Në Shkup u mbajt takimi i Komisionit të përbashkët mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë për histori dhe arsim

Propozim-rekomandimet për librat shkollorë maqedonas për klasën e shtatë, si dhe kremtimet e përbashkëta eventuale, kanë qenë tema e takimit të 34-të të Komisionit të përbashkët multidisiplinat ekspert për çështje historike dhe arsimore mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, që dje dhe sot u mbajt në Shkup, raporton MIA. “U bë fjalë për rekomandimet e […]

shkurt 21, 2025 - 22:00
 0  5
Në Shkup u mbajt takimi i Komisionit të përbashkët mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë për histori dhe arsim
Flamuri i Maqedonise dhe ai i Bullgarisë. Foto: Qeveria e RMV-së

Propozim-rekomandimet për librat shkollorë maqedonas për klasën e shtatë, si dhe kremtimet e përbashkëta eventuale, kanë qenë tema e takimit të 34-të të Komisionit të përbashkët multidisiplinat ekspert për çështje historike dhe arsimore mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, që dje dhe sot u mbajt në Shkup, raporton MIA.

“U bë fjalë për rekomandimet e propozuara për librat shkollorë të Maqedonisë për klasën e VII-të, ndërkaq u diskutua edhe për kremtimet eventuale të përbashkëta, në të cilat dolën në pah qëndrimet e ndryshme të të dyja palëve”, njoftoi ekipi i ekspertëve maqedonas.

Takimi, shtuan ata, u zhvillua në një atmosferë dinamike dhe konstruktive, për çështje nga fushëveprimi i punës së Komisionit dhe me këtë rast janë harmonizuar dhe miratuar Procesverbalet dhe Transkriptet e mbetura nga puna e Komisionit në vitin 2023.

“Në frymën e ndërtimit të besimit, pjesa maqedonase e Komisionit përpiqet të mbajë një qasje proaktive, në përputhje me praktikat dhe përvojat pozitive evropiane”, thuhet në deklaratën e ekipit maqedonas.

Takimi i radhës i Komisionit do të mbahet në prill në Sofje.

Takimi i mëparshëm u mbajt më 12 dhe 13 dhjetor në Sofje, ku u diskutua për kremtimet e përbashkëta eventuale, për rekomandimet për librat shkollorë të Maqedonisë për klasën e VII, si dhe për përcaktimin e dinamikës së punës për gjysmën e parë të vitit 2025.

Në fund të tetorit të vitit të kaluar në Shkup u mbajt mbledhja e Komisionit të përzier, i cili ishte i pari i përbërjes së re të ekipit maqedonas me kolegët e tyre nga pala bullgare. Bashkëkryeuesi i ekipit bullgar, Angell Dimitrov, tha shkurt pas takimit se ishte “më shumë për t’u njohur me njëri-tjetrin” dhe “nga pikëpamja teknike”.

Komisioni i përbashkët maqedono-bullgar për çështje historike dhe arsimore është themeluar si rezultat i Marrëveshjes së fqinjësisë së mirë ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë të nënshkruar më 1 gusht 2017. 

Kujtojmë se, kushti i Maqedonisë së Veriut drejt BE-së mbeten ndryshimet kushtetuese, ku duhet të përfshihen të gjithë etnitë që jetojnë në Maqedoninë e Veriut. Negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese. Megjithatë, ky kusht, ka hasur në rezistencë nga pushteti aktual i Maqedonisë së Veriut. I pari i ekzekutivit, kryeministri Hristijan Mickoski në secilën paraqitje është kategorik se është i panevojshëm bilateralizimi i çështjes së RMV-së, në rrugëtimin drejt BE-së.