Policia e RMV-së për një ditë ka marrë në bisedë informative tetë persona për shkak përdorimit të dronit

Në stacionin policor në Shkup dhe Koçani janë marrë tetë persona në bisedë informative për shkak se kanë përdorur dron për incizim të protestave që u mbajtën në këto dy qytete, transmeton Portalb.mk. “Në stacionin policor “Qendër” në Shkup, është kryer bisedë informative me S.M. nga Sopishta, J.S. nga Koçani, E.Sh. nga Shkupi, J.P. nga […]

Mars 20, 2025 - 02:00
 0  4
Policia e RMV-së për një ditë ka marrë në bisedë informative tetë persona për shkak përdorimit të dronit
18.03.25 Protesta në Shkup për tragjedinë e zjarrit në Koçan. Foto nga Fisnik Xhelili Portalb.mk

Në stacionin policor në Shkup dhe Koçani janë marrë tetë persona në bisedë informative për shkak se kanë përdorur dron për incizim të protestave që u mbajtën në këto dy qytete, transmeton Portalb.mk.

“Në stacionin policor “Qendër” në Shkup, është kryer bisedë informative me S.M. nga Sopishta, J.S. nga Koçani, E.Sh. nga Shkupi, J.P. nga Shkupi, M.D. nga Shkupi, M.J. nga Manastiri dhe M.Gj. nga Republika e Serbisë”, sqaroi Policia.

Policia sqaroi që në bisedë informative në stacionin policor në Koçani është marrë 38 vjeçari A.D. nga Bullgaria.

Të gjithë janë arrestuar për shkak se “kanë kryer incizime pa marrë leje përkatëse nga institucionet përgjegjëse”.

Ndryshe, Agjencia për Aviacion Civil sot (19 mars) ka publikuar tetë pikat e Maqedonisë së Veriut ku është ndaluar përdorimi i dronëve: Koçani, Shtipi me rrethinë, Çeshinovao – Obleshevo, Strumica me rrethinë, Probishtipi me rrethinë, Makedonska Kamenica me rrethinë, Vinica dhe Shkupi (varrezat në Bute, Gjorçe Petrov, Lisiçja e Epërm dhe Nezeri i Epërm).

Ndryshe, dy gazetarë të Televizionit TV21 dhe një gazetar i Agjencisë “Reuters”, shtetas të Republikës së Serbisë, më 19 mars janë mbajtur në stacionin policor “Qendër”, pasi e kanë incizuar me dron protestën e mbajtur në sheshin “Maqedonia” në Shkup. Agjencia e Aviacionit Civil dje (18 mars) ka njoftuar se ka ndaluar përdorimin e dronëve në hapësirën e Koçanit dhe Shtipit në këtë periudhë.

Mijëra protestues u mblodhën më 18 mars në sheshin e qytetit të Shkupit për të shprehur pakënaqësinë e tyre në lidhje me tragjedinë që kanë ndodhur në Koçan. Protesta ishte e qetë dhe filloi me një heshtje të trishtë 16 minutëshe. Qytetarët paralajmëruan se do të ketë sërish tubime të tilla.

Në zjarrin që ndodhi më 16 mars në Koçani, kanë humbur jetën 59 persona, ndërsa kishte 196 të lënduar që trajtohen brenda dhe jashtë vendit.

Sipas hetimeve të deritanishme nga institucionet, diskoteka nuk kishte rrjet hidranti dhe mjaftueshëm aparate PP, përdoreshin materiale piroteknike në mënyrë të paligjshme, nuk kishte as leje pune të ligjshme dhe nuk ishte lidhur asnjë kontratë me shkrim mes organizatorit dhe grupit interpretues.