Plani Gjeneral Urbanistik për Tetovën pritet të miratohet në vitin 2026
Nëse procedurat ecin sipas planifikimit, plani gjeneral urbanistik për Komunën e Tetovës pritet që të sillet në vitin 2026. Kështu bëri të ditur kreu i Tetovës Bilall Kasami, raporton Portalb.mk. Pavarësisht se Kasami më herët pati premtuar se plani gjeneral do të miratohej më herët, ai tha se ky proces është tejzgjatur për shkak të […]
Nëse procedurat ecin sipas planifikimit, plani gjeneral urbanistik për Komunën e Tetovës pritet që të sillet në vitin 2026. Kështu bëri të ditur kreu i Tetovës Bilall Kasami, raporton Portalb.mk.
Pavarësisht se Kasami më herët pati premtuar se plani gjeneral do të miratohej më herët, ai tha se ky proces është tejzgjatur për shkak të problematikave të ndryshme në këto tre vite.
“Ka pasur disa modalitete të zgjidhjes së këtij problemi dhe të cilat e kanë tejzgjatur procesin”, tha Kasami.
Ai sqaroi se fillimisht kishte pasur pajtim me qeverinë e kaluar për planin gjeneral, por kjo pati dështuar.
Kasami paralajmëroi se kanë gjetur kompani private e cila më shumë se gjysmën e shpenzimeve për përpilimin e planit gjeneral do i mbulojë.
“Në bazë të dinamikës së fundit parashihet që brenda 15 muajsh të kemi draftin e parë të planit gjeneral për Tetovën”, tha Kasami.
Nëse do shkojë gjithçka në bazë të kësaj dinamike, brenda 15 muajsh plani pritet të dorëzohet në Ministri të Transporti.
“Nëse gjithçka është në rregull dhe nuk zgjatë më shumë se një muaj konfirmimi nga Ministria e Transportit, mendoj se në vitin 2026 ne duhet të kemi planin gjeneral për Tetovën”, tha Kasami.
Kujtojmë që kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami në periudhën parazgjedhore premtoi se në gjashtë mujorin e parë me Komunën e Tetovës do miratohet plani gjeneral urbanistik, por kjo nuk u bë.
Miratimi i planit gjeneral urbanistik është nevojë e madhe për qytetin pasi shihet si zgjidhje për zvogëlimin e kaosit në trafik dhe ndërtimeve. Për herë të fundit plani gjeneral urbanistik u miratua në vitin 2003. Në vitin 2019 filloi procedura për sjelljen e një plani të ri, por kjo ngeci.
Me miratimin e planit të ri gjeneral urbanistik parashihet të zbutet kaosi urban në Tetovë, përmes zgjerimit të hapësirave, rrugëve, bulevardeve, parqeve dhe të tjera.