Prokuroria ankimoi arrestin shtëpiak për Asmir Jahoskin dhe kërkoi masë efektive

Prokuroria themelore publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit ka ankimuar vendimin me të cilin nuk është pranuar propozimi i prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit dhe të dyshuarit Asmir Jahoski,  i është caktuar masa e arrestit shtëpiak dhe masa e kujdesit – konfiskim i dokumentit të udhëtimit dhe ndalim për lëshimin […]

Mars 13, 2025 - 15:00
 0  3
Prokuroria ankimoi arrestin shtëpiak për Asmir Jahoskin dhe kërkoi masë efektive
Prokuroria Themelore Publike, Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Prokuroria themelore publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit ka ankimuar vendimin me të cilin nuk është pranuar propozimi i prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit dhe të dyshuarit Asmir Jahoski,  i është caktuar masa e arrestit shtëpiak dhe masa e kujdesit – konfiskim i dokumentit të udhëtimit dhe ndalim për lëshimin e dokumentit të ri të udhëtimit, transmeton Portalb.mk.

“Të pakënaqur me këtë vendim, Prokuroria Themelore për Krim të Organizuar dhe Korrupsion paraqiti ankesë brenda afatit të vendosur ligjërisht në Këshillin Penal në Gjykatën Themelore Penale – Shkup për shkak të shkeljes esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe kërkoi nga Këshilli Penal që t’i rishqyrtojë faktet që përmban ankesa, si dhe faktet vendimtare në bazë të të cilave është miratuar aktvendimi i ankimuar”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Ndryshe, Gjykata dje ka dhënë shpjegim se pse Jahoskit i është shqiptuar arrest shtëpiak. Në shpjegimin e vendimit theksohet se:

“Gjyqtari i procedurës paraprake me rastin e marrjes së vendimit ka marrë parasysh rrethanat e theksuara në propozimin e prokurorisë, por në të njëjtën kohë ka marrë parasysh rrethanat subjektive nga ana e të dyshuarit, gjegjësisht se i njëjti me vendim të Gjykatës Themelore Civile Shkup është kujdestar i katër fëmijëve të tij, tre prej të cilëve janë të mitur, se ka lidhje solide me shtetin dhe kompaninë e tij me disa punonjës, si dhe se gjendja e tij shëndetësore është e dëmtuar, për çka ka dorëzuar dokumentacion.

Të gjitha këto rrethana, të theksuara në vendim, shkojnë në favor të uljes së rrezikut të arratisjes dhe në drejtim të justifikimit të përcaktimit të masës më të butë për sigurimin e pranisë. Kështu, gjyqtari i procedurës paraprake, duke mos pranuar propozimin e prokurorisë, vendosi që të dyshuarit t’i shqiptohet arrest shtëpiak, dhe njëherësh vlerësoi se janë plotësuar kushtet që t’i shqiptohet masa e sigurimit – konfiskim i dokumentit të udhëtimit dhe ndalim për lëshimin e dokumentit të ri të udhëtimit, thotë prokuroria.

Ndryshe, Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) në kuadër të aksionit policor për furnizimet e dyshimta të derivateve ka privuar nga liria njëmbëdhjetë persona, një është në arrati, ndërsa një tjetër në paraburgim. MPB ka paraqitur edhe kallëzime penale kundër 13 personave fizikë dhe një personi juridik. Mes tyre janë ish-drejtori i Qendrës Sportive “Boris Trajkovski”, Ratko Kapushevski, djali i deputet të BDI-së, Ismail Jahoskit, Armir Jahoski, si dhe ish drejtori i EMV-së, Vasko Kovaçevski i cili kërkohet me fletarrest ndërkombëtar sepse është i dyshuar edhe në rastin “Aditiv”.