhet të bëhet me ligj. Megjithatë, të gjithë janë të mendimit se përdorimi i tepërt i telefonave celular i dëmton nxënësit, dhe se ata nuk janë të koncentruar në procesin mësimor. Madje, kujtojmë se nga sfidat e ndryshme në rrjetet sociale janë regjistruar disa raste ku pësojnë të rinjtë, shkruan Portalb.mk.
Të rinjtë sot shpenzojnë po aq kohë në celularët e tyre sa një punonjës me kohë të plotë, tregon hulumtimi i ambasadës së Fëmijëve “Megjashi”. Qëndrimi i tepruar në rrjetet sociale, lojëra të dhunshme dhe uebsajte të pakontrolluara, shpie deri te rezultati i dobët në shkolla, por edhe në dëme më të mëdha, posaçërisht ndaj mirëqenies fizike dhe mentale të rinjve.
Debati për atë se a duhet lejuar celulari nëpër shkolla bëhet sa herë aktual pas ndodhive tragjike siç kemi parë raste të dhunshme si në Maqedoni, Kosovë, Shqipëri e Serbi ku influencat e ndryshme nga rrjetet sociale shpallen fajtore për sjelljet devijante të të rinjve.
Në shkurt të këtij viti, ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska deklaroi se ishte dakord që nxënësit të mos kenë celularë, dhe se ata do të fokusohen më shumë në njohuri. Ajo kujtoi se shkollat janë nën juridiksionin e komunave dhe komunat së bashku me drejtuesit e shkollave do ta marrin atë vendim. Komunat me shumicë maqedonase, Komuna e Aerodromit dhe Komuna e Qendrës vendosën të ndalojnë përdorimit të telefonit celular nga fillimi deri në fund të orëve të mësimit.
Portalb.mk kontrolloi si qëndron situata në komunat me shumicë shqiptare në RMV. A kanë vendim dhe rregullore në bashkëpunim me udhëheqësit e shkollave për ndalimin e përdorimit të telefonave celular për nxënësit.
Në këtë seri tekstesh, kemi pyetur Komunën e Strugës, Komunën e Studeniçanit, Komunën e Tearcës,Komunën e Tetovës, Komunën e Vrapçishtit dhe Komunën e Zhelinës.
Qëndrimi i komunave
Nga Komuna e Strugës theksuan se janë duke pritur miratimin e të gjithë shkollave për vendimin e ndalimit të telefonave celular për nxënësit në shkolla.
“Për mos lejimin e telefonave celularë në shkolla gjatë orëve të mësimit, kemi marrë informacione nga disa shkolla se prindër të nxënësve kanë ngritur shqetësim për këtë dukuri negative deri te drejtoritë e shkollave përkatëse dhe jemi të informuar për deklaratat e ministrisë kompetente. Tani, jemi duke pritur informacion nga të gjitha shkollat në territorin e komunës për këtë çështje, sapo të kompletohet do të vazhdojmë me procedurë për vendosje si pikë në rend dite në këshillin komunal që të vendoset për këtë problematikë”, thanë nga Komuna e Strugës
“Është e domosdoshme dhe e nevojshme të ndalohen telefonat gjatë orarit mësimore. Edhe pse e kemi diskutuar edhe më parë por para se ta marrim vendimin duhet t’i dëgjojmë drejtuesit e shkollave, administratën, psikologë, pedagogë, përfaqësues të prindërve dhe kështu me radhë”, thanë nga Komuna e Studeniçanit.
Ngjashëm si komunat tjera, edhe Komuna e Tearcës theksojnë duhet që të ndalohet përdorimi i telefonave celular për nxënësit.
“Këtë çështje e kemi analizuar dhe diskutuar me drejtorët e shkollave, vetëm se në disa shkolla mos përdorimi i celularëve është si rregull në kodeksin e sjelljes në shkollë dhe njëjta gjë aplikohet por nuk mund të themi se është tërësisht i aplikueshme. Në vazhdim jemi duke e përgatitur një rregullore për ndalimin e përdorimit të celularëve gjatë mësimit në shkolla e cila do të bëhet dhe miratohet në bashkëpunim me shkollat , këshillin e prindërve , këshillin e shkollës, kolegjiumin arsimorë dhe parlamentin e nxënësve”, thanë nga Komuna e Tearcës.
“Që nga momenti kur u vendos për uniformat që të mbahen gjatë procesi mësimor e njëjta urdhëresë ka qenë edhe për telefonat celular. Nxënësit nuk kanë të drejt të përdorin celularë gjatë procesit mësimor”, thanë nga Komuna e Tetovës.
“Ne si komunë këtë iniciativë e kemi marrë para një viti ku kemi bërë kontrolle në lidhje me mbajtjen e celularëve. Gjithashtu në takimet e fundit që i kemi pasur me drejtorët e shkollave ju kemi sugjeruar formimin e komisioneve brenda shkollës që kontrollet të jenë të shpeshta”, thanë nga Komuna e Vrapçishtit.
Nga Komuna e Zhelinës theksuan se e kanë ndaluar përdorimin e telefonave celular për nxënësit.
“Për përdorimin e telefonave celular nga ana e nxënësve, është e ndaluar përdorimi dhe mbajtja e celularëve në shkolla. Kjo nënkupton se përdorimi dhe mbajtja e celularëve sanksionohet me konfiskim të celularit. Drejtorët e shkollave tona kanë rregullore për zbatimin e ndalesës dhe e njëjta zbatohet”, thanë nga Komuna e Zhelinës
Çfarë thonë udhëheqësit e shkollave?
Në lidhje me këtë çështje Portalb.mk bisedoi me Albana Zhuta drejtoreshën e shkollës fillore komunale “Vëllezërit Milladinov” të Komunës së Strugës. Ajo tha se vendimi për ndalimin e telefonave për nxënësit gjatë orëvë të mësimit e kanë marrë vendimin duke filluar nga gjysmëvjetori i dytë.
“Ky vendim është marrë pas një analize të hollësishme mbi ndikimin negativ nga përdorimi i tepërt i telefonave, si dhe ndikimi që ka telefoni në disiplinën dhe shpërqendrimin e nxënësve. Prindërit janë konsultuar përmes mbledhjeve me Këshillin e Prindërve dhe anketave, ku shumica kanë shprehur mbështetje për këtë masë. Konsultim kemi bërë edhe me arsimtarët dhe këshillin e shkollës nga ku kemi gjetur mbështetje. Modeli i parë fillon nga arsimtarët, asnjë përdorim të telefonit gjatë orëve të mësimit. Si drejtues i shkollës, kam organizuar takime me stafin pedagogjik, me këshillin e prindërve për të diskutuar mënyrën më efikase të zbatimit të kësaj mase. Në tremujor do të kemi një pasqyrë të këtij vendimi dhe mendoj që në fund të vitit do bëjmë një vlerësim më të detajuar të vendimit tone si shkollë. Nëse do të jetë e nevojshme, do të bëjmë rregullime për të përmirësuar më tej zbatimin e kësaj mase por do të shohim edhe mundësinë e ndërgjegjësimit të nxënësve mbi teknologjinë dhe telefonat në veçanti, “tha Zhuta.
Ndërsa në shkollën fillore “Naim Frashëri” në Studeniçan biseduam me drejtorin Idriz Shabani, i cili tregoi se së bashku me prindërit nuk i lejojnë që nxënësit t’i mbajnë telefonat me vete.
“Si drejtues i shkollës në bashkëpunim me prindërit nuk kemi lejuar që t’i marrin me vete telefona. Për këtë presim ndikim pozitiv dhe cilësi më të mirë të arsimit. Në raste emergjente nxënësit kanë në dispozicion celularet e punonjësve të shërbimit profesional pedagog psikolog, nuk kemi vendosur dhe nuk do të vendosim. Efektet e këtij plani të ndërmarrë i mirëpresim me shumë pozitivitet kurse ne si plan që do bëjmë do marrim vendim në mbledhjen e kolegjiumit arsimor dhe në nivel komunal,” tha Shabani.
Nga ana tjetër Hatixhe Mustafa drejtoresha e shkollës fillore komunale “Rilindja” fshati Batincë të Komunës së Studeniçanit theksoi se kjo çështje duhet të merret parasysh dhe se ky vendim është në proces e sipër.
“Ne si drejtori jemi munduar që të gjejmë zgjidhjen e duhur për mospërdorimin e telefonave gjatë orëve mësimore duke i vendosur ato në vende të posaçme. Ky vendim është në proces me të gjitha shkollat në nivel komunal si dhe në bashkëpunim me komunën e Studeniçanit, Sektori për arsim, presim efekte pozitive si në disiplinë po ashtu edhe në mbarëvajtjen e orëve mësimore. Tani për tani vetëm kemi caktuar vend të posaçëm ku sigurohet mospërdorimi i telefonave gjatë orës mësimore por që ende nxënësit mund ti përdorin gjatë pushimeve dhe rasteve emergjente. Në të ardhmen shpresojmë që mospërdorimi i telefonave të sjell koncentrim më të madh te nxënësit, disiplinë si dhe rezultate më të mira”, tha Mustafa.
Kurse Gjulser Rexhepi drejtoresha e shkollës fillore komunale ”Faik Konica” në fshatin Dobroshtë të Komunës së Tearcës thotë se duhet të sjellim vendim për ndalimin e përdorimit të celularëve për nxënësit.
“Sa i përket kësaj problematike, në kuadër të këshillit të prindërve, këshillit të shkollës dhe kolegjiumit arsimorë është debatuar rreth kësaj problematike aktuale. Konstatim i përbashkët është që Këshilli Komunal si organ themelues i shkollës dhe vendimmarrës duhet të sjell vendim për përdorimin apo ndalesën e celularëve. Ne si organ do veprojmë konform të vendimit dhe sugjerimeve të Këshillit Komunal”, tha Rexhepi.
E pyetëm edhe Malsore Ramadani drejtoreshën e shkollës së mesme komunale të mjekësisë “Nikolla Shtejn” në Tetovë. Ajo tha se vendimi për ndalimin e telefonave në shkollë varet nga rrethanat e shkollës.
“Si shumica e shkollave edhe shkolla jonë e kufizon përdorimin e telefonit celular, kjo sepse telefoni ndikon në mësimin e nxënësve, në shpërqëndrimin e tyre në orët mësimore dhe humb fokusin e tyre në aktivitete shkollore. Telefonat po ashtu mund të përdoren edhe për ngacmimin dhe bullizmin online ose duke shpërndarë përmbajtje që mund të dëmtoj reputacionin e dikujt, apo të shkelë privatësinë dhe etikën. Pa telefona celular nxënësit do të fokusohen edhe më shumë në zhvillimin e aftësive sociale dhe komunikimin mes tyre. Edhe pse ndalimi i telefonave mund të sjellë përfitime në aspektin e mësimit dhe disiplinës ka prindër që kanë kundërshtime dhe mendojnë se telefonat mund të jenë të nevojshëm për të mbajtur kontakt prindërit dhe për situata emergjente. Prandaj ne preferojmë një qasje më të ekuilibruar, ku telefoni është i ndaluar të përdoret gjatë orëve të mësimit, lejohet vetëm gjatë pushimeve”, tha Ramadani.
Ndryshe Bujar Islami drejtori i shkollës fillore “Gjergj Kastrioti Skenderbeu” në Tetovë tha se ka pesë vite që i kanë ndaluar telefonat në shkollë.
“Ne si shkolle telefonat i kemi të ndaluar që nga viti 2020 dhe kjo po funksionon për mrekulli pa asnjë pengesë, ku të gjithë nxënësit e respektojnë këtë vendim i cili është marrë bashkë me këshillin e prindërve, këshillin e arsimtareve dhe këshillin e shkollës. Unë si drejtues i shkollës këtë propozim së pari e parashtrova si ide të prindërit të cilët njerëzit e mirë pritën, pastaj menjëherë bashke me këshillin e arsimtarëve dhe këshillin e shkollës e miratuam këtë propozim dhe nga ajo kohe ne shkollën tonë nxënësit vijojnë mësimin pa telefona. Kjo masë te shkolla jonë ka dhënë ndikim te madh në përmirësimin e disiplinës dhe cilësisë së procesit edukativo-arsimor, njihemi si shkolle me nivel te lartë të disiplinës ku nuk kemi raste te dhunës, vandalizmit apo ndonjë dukurie negative qe i sjellin platformat dhe rrjetet e ndryshme sociale. Për komunikim të nxënësve me prindërit dhe anasjelltas në raste emergjente kemi vendosur në shërbim telefona të shkollës nëpër zyra dhe pika të veçanta për të cilët nxënësit dhe prindërit janë të informuar, po ashtu edhe profesorët kujdestarë të ditës dhe personeli ndihmës në këto raste emergjente ose sipas nevojës së nxënësve dhe prindërve kanë për detyrë që në kohë sa më te shpejtë ky komunikim të realizohet”, tha Islami.
Ndërsa Amire Ibrahimi-Hajredini drejtoresha e shkollës fillore “Gradeci” në Komunën e Vrapçishtit tha se duhet të ndalohen telefonat në shkollë.
“Janë të informuar paraprakisht të gjithë nxënësit, prindërit, kuadri arsimor, dhe jemi në zbatim të kodeksit i cili është nga themeluesi ku në praktikë kohëve të fundit ka efektin e vet. I kemi informuar të gjitha palët e involvuar në proces, ka komision shkollor për përcjelljen e këtij aktiviteti. Herë pas herës sipas nevojës bënë kontrollin tek nxënësit konkretisht bartjen e celularëve. Ngritjen e vetëdijes eliminimin e dukurive negative, realizim të mësimit pa vështirësi, menjanimin e keqpërdoruesve të rrjeteve sociale nga nxënësit e të tjera. Nxënësit në situata të tilla kanë mundësi për çdo nevojë urgjente të drejtohen dhe shërbehen nga personeli i mësimdhënësve dhe kuadri tjetër. Ndërsa efekti pozitiv është dukshëm, dhe i ndihmon në orientim e punës mësimore, zvogëlohen nivelet e problemeve të rrjetit social (ndërmjet nxënësve) të llojit të dhunës kibernetike”, tha Hajredini.
Drejtori i shkollë së mesme komunale “Negotinë” Fatmir Rakipi tha se kanë mirëpritur vendimin nga Ministria e Arsimit për ndalimin e përdorimit të telefonave në shkollë.
“Në koordinim me Komunën e Vrapçishtit gjegjësisht me sektorin e arsimit fillimisht kemi vendosur që përdorimi i telefonave të ndalohet nëpër orët mësimore sepse është vërtetuar se efektet e përdorimit të telefonave janë vetëm negative duke i shpërqëndëruar nxënësit nga mësimi dhe nga interaktiviteti. Për këtë vendimin janë informuar të gjithë profesorët por edhe prindërit të cilët na kanë dhënë një përkrahje të madhe në këtë drejtim, shumica e prindërve janë të mendimit se telefonat duhet ti marrin nxënësit në shkollë për shkaqe sigurie sepse nxënësit e shkollës tonë çdo herë janë pasdite dhe ora e fundit mbaron vonë respektivisht në ora 19:05. Jemi në komunikim të vazhdueshëm përmes komisionit me kujdestarët e klasave dhe profesorët të cilët çdo ditë raportojnë në fletat e kujdestarisë për problemet eventuale ku përfshihet edhe përdorimi i telefonave , efektet shihen se janë pozitive por vlerësojmë se duhet edhe më shumë të angazhohemi si shkollë duke përfshirë edhe prindërit sepse fundja krejt ky angazhim është për të mirën e nxënësve”, tha Rakipi.
Liman Xhaferi drejtori i shkollës fillore komunale “Luigj Gurakuqi” në Zhelinë tregoi se kanë biseduar me kujdestarët e klasave dhe që së paku nxënësit gjatë orëve mësimore mos t’i përdorin telefonat.
“Kemi biseduar me prindërit e nxënësve individualisht. Po ashtu kam biseduar me kujdestarët e klasave së paku gjatë orës mësimore mos t’i përdorin. Ky vendim ka efekt pozitiv gjatë procesit mësimor, por nëse kërkohet që ti përdorin brenda orës sipas konceptit te ri, ndërsa mësimi ku zhvillohet kabinetik i vendojnë para tavolinës por nuk i përdorin. Mendojmë se do të ndikojë pozitivisht në procesin edukativo arsimor”, tha Xhaferi.
Ndryshe, në Maqedoninë e Veriut së fundmi në dhjetor 2024 u ngrit alarmi për rrjetin TikTok nga lëndimet që u shkaktuan te fëmijët në sfidën e ashtuquajtur “Supermen”. Por, ministria e Digjitalizimit tha se Qeveria nuk planifikon ta kufizojë përdorimin e TikTokut. Një nismë e ngjashme në RMV u propozua edhe në vitin 2023, por nuk u bë asgjë konkrete. Nga sfida të ndryshme online në RMV janë regjistruar disa raste ku kanë pësuar të rinjtë. Portalb.mk ka trajtuar disa herë temën e përdorimin e rrjeteve sociale nga ana e të rinjve në vend.
Në krahasim me RMV, Qeveria e Shqipërisë vendosi të mbyllë rrjetin social TikTok pas vrasjes të një nxënësi 14-vjeçar nga një bashkëmoshatar i tij dhe pas rasteve të konflikteve mes të miturve që ekspozohen edhe online.
Në tekstin e kaluar mund të lexoni për: