Opera dhe Baleti Kombëtar në Maqedoninë e Veriut ka hequr zbritjet për studentët

Opera dhe Baleti Kombëtar (OBK) ka hequr zbritjen prej 50 përqind të çmimit e biletave për studentët që duan t’i ndjekin shfaqjet në këtë institucion kombëtar. Ky hap bie ndesh me Меmorandumin që Ministria e Kulturës vitin e kaluar e nënshkroi me Parlamentin Studentor Universitar të UKM-së (PSU UKM), e sipas të cilit studentët kanë […]

shkurt 18, 2025 - 13:00
 0  5
Opera dhe Baleti Kombëtar në Maqedoninë e Veriut ka hequr zbritjet për studentët

Opera dhe Baleti Kombëtar (OBK) ka hequr zbritjen prej 50 përqind të çmimit e biletave për studentët që duan t’i ndjekin shfaqjet në këtë institucion kombëtar. Ky hap bie ndesh me Меmorandumin që Ministria e Kulturës vitin e kaluar e nënshkroi me Parlamentin Studentor Universitar të UKM-së (PSU UKM), e sipas të cilit studentët kanë të drejtë për zbritje në të gjitha institucionet kombëtare kulturore. Deri në publikimin e këtij shkrimi nga OBK nuk kanë dhënë shpjegim për heqjen e zbritjes, transmeton Portalb.mk.

Për anulimin e këtij përfitimi në redaksinë e Meta.mk kanë reaguar disa studentë, të cilët thonë se vitin e kaluar në Operën dhe Baletin Kombëtar shfaqet i kanë ndjekur me gjysmë çmimi, por kohëve të fundit nuk e gëzojnë më këtë të drejtë.

“Dje pyeta për zbritjen në OBK dhe më thanë se nuk ka më zbritje për studentët. Vitin e kaluar gjithmonë kur kam shkuar në opera dhe balet biletën e kam blerë me 50% zbritje me indeks. Tani për herë të parë po dëgjoj që nuk ka zbritje”, thotë një student për Meta.mk.

Sipas një studenti tjetër ky përfitim është hequr që në muajin tetor të vitit të kaluar.

“Në Operën dhe Baletin e Maqedonisë nga muaji tetor e tutje nuk ka më zbritje. Ndërsa deri më atëherë kishte 50 përqind zbritje”, thotë një student tjetër.

Para disa javësh Meta.mk fillimisht iu drejtua Ministrisë së Kulturës për të parë nëse është ende në fuqi ajo që është dakorduar në Memorandumin mes ministrisë dhe PSU UKM-së dhe në cilat institucione kombëtare studentët kanë të drejtë për zbritje.

Nga atje konfirmuan se Memorandumi i nënshkruar në janar të vitit 2024 mbetet në fuqi në të gjitha institucionet kombëtare nga fusha e kulturës.

“Memorandumi i nënshkruar për bashkëpunim ndërmjet Ministrisë së Kulturës dhe Parlamentit Studentor Universitar të UKM-Shkup, i cili u mundëson studentëve 50% zbritje studentore në biletat për të gjitha institucionet kombëtare të kulturës (muze, teatro, kinema, biblioteka, galeri) është ende në fuqi”, u përgjigjen nga ministria.

“Me këtë memorandum realizohet bashkëpunim ndërmjet palëve në memorandum për të gjithë studentët me semestër të vërtetuar për vitin akademik aktual, si dhe për studentët me korrespodencë e që janë me aftësi të kufizuara. Për të siguruar zbritje, gjatë blerjes së biletave studentët duhet të paraqesin një dokument identifikimi (në formë fizike apo elektronike)”, shtojnë nga atje.

Meta.mk dërgoi pyetje edhe pranë Operës dhe Baletit Nacional për arsyet e heqjes së këtij përfitimi për studentët, gjë që bie ndesh me Memorandumin. Deri në publikimin e këtij teksti, nga ky institucion nacional nuk morëm asnjë përgjigje.

Përndryshe drejtor i Operës dhe Baletit Nacional është Oliver Arsovski.

Paraprakisht, në muajin janar, zbritja për studentët u hoq edhe në Teatrin e Komedisë. Pas reagimeve të studentëve në rrjetet sociale, ky teatër në muajin shkurt e ktheu këtë përfitim për studentët.

Opera dhe Baleti Kombëtar me sa duket është i vetmi institucion kombëtar në Shkup që nuk ofron zbritje për studentët. Në bashkëpunim me disa studentë Meta.mk sot në mëngjes ka kontaktuar rreth njëzet institucione kombëtare kulturore dhe të gjitha kanë konfirmuar se studentët kanë të drejtë për zbritje prej 50 përqind ose se mund t’i ndjekin eventet e tyre krejtësisht falas.

Më 31 janar të vitit 2024 Ministria e Kulturës dhe PSU UKM nënshkruan një memorandum bashkëpunimi që parashikon zbritje prej 50 përqind në biletat e institucioneve kulturore për studentët. Siç ka njoftuar ish-ministrja e Kulturës, Bisera Kostadinovska Stojçevska, e që e kanë konfirmuar për Meta.mk nga kjo Ministri, kjo masë i përfshin të gjitha institucionet kombëtare.

Memorandumi u nënshkrua në mënyrë që studentët të kenë qasje të barabartë në skenën kulturore, për ta rritur praninë e tyre në institucionet kulturore dhe për ta lehtësuar standardin e studentëve.