Opozita për emërimet e drejtorëve të rinj në RMV: “Ndryshimi” largoi shqiptarët nga institucionet më me peshë në vend
Qeveria e Maqedonisë së Veriut dje emëroi disa drejtorë në institucione të rëndësishme të vendit, ku në një pjesë prej tyre vërehet se pozicionet që dikur i kanë drejtuar shqiptarët, tani kanë kaluar në “duart” e maqedonasve, transmeton Portalb.mk. Ushtrues detyre i drejtorit të Ndërmarrjes Publike për Rrugët Shtetërore tani është emëruar Koce Trajanovski, në […]
Qeveria e Maqedonisë së Veriut dje emëroi disa drejtorë në institucione të rëndësishme të vendit, ku në një pjesë prej tyre vërehet se pozicionet që dikur i kanë drejtuar shqiptarët, tani kanë kaluar në “duart” e maqedonasve, transmeton Portalb.mk.
Ushtrues detyre i drejtorit të Ndërmarrjes Publike për Rrugët Shtetërore tani është emëruar Koce Trajanovski, në vend të Ejup Rustemit.
Sasho Klekovskin u.d drejtor ekzekutiv i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, i cili pason Asaf Abduramanin.
Partitë e Frontit Evropian kanë reaguar lidhur me këto emërime, duke shtuar se shqiptarët po humbasin institucionet më me peshë në vend.
BDI përmes një komunikate thotë se është shqetësuar lidhur me vendimin e fundit të Fondit të Sigurimit Shëndetësor për të emëruar, për herë të parë pas shumë vitesh, dy drejtorë vetëm nga komuniteti maqedonas.
Ky akt, sipas tyre, përfaqëson një përpjekje sistematike për të larguar shqiptarët nga institucionet më të ndjeshme dhe vitale të vendit, “duke krijuar një precedent të rrezikshëm për përjashtimin e tyre nga proceset vendimmarrëse në nivel shtetëror”.
“Ky vendim është një pasojë e drejtpërdrejtë e një qeverie me legjitimitet monoetnik, ku individ jolegjitim zë zgjedhur nga padronët e tyre përfaqësojnë vetëm interesat e ngushta personale dhe klanore e aspak ato shqiptare. Një qeveri e tillë, që nuk reflekton diversitetin dhe legjitimitetin e popujve tanë, po ndjek një rrugë të rrezikshme që minon parimet themelore të barazisë dhe drejtësisë në shtetin tonë. Ky veprim është në kundërshtim të plotë me frymën e Marrëveshjes së Ohrit dhe mekanizmat mbrojtës për përfaqësimin e barabartë të të gjitha komuniteteve etnike. Ne besojmë se largimi i shqiptarëve nga institucionet kryesore nuk është vetëm një padrejtësi ndaj komunitetit tonë, por gjithashtu një kërcënim për stabilitetin dhe harmoninë ndër-etnike në Maqedoninë e Veriut”, thonë nga BDI.
Ky veprim, shtojnë nga kjo parti, jo vetëm që margjinalizon shqiptarët, por dëmton edhe strukturën demokratike dhe kohezionin social të vendit.
“Institucionet publike duhet të jenë reflektimi i një shoqërie të drejtë dhe të barabartë, ku të gjithë qytetarët, pavarësisht prejardhjes etnike, kanë mundësinë të kontribuojnë dhe të marrin pjesë në mënyrë të barabartë”, përfundon reagimi i BDI-së.
Nga ana tjetër, Aleanca për Shqiptarët (krahu i Ziadin Selës) thotë se me vendimet e filluara që nga formimi i Qeverisë, por edhe me ato që pritet të sillen periudhën në vijim, shqiptarët pas 25 viteve përjashtohen nga pozicionet kyçe në institucionet më me peshë në vend.
“Me formimin e Qeverisë jolegjitime, shqiptarër çdo ditë po humbin drejtoritë më me peshë në vend. Pas Agjencionit për Zbulim, ku u shkarkua drejtori shqiptar dhe u emëruan edhe drejtori edhe zëvendës drejtor maqedonas, sot e njëjta ndodhi edhe me Fondin për Sigurim Shëndetësor. Në këtë institucion që është në sektorin e Arben Taravarit, sot morën detyrën dy drejtorë të rinjë, që të dy maqedonas, duke shkarkuar dy ish drejtorët njëri prej të cilëve ishte shqiptar. Ndërkohë partitë shqiptare të cilat humbëm zgjedhjet dhe si të tilla u bënë pjesë e Qeverisë, në disa raste heshtin, ndërsa në disa raste si ky i fundit, bëhen edhe realizatorë të drejtëpërdrejtë të vendimeve kundër shqiptarëve”, shtojnë nga ASh.
Qeveria e Maqedonisë së Veriut përpos heqjes së pozicionit “drejtorë ekonomikë të klinikave”, emëroi edhe disa drejtorë në institucione të rëndësishme të vendit.