Për vajzat pajë kurse për djemtë e gjithë pasuria, zakonet para ligjit në RMV
Është bukur të jesh në takat e gruas në Maqedoni, por realiteti i ashpër na godet me shuplakë. Prandaj është e rëndësishme që çdo grua t’i dijë të drejtat e saj. Këtë, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, e tha studentja e gazetarisë Sofija Bislimovski. Ajo me fjalimin “Në takat e gruas në […]
Është bukur të jesh në takat e gruas në Maqedoni, por realiteti i ashpër na godet me shuplakë. Prandaj është e rëndësishme që çdo grua t’i dijë të drejtat e saj. Këtë, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, e tha studentja e gazetarisë Sofija Bislimovski. Ajo me fjalimin “Në takat e gruas në Maqedoni”, ajo fitoi mbrëmjen e oratorisë “Ivo Puhan”, e cila u mbajt më 2 dhjetor në Fakultetin Juridik “Justinian I” në Shkup, transmeton Portalb.mk.
Në fjalimin e saj pas fitores ajo e dënoi diskriminimin dhe indiferencën e shoqërisë ndaj të drejtave të grave.
“Të gjithë duhet të jemi të barabartë, kjo është gjëja më e rëndësishme. Sepse, në fund të fundit, të gjithë jemi njerëz”, thotë Bislimovski.
A janë vajzat dhe djemtë të barabartë në trashëgimin e pasurisë?
Çfarë fitojnë gratë që kanë vëllezër kur ndahet trashëgimia e familjes? Organizata e Grave të komunës së Manastirit kohëve të fundit ka realizuar një hulumtim në këtë temë.
Për vajzën çeiz ose pajë, të dakorduar mes krushqve të ardhshëm para dasmës. Për djalin – e gjithë pasuria. Kështu ka qenë dikur, por diku kështu është edhe sot, thotë kryetarja e organizatës, Svetllana Petkovska.
Ajo dhe kolegët e saj aktiviste analizuan se si prindërit në zonat rurale të Manastirit e ndajnë pronën mes trashëgimtarëve të tyre.
“Po ktheheshim mbrapa, në vitet 40-50 kur legjislacioni nuk ishte i vendosur kaq prerë si sot. Që atëkohë vendi ka përparuar, rregulloret ligjore po përmirësohen dhe parashikojnë që të gjithë fëmijët të kenë të drejtë të barabartë në trashëgiminë. Por tek disa ende është e pranishme stigma dhe turpi për atë se çfarë do të thonë të tjerët nëse e kuptojnë që trashëgiminë nuk ia keni shkruar vetëm djalit, por edhe vajzës. Ende është turp, të paktën në vendin tonë, në zonat rurale, që motra të kërkojë një pjesë të pronës. Mendojnë se po e kërkojnë nga vëllai i tyre”, thotë Petkovska.
Në kuadër të projektit të titulluar “Edhe fëmijët e gjinisë femërore janë fëmijë gjatë ndarjes së pasurisë së prindërve” në dhjetë fshatra të Manastirit ato kanë biseduar me nga dhjetë gra, ose me gjithsej 100, për të parë se si është praktika sot.
“Te mbi 80% të të anketuarve nga familjet me një vëlla dhe një motër, vajzat nuk kanë marrë kurrfarë prone nga prindërit e tyre. Disa prej tyre thanë se kur kanë shkuar të jetonin në shtëpinë e prindërve të tyre, që mendonin se ishte e tyre, e kanë kuptuar se prindërit ia kishin dhënë pronën vëllait të tyre. Vetëm 22% e vëllezërve që e kanë marrë të gjithë pronën e kanë “kompensuar” në ndonjë mënyrë motrën ose motrat e tyre, por në mënyrë simbolike. Në një rast kur shtëpia i është dhënë vëllait, ai u ka dhënë nga 500 euro nipërve të motrës”, shton aktivistja.
Si ndahet trashëgimia në mjediset rurale të Manastirit?
Në anketën e Organizatës së Grave të Manastirit në kuadër të projektit “Edhe fëmijët e gjinisë femërore janë fëmijë gjatë ndarjes së pasurisë së prindërve”, janë përfshirë 100 gra në moshë nga 42 deri në 82 vjet nga 10 fshatra në këtë komunë.
- Në familjet me një djalë dhe me një vajzë, në 82% e rasteve pronën e prindërve e ka trashëguar djali
- Në familjet me dy djem dhe një vajzë, në 48% e rasteve pronën e prindërve e kanë trashëguar djemtë, ndërsa në 52% të rasteve prona u është ndarë të gjithëve në mënyrë të barabartë
- Në familjet me dy vajza dhe një djalë, në 38% e rasteve prona u është ndarë të gjithëve në mënyrë të barabartë
Në 78 % e rasteve të analizuara, prona është ndarë pas vdekjes së prindërve, ndërsa në 22% të rasteve prona është ndarë gjatë kohës kur prindërit kanë qenë ende gjallë
Me rritjen e numrit të fëmijëve në familje, ndarja e pasurisë është më e barabartë. Përjashtim gjatë hulumtimit kanë qenë dy familje me gjashtë fëmijë, në të cilat pronën e ka marrë njëri nga djemtë.
Analiza ka treguar se 62% e grave të cilat nuk kanë marrë pronë nga prindërit, nuk mendojnë që në të ardhmen ta ndajnë trashëgiminë në mënyrë të barabartë mes fëmijëve të tyre.
Ndërsa 87% e të anketuarave kanë thënë se “marrëdhëniet midis vëllezërve dhe motrave janë ftohur” pas ndarjes së pasurisë.
Zakonet kundrejt normave ligjore
Ndarja e trashëgimisë është e rregulluar në Ligjin për Trashëgiminë dhe mund të jetë ligjore ose testamentare.
Profesori Dejan Mickoviq, i cili ligjëron të Drejtën Familjare dhe të Drejtën Trashëgimore në Fakultetin Juridik pranë UKM-së, thotë se normat ligjore janë të qarta dhe precize dhe sipas tyre, të gjithë trashëgimtarët kanë të drejta të barabarta, pavarësisht gjinisë dhe pavarësisht nëse janë fëmijë të lindur në martesë ose janë jashtëmartesorë.
“Në të shumtën e rasteve trashëgimia në Maqedoni ndahet në vijën e parë juridike të trashëgimisë, ku hyjnë bashkëshortja e trashëgimlënësit dhe fëmijët, djemtë dhe vajzat e tij dhe pasuria ndahet në pjesë të barabarta, thotë profesori Miçkoviq.
Ai thotë se zakonet kanë një ndikim më të madh në zonat rurale.
“Ka situata, sidomos në zonat rurale, ku respektohen disa rregulla zakonore tradicionale dhe si trashëgimtarë shfaqen vetëm pasardhësit meshkuj të trashëgimlënësit. Nuk mendoj se kjo praktikë është shumë e përhapur, por ende ekziston. Konsiderohet se nëse kur vajzat janë martuar prindërit u kanë dhënë njëfarë paje, se në atë mënyrë marrin një pjesë të trashëgimisë. Por kjo është çështje normash dhe rregullash”, shton profesori.
Disa as që e dinë se çfarë ju takon
58 nga gjithsej 100 gra të anketuara në Manastir vullnetarisht kanë hequr dorë nga pjesa e tyre në favor të vëllait të tyre.
Ndërgjegjësimi për të drejtat që i gëzojnë gratë është shumë i ulët. Kjo është përshtypja e përgjithshme nga bisedat me një numër të madh të grave, të cilat për arsye të ndryshme kanë kërkuar ndihmë juridike falas në Komitetin e Helsinkit, thotë profesoresha e Të drejtës obligative dhe të së drejtës së pronës intelektuale, Neda Zdraveva, e cila është pjesë e Kuvendit të Komitetit të Helsinkit.
Ajo thotë se gratë shumë shpesh nuk janë të vetëdijshme se para ligjit janë po aq pronare sa edhe bashkëshortët e tyre.
“Sidomos kur bëhet fjalë për të drejtat nga marrëdhënia e punës, të drejtat pronësore, duke përfshirë këtu edhe të drejtat në procedurat trashëgimore, ata nuk e dinë se absolutisht as ligji, as gjykata, e as noteri nuk kërkon që ato të heqin dorë, gjë që zakonisht e bëjnë në favor të pasardhësve apo vëllezërve të tyre meshkuj”, thekson Zdraveva.
Asnjë grua nuk ka kërkuar asnjëherë ndihmë juridike falas nga Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në fushën e mbrojtjes dhe ushtrimit të të drejtave të saj trashëgimore.
“Por ka një statistikë tjetër sipas së cilës në pothuajse 90 përqind të rasteve kur gratë viktima të dhunës kërkojnë ndihmë juridike falas nga Komiteti i Helsinkit, në të njëjtën kohë ato janë të varura financiarisht nga personi nga i cili e vuajnë atë dhunë në familje. Në të shumtën e këtyre rasteve ata nuk kanë pronë të tyre, ose pronën e fituar në martesë nuk e shohin fare si pronë të tyre”, shton profesoresha Zdraveva.
Organizata e Grave nga Komuna e Manastirit planifikon të vazhdojë me këto analiza. Ata ende nuk e kanë eksploruar mjedisin urban, por edhe aty thonë se priten rezultate të ngjashme.
“Treguesit do të jenë shumë interesantë, por jo tani, ndoshta pas 10 apo 15 vitesh, nëse anketojmë se si gratë më të pasura, sepse tashmë kemi biznesmene, biznesi i të cilave është mjaft i suksesshëm, do t’ua ndajnë ato si gra trashëgimtarëve të tyre. Do të jetë interesante”, thotë kryetarja e organizatës, Petkovska.
Sipas profesoreshës Zdraveva, qenësore është që të ngrihet vetëdija se gratë kanë të drejta dhe se përveç kuptimit tradicional për arë se cili është roli i fëmijës mashkull, kundrejt rolit të fëmijës femër në familje, asgjë tjetër nuk i pengon ato për të trashëguar në mënyrë të barabartë prindërit si edhe vëllezërit e tyre.