Në fakultet në Kroaci, studentët nga RMV-ja do të paguajnë njësoj si studentët vendas

Në arsimin e lartë në Kroaci, tarifat e shkollimit për studentët nga Maqedonia do të jenë të njëjta si për studentët vendas. Këtë e parasheh marrëveshja e nënshkruar sot nga ministrja e Arsimit dhe Shkencës Vesna Janevska dhe ministri i Arsimit, Shkencës dhe Rinisë së Kroacisë Radovan Fuks. Sipas marrëveshjes, në fushën e arsimit fillor […]

gusht 29, 2024 - 21:00
 0  7
Në fakultet në Kroaci, studentët nga RMV-ja do të paguajnë njësoj si studentët vendas
Universiteti Kirili dhe Metodi, foto: UKM

Në arsimin e lartë në Kroaci, tarifat e shkollimit për studentët nga Maqedonia do të jenë të njëjta si për studentët vendas. Këtë e parasheh marrëveshja e nënshkruar sot nga ministrja e Arsimit dhe Shkencës Vesna Janevska dhe ministri i Arsimit, Shkencës dhe Rinisë së Kroacisë Radovan Fuks. Sipas marrëveshjes, në fushën e arsimit fillor dhe të mesëm, studentët që janë shtetas të njërit shtet do të kenë të drejtë të studiojnë në shtetin tjetër sipas kushteve që vlejnë atje, transmeton Portalb.mk.

“Maqedonia dhe Kroacia vazhdojnë të avancojnë bashkëpunimin në arsim dhe shkencë. Programi i ri katërvjeçar për bashkëpunim, i bën sistemet arsimore kombëtare më të qasëshme për qytetarët e të dyja vendeve. Në fushën e arsimit fillor dhe të mesëm, nxënësit të cilët janë nënshtetas të njërit vend kanë të drejtë të mësojnë në vendin tjetër sipas kushteve të cilat vlejnë atje, ndërsa në arsimin e lartë tarifat e shkollimit janë të njëjta me studentët vendas. Me marrëveshjen e re avancohet mësimi i gjuhës maqedonase gjegjësisht kroate me bursa plotësuese dhe vazhdon ndarja e bursave për studime të avancuara në institucionet e arsimit të lartë të të dyja vendeve”, thuhet në njoftimin e MASh-it.

Bashkëpunimi bilateral parasheh nxitjen e shkëmbimit të përvojave për arritjen e standardeve të larta arsimore evropiane dhe kjo gjithashtu mundëson mbështetje në kuadër të programeve të ndryshme të Bashkimit Evropian dhe programit rajonal CEEPUS.

Gjithashtu është rënë dakord mbështetja për ruajtjen e gjuhës dhe kulturës të të dyja kombeve.

Bashkëpunimi i frytshëm dhe i suksesshëm arsimor në mes të dyja vendeve daton që nga 1995, kur është nënshkruar marrëveshja e parë bilaterale për bashkëpunim kulturor dhe arsimor, thonë nga MASH.