Maturantët nga Shkupi do t’i nënshtrohen provimit shtetëror në UKM, ata nga Shtipi në UGD
Këtë vit maturantët që mësojnë në shkollat e mesme në Shkup provimeve shtetërore të maturës do tu nënshtrohen në amfiteatrot dhe klasat në fakultetet e Universitetit “Shën. Kirili dhe Metodi”. Kjo gjë bëhet me qëllimin për ta zvogëluar mundësinë e kopjimit, dukuri kjo që regjistrohet në një numër të madh çdo vit, transmeton Portalb.mk. Informacionin […]


Këtë vit maturantët që mësojnë në shkollat e mesme në Shkup provimeve shtetërore të maturës do tu nënshtrohen në amfiteatrot dhe klasat në fakultetet e Universitetit “Shën. Kirili dhe Metodi”. Kjo gjë bëhet me qëllimin për ta zvogëluar mundësinë e kopjimit, dukuri kjo që regjistrohet në një numër të madh çdo vit, transmeton Portalb.mk.
Informacionin se për herë të parë këtë vit provimet do të mbahen në UKM për Meta.mk e konfirmoi rektorja, Biljana Angellova.
“Tashmë jemi marrë vesh me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës si dhe me Qendrën Shtetërore të Provimeve që provimet e maturës të mbahen në fakultetet në UKM-së. Do të shfrytëzohen mjediset e Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit, të Arkitekturës, të Bujqësisë, të Pedagogjisë, të Inxhinierisë Mekanike, të Fakultetit të Elektroteknikës dhe të Teknologjive Informatike, si dhe të Fakultetit të Teknologjisë dhe Metalurgjisë. Lëndët eksterne, si matematika, gjuha amtare dhe gjuhët e huaja do të mbahen në datat 31 maj dhe 11 qershor. Në UKM provimit do t’i nënshtrohen gjithsej 1400 nxënës të shkollave të mesme”, tha Angellova.
Në uebfaqen e Qendrës Shtetërore të Provimeve ka një njoftim sipas të cilit maturantët e Shtipit provimit të maturës shtetërore do t’i nënshtrohen në Universitetin “Goce Dellçev” (UGD)
“Shkollat e mesme nga Shtipi provimet eksterne të maturës shtetërore do t’i mbajnë në UGD. Në këtë mënyrë realizimi i provimit të maturës shtetërore do të jetë më objektiv dhe më i thjeshtë për shkollat në Shtip. UGD do t’i lirojë hapësirat e tij për shkollat dhe do të sigurojë gjithçka që është e nevojshme për realizimin me sukses të provimeve eksterne të maturës shtetërore”, thuhet në njoftim.
Meta iu drejtua edhe Universitetit të Manastirit “Sh. Klimenti i Ohrit”, si dhe Universitetit të Ohrit “Sh. Apostulli Pal” me pyetjen nëse provimin e maturës shtetërore do ta organizojnë për herë të parë këtë vit në ambientet e universitetit, por deri në publikimin e këtij teksti nuk morëm asnjë përgjigje.
Si do të organizohen provimet në qytetet e vogla ku numri i maturantëve është më i ulët? Përgjigje për këtë pyetje kërkuam nga shkolla e mesme “Naum Naumovski Borçe” në Probishtip. Pedagogia Julijana Stojanovska, e cila është e përfshirë në organizimin e provimit të maturës shtetërore, thotë se procesi do të zhvillohet në një sallë brenda shkollës.
“Shkolla jonë ka dy godina, një shkollë të mesme dhe një godinë të gjeologjisë, ku mësojnë nxënësit e arsimit të mesëm profesional. Me qenë se vitin e kaluar provimet u mbajtën në një sallë të madhe në godinën e gjeologjisë, edhe këtë vit do ta kryejmë procesin në të njëjtën sallë. Hapësira atje është mjaft e madhe, ndërkohë që nuk është e vështirë që të çojmë atje banga dhe karrige. Vitin e kaluar kemi pasur 50 nxënës që i janë nënshtruar provimit të maturës dhe nuk ka pasur asnjë problem, kështu që këtë vit nuk do t’i çojmë nxënësit për ta mbajtur provimin në një vend tjetër. Këtë vit kemi 68 maturantë, ndërsa në provimit shtetëror të maturës do t’i nënshtrohen rreth 62 nxënës”, informoi Stojanovska.
Vitin e kaluar maturantët iu nënshtruan provimeve në korridoret e shkollave. Risia e sivjetshme e mbajtjes së provimit në amfiteatrot dhe klasat e fakulteteve pasi çdo vit në ditët kur mbahen provimet eksterne ne kemi problem me kopjimin. Në vitin 2023, vlerësuesit gjatë procesit të vlerësimit për lëndën e gjuhës angleze të provimit të maturës shtetërore erdhën në përfundimin se se 3.100 nxënës kishin kopjuar në provim. Drejtoresha e atëhershme e Qendrës Shtetërore të Provimeve, Bllagica Pavllovska, tha se mospërputhjet e identifikuara (kopjimet) janë zbuluar dhe sanksionuar.
“Ata 3.100 nxënës kanë përdorur plagjiaturë nga faqe të ndryshme në internet, janë konstatuar kopjime të eseve. Esetë e kopjuara u janë vlerësuar me 0 pikë. Por testi nuk është i përbërë vetëm nga esetë, por ka edhe pyetje me të rrethuar dhe me plotësim që gjithashtu vlerësohen. Ata që nuk e kalojnë provimin, kanë të drejtë të hynë në sërish provim në muajin gusht”, tha Pavllovska atëkohë Meta.mk.
Po ende mbetet e paqartë se si pritet të reduktohet kopjimi duke i mbajtur provimet në salla të mëdha, duke qenë se dukuri e tillë regjistrohet çdo vit, edhe pse gjatë provimeve janë të pranishëm edhe testues edhe vëzhgues.
Ndërkohë shumë herë është përmendur ideja e blerjes së bllokatorëve që do të vendoseshin nëpër klasa dhe që do ta pengonin kopjimin, por Ministria e Arsimit dhe Shkencës për momentin nuk mund t’i sigurojë këto pajisje sepse janë mjaft të kushtueshme.