RMV, u arrestuan tetë persona për ngjarjet në festën e 28 Nëntorit, tre në paraburgim tetë ditor

Tetë persona u arrestuan për shkelje në disa baza, me rastin e të festës së Ditës së Flamurit Shqiptar. Siç tha ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski në konferencën e sotme për media, katër nga ishin të arrestuarit janë privuar nga liria për pjesëmarrje në përleshje, ndërsa të tjerët për shkak të urrejtjes kombëtare, […]

Nëntor 30, 2024 - 01:00
 0  4
RMV, u arrestuan tetë persona për ngjarjet në festën e 28 Nëntorit, tre në paraburgim tetë ditor
Foto sceenshot nga grisja e flamurit të RMV-së dhe djegia e flamurit shqiptar në rrjetet sociale

Tetë persona u arrestuan për shkelje në disa baza, me rastin e të festës së Ditës së Flamurit Shqiptar. Siç tha ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski në konferencën e sotme për media, katër nga ishin të arrestuarit janë privuar nga liria për pjesëmarrje në përleshje, ndërsa të tjerët për shkak të urrejtjes kombëtare, racore dhe fetare, përçarje dhe intolerancë. Prokuroria Themelore Publike në Shkup ka propozuar deri te gjykatësi i procedurës paraprake paraburgim për tre persona, ndërsa Gjykata Themelore Penale Shkup të treve ua ka caktuar masën e paraburgimit prej 8 ditësh, për shkak të rrezikut të arratisjes dhe përsëritjes së veprës penale, transmeton Portalb.mk. Akuzohet edhe një i mitur, i cili do të gjykohet në bazë të ligjit për drejtësi për fëmijët.

Prokuroria raportoi se të dyshuarit më 28 nëntor në periudhën mes orës 20:00 dhe 23:00, në bulevardin “Krste Misirkov” në Shkup kanë djegur flamurin dhe simbolet nacionale.

Të arrestuarit, thotë ministri, janë të rinj të moshës 18, 19, 20 dhe 21 vjeç dhe njëri prej tyre është edhe i mitur.

“Katër persona janë arrestuar pasi kemi dyshim të arsyeshëm se kanë kryer veprën penale 319 të Kodit Penal, që ka të bëjë me nxitjen e urrejtjes, përçarjes dhe intolerancës kombëtare, racore dhe fetare dhe ku dënimi minimal është një vit burg me kusht. Ndaj këtyre katër personave do të ngrihen kallëzime përkatëse penale”, tha Toshkovski.

Ministri bëri të ditur se sot dhe në ditët në vijim do të jenë shumë të tjerë që do të thirren për bisedime dhe që janë të përfshirë në këto aksione.

Duke u bërë thirrje të të gjithë qytetarëve që kanë informacione t’i dorëzojnë në MPB, pa marrë parasysh se a janë incizime, fotografi, deklarata, Toshkovski tha se nga incizimet në rrjetet sociale e kanë pastruar rastin e grisjes së flamurit të Maqedonisë dhe pas tij është një person me automjet të kuq dhe është arrestuar.

Lidhur me faktin se gjatë festës së djeshme në Shkup janë dëgjuar edhe të shtëna, Toshkovski tha se do të ngrihet kallëzim penal ndaj kujtdo për të cilin sigurohen prova adekuate.

Sipas tij, në shumicën e qyteteve janë organizuar festime që kanë qenë kryesisht kulturore dhe njerëzit janë tërhequr nga ato ngjarje pas përfundimit, por në Shkup, siç tha ai, grisja e flamurit dhe të shtënat me armë kanë qenë të papranueshme.

I pyetur nëse personat e arrestuar pas marrjes në pyetje kishin informacione se mund të ishin udhëzuar për këtë, Toshkovski tha se në këtë pjesë nuk dëshiron të hyjë në detaje lidhur me provat.

“Sigurisht që çdo lidhje me këto ngjarje do të hetohet dhe do të dalë në dritë”, tha ai.

Lidhur me reagimin e BDI-së se policia ka shkaktuar tensione të panevojshme, Toshkovski tha se mund të ketë qenë skenari i tyre i dëshiruar dhe policia është përgjigjur në mënyrën më profesionale dje në mbrëmje.

Pançe Toshkovski. Foto printscreen nga MIA
Pançe Toshkovski. Foto printscreen nga MIA

Reagime për grisjen e flamurit të RMV-së

Në lidhje me ngjarjet e mbrëmshme, sot ka reagime nga partitë në pushtet, por edhe nga opozita, ndërsa Prokuroria tha se po ndërmerren veprime për zbardhjen e ngjarjes. Pas incidentit, sot nga Prokuroria Publike kanë thënë se po ndërmerren veprime për zbardhjen e ngjarjes.

VMRO-DPMNE në pushtet dhe LSDM opozitare e dënuan incidentin.

LSDM-ja opozitare kërkoi nga ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski që të veprojë urgjentisht dhe MPB-ja të marrë të gjitha masat e nevojshme për sanksionimin e kryerësve të këtyre veprimeve të pamenduara dhe të dëmshme.

Partia në pushtet reagoi poashtu ndaj thirrjeve fyese. Sipas VMRO-DPMNE-së, veprimet e tilla kanë prapavijë politike, dhe krijuesit e tyre, përmes temave dhe ndarjeve etnike, duan të afirmohen në diskursin publik në mungesë të një oferte reale politike.

Еdhe Bashkimi Demokratik për Integrim dënoi aktin, siç thonë, individual, të djegies së flamurit shtetëror, që sipas BDI-së erdhi si reagim ndaj ndërhyrjes së panevojshme të policisë.

“Dënojmë ashpër ndërhyrjen e paprecedent  të policisë gjatë festimeve të Ditës së Flamurit Shqiptar, një ditë me rëndësi të jashtëzakonshme për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut dhe në mbarë botën. Kjo ndërhyrje, në vend që të ruante rendin publik, provokoi tensione të panevojshme dhe krijoi një klimë konfrontimi, duke cenuar të drejtën për të festuar lirshëm këtë ditë simbolike. Në këtë kontekst, është e papranueshme dhe e turpshme që VMRO-DPMNE dhe forca të tjera politike po përpiqen të shfrytëzojnë këto incidente për të ndërtuar një narrativë të rreme që kriminalizon çdo pozicion shqiptar. Kjo tendencë për të përfaqësuar shqiptarët si mbështetës të agjendave kriminale është një sulm ndaj identitetit dhe dinjitetit tonë kolektiv dhe një përpjekje për të mbuluar agjendën e tyre të korruptuar”, thonë nga BDI.

Koalicioni VLEN, partner i VMRO-së në pushtet, vlerëson se rasti është inskenuar nga siç thonë ata qarqe të cilat dëshirojnë destabilizimin e vendit, duke dënuar ashpër aktin në fjalë.

Pas një dite festive si asnjëherë me parë më 28 Nëntor, teksa jehonte kënga e vallja shqipe gjithandej vendit, mesa duket kjo atmosferë festive nuk u shkoi përshtati atyre që u prish rahatia nga karriget e pushtetit. Në fund të ditës u lajmëruan këto qarqe të cilat dëshirojnë destabilizimin e vendit. Jo, se e duan shtetin, por se u mungon pushteti.  Koalicioni VLEN dënon ashpër këto akte të papranueshme që kanë ndodhur mbrëmë gjatë festës së Pavarësisë së Shqipërisë, ku janë përdhosur flamujt shtetërorë në mënyrë të turpshme, pamje që janë bërë sot publike nga mediat vendore.  Bëjmë thirrje për maturi dhe respekt të ndërsjellë, sepse ndezja e një flamuri është ndezje e marrëdhënieve ndëretnike në këtë shtet. Dhe, kjo gjë nuk i shërben as atyre që i nxisin, pra askujt tjetër, aq më pak qytetarëve”, thonë nga koalicioni VLEN.

Aleanca për Shqiptarët, krahu i Taravarit, kërkojnë që MPB të zbulojë edhe autorët e djegies së flamurit shqiptar, gjë të cilën VLEN, thonë nga ASh, nuk guxon as ta përmendë.

“I bëjmë thirje Ministrisë së Punëve të Brendshme që të veprojë me urgjencë dhe ashtu siç veproi me zbulimin e autorëve të flamurit shtetëror, me të njëjtën urgjencë të veprojë edhe ndaj atyre që dogjën flamurin shqiptar. Nëse ky veprim do të mungojë atëherë do të sillet edhe një herë në pah se ligji dhe organet ligjzbatuese janë selektive në këtë shtet dhe se ato veprojnë vetëm kur duhet të ndëshkohen shqiptarët. Ju bëjmë thirrje edhe humbësve në Qeveri, koalicionit vlen, që të angazhohen një herë të vetme në favor të shqiptarëve, në mbrojtje të flamurit kombëtar dhe në sjelljen e drejtësisë dhe barazisë së qytetarëve në vend. Është skandaloz reagimi i tyre ku nga fillimi deri në fund nuk nuk guxojnë as të përmendin djegien e flamurit kombëtar shqiptar. A thua vallë reagimet ua shkruan dikush tjetër dhe ata vetëm i përkthejnë!? Sjellja e këtillë selektive e institucioneve vetëm ndaj një bashkësie etnike, duke toleruar e priviligjuar një bashkësi tjetër i shërben vetëm thellimit të hendekut ndëretnik, rritjes së mosbesimit të qytetarëve ndaj shtetit dhe diskriminimit institucional”, thonë nga ASH.
Nga ana tjetër, partia Koncepti maqedonas madje, ngjarjet e djeshme i quan “kërcënim terrorist për rendin kushtetues dhe duhen trajtuar në përputhje me nenin 313 të KP”, i dënueshëm më së paku 10 vjet.

“Strukturat kriminale dhe bandat marksiste-leniniste të vendosura në vend gjatë periudhës komuniste janë promovues të shovinizmit etnik shqiptar, i cili është një katalizator për destabilizimin e NATO-s dhe parandalimin e zgjerimit të BE-së në Ballkan. Është e nevojshme të dënohet dhe sanksionohet edhe nga faktorë ndërkombëtarë. Presim një reagim nga BE-ja dhe NATO-ja në këtë drejtim, veçanërisht nga partneri strategjik SHBA”, thonë nga kjo parti.

U dogj edhe flamuri shqiptar

Një grup i njohur si “Shoqëria Patriotike” qëndroi në “mbrojtje të maqedonizmit dhe dogji flamurin shqiptar”.  Një profil i që shet nacionalizëm në rrjetet sociale, i cili shpesh merret me çështje ndëretnike në mbrëmje pas ngjarjeve dhe pas raportimeve në media, ka postuar një video në të cilën i vihet flaka edhe flamurit shqiptar.

Një hap i tillë i hodhi benzinë ​​zjarrit dhe u bë një provokim tjetër që jo vetëm minon mirëkuptimin ndëretnik, por inkurajon edhe gjuhën e urrejtjes dhe dhunën. Ajo që është karakteristike është se pothuajse asnjë media në gjuhën maqedonase nuk ka raportuar për djegien e flamurit shqiptar, e nga ana tjetër, mediat në gjuhën shqipe kanë raportuar për djegien e flamurit maqedonas. Të rralla ishin edhe mediat që përveç shkarkimit të videos, patën një vlerësim kritik të ngjarjes.

BDI dhe Aleanca për Shqiptarët, shprehën shqetësim për, siç thanë, “qasjen selektive dhe të njëanshme të policisë”, e cila ka marrë masa vetëm ndaj qytetarëve shqiptarë të përfshirë në incidente.

“Kjo ndërhyrje, në vend që të ruante rendin publik, provokoi tensione të panevojshme dhe krijoi një klimë konfrontimi, duke cenuar të drejtën për të festuar lirshëm këtë ditë simbolike”. thanë nga Aleanca, krahu i Selës.

“I bëjmë thirrje institucioneve të veprojnë me maturi, profesionalizëm dhe paanshmëri, pa dallim, dhe duke garantuar të drejtën e qytetarëve për të shprehur lirshëm identitetin dhe kulturën e tyre. Në të njëjtën kohë, ftojmë qytetarët shqiptarë dhe të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut që të ruajnë qetësinë, dinjitetin dhe unitetin, duke mos rënë pre e provokimeve dhe manipulimeve të atyre që synojnë të përçajnë dhe të destabilizojnë vendin”, u tha në reagimin e BDI-së.

Kreu i Kuvendit, Afrim Gashi në pyetjen e gazetarëve se si e komenton arrestimin e personave të mbrëmshëm pas ngjarjeve që ndodhën në Ditën e Flamurit, e mos ndërmarrjen e asnjë mase për kryerësit që dogjën flamurin shqiptar, thotë se nuk i di detajet, por e dënon rastin.

“Nuk jam në rrjedha për detajet, vetëm e di në parim. Mund të ju them se djegia e flamujve nuk ju shërben askujt, qoftë shqiptar apo maqedonas, turk, vlleh apo çkadoqoftë. Ndjenjat e patriotizmit duhet t’i kemi drejt shtetit të cilit jetojmë, duke i kultivuar dhe respektuar flamujt tanë. Mund të shfaqim ndjenjë të patriotizmit, mirëpo duke denigruar, shkelur apo djegur flamuj të tjerë, kjo flet keq për secilin që e bën një veprim të atillë. Dhe unë jam kundër kësaj dhe mendoj se një njeri që e bën një veprim të atillë është në kundërshtim me interesat e këtij shteti, me interesat kombëtare, qoftë shqiptare apo maqedonase, por edhe të komuniteteve të tjera”, tha Gashi.

LEXO: Paraburgim për tre qytetarët për nxitje të urrejtjes ndëretnike në Maqedoninë e Veriut, të përfshirë në incidentin me flamurin e RMV-së