Maqedonia e Veriut dëshiron të importojë mbeturina nga BE-ja

Deri më tani vetëm 24 vende e kanë informuar Komisionin Evropian se duan të pranojnë mbeturina, ndërsa në mesin e tyre është edhe Maqedonia e Veriut. Nga vendet e rajonit që nuk janë anëtare të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), të interesuara për importimin e mbeturinave të rrezikshme nga BE-ja janë vetëm Serbia […]

shkurt 28, 2025 - 09:00
 0  5
Maqedonia e Veriut dëshiron të importojë mbeturina nga BE-ja
Mbeturina në Bruksel, Belgjikë. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Deri më tani vetëm 24 vende e kanë informuar Komisionin Evropian se duan të pranojnë mbeturina, ndërsa në mesin e tyre është edhe Maqedonia e Veriut. Nga vendet e rajonit që nuk janë anëtare të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), të interesuara për importimin e mbeturinave të rrezikshme nga BE-ja janë vetëm Serbia dhe Bosnje dhe Hercegovina, shkruan Dojçe Vele (DW), transmeton Portalb.mk.

Maqedonia kërkon të importojë tetëmbëdhjetë lloje të mbeturinave, të deklaruara në listën e mbeturinave jo të rrezikshme nga vendet e Bashkimit Evropian. Këto janë metale dhe mbeturina nga metalet e ngjyrosura dhe të pa ngjyrosura, kallaji, hekuri, zinku, çeliku, plumbi, alumini, si dhe yndyra dhe vaji i gatimit, letra dhe kartoni dhe qelqi. Lista e plotë kohëve të fundit është publikuar nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapsinor, me njoftimin se do t’i dorëzohet Komisionit Evropian.

Në fazën e ardhshme Komisioni Evropian do të duhet të vendosë nëse vendi ka kapacitetin për të menaxhuar me këto mbeturina në një mënyrë ekologjike në përputhje me rregullat e legjislacionit të BE-së. Nga kjo do të varet nëse vendi do të përfshihet në listën e vendeve që do mund të importojë mbeturina nga BE-ja.

Rregulla më të rrepta për eksportin e mbeturinave

Po vijojnë afatet përfundimtare për përmbushjen e këtij detyrimi, i cili është imponuar nga rregulloret e reja të Bashkimit Evropian për importin, eksportin dhe tranzitin e mbeturinave, të cilat janë në fuqi që nga viti 2024 dhe do të fillojnë të zbatohen nga viti 2027. Me to, BE-ja prezanton rregulla më të rrepta për eksportin dhe tranzitimin e mbeturinave jo të rrezikshme.

Eksporti i mbeturinave jo të rrezikshme nga “lista e gjelbër” në përgjithësi do të ndalohet drejt vendeve që nuk janë anëtare të OECD-së. Përjashtim nga ky rregull do të ishin vendet që kanë kapacitete që i plotësojnë kushtet për mbrojtje të mjedisit jetësor për përpunimin e këtij lloji të mbeturinave.

Sipas rregullores së re, nga muaji nëntor i vitit 2026 deri në muajin maj të vitit 2029 do të ndalohet plotësisht eksporti i mbeturinave plastike, duke përfshirë këtu mbeturinat e plastikës që nuk janë të rrezikshme. Pas përfundimit të kësaj periudhe, Maqedonia dhe vendet që nuk janë anëtare të OECD-së e që janë të interesuara për importimin e mbeturinave të plastikës do të duhet ta dëshmojnë kapacitetin e tyre për të menaxhuar me mbeturinat e tilla në mënyrë të shëndetshme ekologjike që të mund të përfshihen në listën e vendeve në të cilat mund të eksportohen këto mbeturina nga BE-ja.

Shqetësimet e ekologjistëve

Për vite me radhë ekologjistët në Maqedoninë e Veriut po bëjnë thirrje për zbatimin e kontrolleve dhe analizave laboratorike më të rrepta gjatë importit, për shkak të rrezikut të përfundimit të mbeturinave të rrezikshme në vendin tonë. Ata kanë kërkuar kontroll të shtuar të mbeturinave në pikat kufitare dhe doganore, si dhe mos lejimin e importit të mbeturinave që mund të përdoren si burim energjie.

„“Metalet e rënda që i emiton industria, nafta dhe mazuti janë kancerogjene. Ka dallim midis thithjes së më shumë metaleve të rënda dhe thithjes së dioksinave dhe furaneve shumë kancerogjene që lirohen gjatë djegies së mbeturinave,” paralajmëroi Tatjana Çakulev nga “Iniciativa O2” të martën më datë 20.02. në seancën mbikëqyrëse të Komisionit të Përhershëm Hetimor Parlamentar për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Qytetarëve, ku foli për burimet e ndotjes të cilat ndikojnë ndaj shëndetit të qytetarëve në Maqedoninë e Veriut.

Sipas saj, ato nuk është e thënë të tregojnë domosdoshmërisht një rritje të grimcave PM në ajër, por “mund të ndjehen si një aromë e rëndë dhe ngulfatëse dhe të ketë një emetim të madh të këtyre dioksinave dhe furaneve që janë jashtëzakonisht kancerogjene, dhe ato mbeten në ajër dhe natyrë dhe të akumulohen në organizëm”, tha Çakulev.

Kanë arritur 24 kërkesa

Komisioni Evropian ka konfirmuar se 24 vende kanë dorëzuar aplikime për të vazhduar të marrin materiale të ricikluara edhe përtej afatit të muajit maj të vitit 2027, kur hyn në fuqi rregullorja e re e Bashkimit Evropian. Sipas Byrosë për Riciklimin Ndërkombëtar (BIR) me seli në Bruksel, rreth njëzetë kombe të identifikuara nga KE-ja e kanë filluar procesin për të vazhduar me pranimin e mbeturinave të dërguara nga BE-ja edhe pas këtij afati.

Nga vendet që nuk janë anëtare të OECD-së, deri në afatin fillestar të 21 shkurtit, krahas Maqedonisë, Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës aplikime kanë dorëzuar edhe Bangladeshi, Egjipti, El Salvadori, India, Indonezia, Kazakistani, Malajzia, Moldavia, Monako, Maroku, Nigeria, Arabia Saudite, Pakistani, Filipinet, Singapuri, Tajvani, Tailanda, Togo, Tunizia, Ukraina dhe Vietnami. Kështu, në listë u gjendën pranuesit më të mëdhenj të mbeturinave të eksportuara nga kontinenti, por në listë mungojnë Kina dhe Hong Kongu. Në listë mungojnë edhe shumë vende që, edhe pse kanë shkritore dhe fabrika ekzistuese të letrës, nuk mund ta instalojnë kapacitetin e nevojshëm për riciklim brenda një periudhe afatshkurtër ose afatmesme.

Pesë tonelata mbeturina për banor

Menaxhimi i mbeturinave në një mënyrë të shëndetshme ekologjike dhe përdorimi i materialeve sekondare që ato i përmbajnë janë elementë kyçe të politikës të BE-së për mjedisin jetësor. Të dhënat tregojnë se Evropa gjeneron më shumë mbeturina sesa që riciklon.

Sipas Komisionit Evropian çdo banor evropian gjeneron mesatarisht pesë tonelata mbeturina në vit. Vetëm 38 përqind e mbeturinave riciklohen, ndërsa mbi 60 përqind e mbeturinave nga amvisëritë ende përfundojnë nëpër deponi në disa vende të BE-së.

Sa për krahasim, në vitin 2021, çdo preson që jeton në BE ka prodhuar 36,1 kilogram mbeturina nga ambalazhi i plastikës. Vëllimi i mbeturinave të prodhuara nga ambalazhi i plastikës për banor është rritur për rreth 29% nga viti 2010 deri në vitin 2021. Sasia e përgjithshme e mbeturinave të plastikës të prodhuara në BE në vitin 2021 ka qenë 16,13 milionë tonelata. Rreth 6,56 milionë tonelata mbeturina të plastikës janë recikluar. Gjysma e sasisë së plastikës së grumbulluar për reciklim eksportohet që të trajtohet në vende jashtë BE-së. Eksportet e të gjitha llojeve të mbeturinave nga BE-ja në vendet jashtë BE-së në vitin 2021arritën në 33 milionë tonelata. Pjesa më e madhe e mbeturinave përbëhet nga mbeturina të metalieve të ngjyrosura dhe të pangjyrosura, si dhe mbeturina të letrës, plastikës, tekstilit dhe qelqit që kryesisht përfundojnë në Turqi, Indi dhe Egjipt.