Ndryshime kushtetuese: Taravari me një “këngë” në zgjedhje, me tjetër në Qeveri
Taravari dhe koalicioni VLEN siguruan gjatë periudhës zgjedhore të vitit të kaluar se ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë do të bëhen jo më vonë se gjashtë muaj pas ardhjes së tyre në pushtet. Tani, gati tetë muaj pas formimit të qeverisë së Mickoskit, ai kërkon durim për një vit, por nuk ofron […]


Taravari dhe koalicioni VLEN siguruan gjatë periudhës zgjedhore të vitit të kaluar se ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë do të bëhen jo më vonë se gjashtë muaj pas ardhjes së tyre në pushtet. Tani, gati tetë muaj pas formimit të qeverisë së Mickoskit, ai kërkon durim për një vit, por nuk ofron garanci se ndryshimet kushtetuese do të ndodhin realisht brenda kësaj periudhe. Taravari arsyetohet se do të vazhdojnë të insistojnë, por pranon se VMRO-DPMNE-ja do të duhet të bindet, sepse pa pëlqimin e kësaj partie nuk mund të bëhen ndryshime kushtetuese, shkruan Vëretëmatësi.
Në një intervistë të dielën për Radion Evropa e Lirë, ministri i Shëndetësisë dhe kreu i Aleancës për Shqiptarët, pjesë e koalicionit VLEN, Arben Taravari, duke iu referuar ndryshimeve kushtetuese, bëri një deklaratë jo konsistente nga premtimet e tij parazgjedhore, por edhe të VLEN-it, se “amendamentet kushtetuese do të bëhen jo më vonë se gjashtë muaj pas formimit të Qeverisë”.
Unë shoh se kryeministri Mickovski është i gatshëm dhe dëshiron që sa më shpejt të fillojmë negociatat, sepse kjo është një lloj shprese për njerëzit që jetojnë këtu. Natyrisht, ne si VLEN insistojmë dhe do të insistojmë, por VMRO-ja duhet të bindet, sepse pa VMRO-në nuk mund të ndodhin ndryshime kushtetuese. Pra është e pamundur, nuk ka asnjë formulë që mund të bëjë ndryshime kushtetuese pa pëlqimin e VMRO-së.
Kryeministri me sa shoh unë është gati, por kërkon njëfarë garancie. A do të jetë nga Sofja, Brukseli apo Uashingtoni, kjo është e parëndësishme, por ky është kushti përfundimtar për Maqedoninë. Se kushtëzimi ndaj Maqedonisë si për BE-në ashtu edhe për NATO-n është i tepruar është fakt i pamohueshëm. Megjithatë, ne duhet të gjejmë një zgjidhje dhe të mendojmë seriozisht sepse nuk është mirë që Maqedonia të mbetet në grup me Bosnjën, Kosovën, tre vende të Ballkanit Perëndimor që nuk po fillojnë negociatat.Ne do të përpiqemi disi si VLEN dhe si pjesë e qeverisë ta përshpejtojmë këtë proces dhe të përpiqemi të bëjmë diçka sa më shpejt që të largohemi nga kjo situatë status quo.
[Burimi: Radio Evropa e Lirë – intervistë me Arben Taravarin (nga ora 15.30 deri në 17.22 minuta e videos) – Data: 16.02.2025]
Arsyetim:
Qëndrimi i Taravarit se kur do të zbatohen amendamentet kushtetuese që do të përfshijnë bullgarët në Kushtetutë, si kusht për zhbllokimin e rrugës drejt Bashkimit Evropian, është i paqëndrueshëm në krahasim me atë që ai dhe partnerët e tij nga koalicioni VLEN premtuan para zgjedhjeve. Ai tani thotë se “si VLEN insistojnë dhe do të vazhdojnë të insistojnë” për miratimin e amendamenteve kushtetuese, por thekson se “VMRO-ja duhet të bindet, sepse pa VMRO-në nuk mund të ndodhin ndryshime kushtetuese”.
Pra është e pamundur, nuk ka asnjë formulë që mund të bëjë ndryshime kushtetuese pa pëlqimin e VMRO-së…
“Ne do të përpiqemi disi si VLEN dhe si pjesë e qeverisë ta përshpejtojmë këtë proces dhe të përpiqemi të bëjmë diçka sa më shpejt që të largohemi nga kjo situatë status quo”, thotë Taravari pas gati tetë muajsh nga formimi i Qeverisë (23 qershor 2024), pa specifikuar se kur do të zhbllokohet procesi.
Pavarësisht kësaj, ai dhe VLEN siguruan gjatë periudhës zgjedhore të vitit të kaluar se ndryshimet kushtetuese do të bëhen jo më vonë se gjashtë muaj pas formimit të Qeverisë.
Në fillim të muajit prill (05.04.2024), Taravari, si kandidat për president nga koalicioni “VLEN”, në një debat me kandidatin për president të BDI-së, Bujar Osmani në TV21, tha se nga kandidati për qeverinë do të kërkohet të tregojë dinamikë me afate për zbatimin e ndryshimeve kushtetuese.
…Kryeministrit që i jepet mandati për të formuar qeverinë duhet t’i kërkohet të vendosë afate për zbatimin e ndryshimeve kushtetuese. Nuk po them për një muaj, dy apo tre, por jo më shumë se gjashtë muaj, që kjo të përfundojë dhe Maqedonia të vazhdojë negociatat me BE-në.
Pak ditë më vonë (08.04.2024) Taravari përsëriti qëndrimin se gjashtë muaj është një periudhë e mirë në të cilën duhet të kalojnë ndryshimet kushtetuese për të zhbllokuar rrugën drejt BE-së.
Tashmë kam thënë që duhet të ketë një dinamikë, një periudhë kohore deri në Vitin e Ri, duhen procedura edhe për votim të ndryshimeve kushtetuese, do të ketë edhe zgjedhje parlamentare në Parlamentin Evropian, do të ketë zgjedhje presidenciale në SHBA, pritet nëse do të mbetet i njëjti apo një koalicion qeverisës tjetër. Mendoj se gjashtë muaj janë një periudhë e mirë për të kaluar amendamentet kushtetuese në mënyrë që të fillojmë negociatat me BE-në.
Edhe më i vendosur për këtë çështje gjatë zgjedhjeve ishte edhe kolegu i tij partiak Arben Fetai, zëvendëskryeministër për Politikë dhe Qeverisje të Mirë. Ai tha se kusht për formimin e qeverisë së ardhshme do të jenë ndryshimet kushtetuese dhe se ato do të zbatohen në afat prej tre deri në gjashtë muaj pas formimit të qeverisë.
Sigurisht që nuk po hyjmë në një qeveri që nuk do të bëjë ndryshime kushtetuese, kjo është shumë e qartë. Është super e qartë. Qeveria jonë e ardhshme do të bëjë ndryshime kushtetuese brenda tre deri në gjashtë muaj nga formimi i qeverisë. “E thashë shumë qartë”, tha Fetai në atë kohë, sipas TV21.
Por, pasi VLEN u bë pjesë e qeverisë dhe Taravari u bë ministër i Shëndetësisë, filluan të “këndojnë një këngë tjetër” për ndryshimet kushtetuese.
Në fillim të gushtit, VLEN-i njoftoi se është e mundur të zgjaten ndryshimet kushtetuese deri në formimin e qeverisë politike në Bullgari. Zëdhënësi i VLEN-it, Fari Hyseni, në një konferencë për shtyp më 9 gusht tha se paqëndrueshmëria politike në Bullgari është arsyeja pse ata nuk kërkojnë që bullgarët të përfshihen në Kushtetutë brenda gjashtë muajve.
Jemi në komunikim dhe koordinim të vazhdueshëm me faktorin ndërkombëtar. Këto janë tema më të gjera, që do të thotë se mund të jepet një mundësi sepse kemi një situatë ad hok me Bullgarinë fqinje. Nëse do të kishte një qeveri funksionale aktuale në Bullgari, besoj se negociatat do të kishin filluar tashmë për të arritur një marrëveshje midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë.
Sipas tij, duke pasur parasysh situatën në Republikën e Bullgarisë, ka hapësirë që në koordinim me faktorin ndërkombëtar të shtyhet afati për ndryshime kushtetuese.
Në tetor, gjatë një vizite në Spitalin klinik në Tetovë, Taravari shprehu shpresën se negociatat me BE-në mund të fillojnë pas gjashtë muajsh, por gjithashtu kërkoi mirëkuptim nëse gjërat ende nuk shkojnë sipas planit, duke qenë se Bullgaria nuk ka një qeveri të qëndrueshme.
VLEN-i edhe një herë insiston se Maqedonia e Veriut duhet të fillojë negociatat, Maqedonia nuk ka alternativë tjetër përveç BE-së. Thamë një afat gjashtëmujor, që VLEN-i do të bënte gjithçka për të nisur negociatat. Është mirë që filloi Shqipëria, por është keq që u ndamë. Nga ana tjetër, duhet të kuptojmë se nuk ka qeveri as në anën bullgare, presim zgjedhje atje. Shpresoj se do të gjejmë zgjidhje dhe VLEN do të jetë përshpejtues dhe shkas që Maqedonia të fillojë sa më shpejt negociatat me BE-në. “Me sa di unë, kryeministri është për fillimin sa më të shpejtë dhe është pro BE-së, siç jemi të gjithë ne në Qeveri”, tha Taravari.
Në fund të vitit (2024), në dhjetor, kur realisht kaloi afati për përmbushjen e amendamenteve kushtetuese të premtuara, Taravari siguroi se proceset integruese evropiane do të nisin së shpejti, por theksoi se procesi ishte kompleks. Ai e përshkroi atë si fluturim në një aeroplan dhe se fluturimi ishte i pasigurt. Ai po ashtu përkujtoi se Ahmeti ka më shumë se dy dekada që i ka shpallur ato negociata me BE-në, që nga viti 2002 dhe paralajmëroi një afat të ri:
Megjithatë, besoj se vitin e ardhshëm, 2025, do të fillojmë negociatat me BE-në.
Por ai nuk ka specifikuar se kur do të ndodhë ky fillim.
Tashmë në janar të këtij viti, Taravari kërkoi një vit durim.Më 28 janar, në emisionin Daily Click në Tv 21, i pyetur për ndryshimet kushtetuese, ai theksoi se integrimi evropian është premtuar prej vitesh nga struktura të ndryshme qeverisëse dhe tha:
Na jepni të paktën 1 vit, ju u dhatë atyre 10 vite.
Dje (16.02.2025) në një intervistë me Radio Evropën e Lirë, në përgjigje të vërejtjes së gazetarit se ai kishte kërkuar një vit tjetër për ndryshime kushtetuese dhe nëse ekzistonte një garanci se ndryshimet në të vërtetë do të ndodhin brenda këtij afati, Taravari justifikoi veten duke thënë se ata, si VlEN, do të vazhdojnë të insistojnë, por pranoi që VMRO-DPMNE do të duhej të bindet, sepse pa pajtueshmëri të tyre, nuk mund të bëhen ndryrshimeet kushtetuese. Një qëndrim që është në kundërshtim me pretendimin e tyre të mëparshëm se amendamentet kushtetuese do të miratoheshin gjashtë muaj pas formimit të qeverisë së re.