RMV-ja e festoi Shën Savën: Nga mesazhet e paqes në propagandën proruse

Më 27 janar u kremtua Shën Sava, një nga personalitetet më të rëndësishëm të historisë dhe kulturës serbe, i njohur si themeluesi i Kishës Ortodokse Serbe dhe udhëheqës shpirtëror i popullit serb. Komuniteti serb në Maqedoni, si pjesë e rëndësishme e shoqërisë multikulturore, organizoi një festë ku morën pjesë përfaqësues të rëndësishëm nga komunitete dhe […]

Jan 30, 2025 - 15:00
 0  4
RMV-ja e festoi Shën Savën: Nga mesazhet e paqes në propagandën proruse
Kryetari i Republikës Sërbska, Millorad Dodik, ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Bratisllav Gashiq, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Ivan Stoillkoviq dhe prijësi i Kishës Ortodokse Serbe, Porifirij (nga ana e majtë në të djathtë në radhën e parë) | Burimi i fotografisë: Faqja në Facebook e Hristijan Mickoskit.    

Më 27 janar u kremtua Shën Sava, një nga personalitetet më të rëndësishëm të historisë dhe kulturës serbe, i njohur si themeluesi i Kishës Ortodokse Serbe dhe udhëheqës shpirtëror i popullit serb. Komuniteti serb në Maqedoni, si pjesë e rëndësishme e shoqërisë multikulturore, organizoi një festë ku morën pjesë përfaqësues të rëndësishëm nga komunitete dhe institucione të ndryshme. Në mesin e të pranishmëve ishin kryeministri Hristijan Mickoski, kryetari i Parlamentit të Republikës së Malit të Zi, Andrija Mandiq, presidenti i Republikës Sërbska, Millorad Dodik, ministri serb i Mbrojtjes Bratisllav Gashiq, patriarku serb Porfirij dhe kryepeshkopi maqedonas H.T. Stefan, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Në festë, përveç mesazheve të paqes, dashurisë dhe progresit të përbashkët, kishte deklarata që përsërisnin qëndrime të njohura nga propaganda proruse, si dhe kritika të ashpra ndaj Bashkimit Evropian dhe NATO-s. Deklaratat i dhanë dimension politik evenimentit, i cili megjithëse i kushtohej shënimit të një momenti të rëndësishëm shpirtëror e kulturor, nuk ishte i çliruar nga ngjyrimet politike. 

Presidenti i Republikës Sërbska, Millorad Dodik, në fjalën e tij tha se “serbët sot kanë dy shtete në Ballkan – Republika Sërbska dhe Serbia” dhe se “populli serb nuk i ka përlyer duart në luftën civile në Bosnje dhe Hercegovinë. “ 

Dhe gjenocidin e Srebrenicës e quajti një gënjeshtër e Xho Bajdenit dhe administratës së tij. 

Ai më tej e krahasoi këtë situatë me luftën në Ukrainë, për të cilën tha se Rusia në krye me Vlladimir Putinin bën gjithçka që është e mundur për të mbrojtur pakicën ruse në Ukrainë. Duke shprehur keqardhje që në konflikt doemos duhet të ketë viktima. Ai më pas iu drejtua edhe Bashkimit Evropian, duke pohuar se hipokrizinë e saj e ka dëshmuar përmes shembullit të Maqedonisë dhe se është dashur të mendojë nëse të vazhdonte në atë rrugë. 

“Ne jemi në rrugën evropiane, por shohim se është pikërisht ajo Evropa që është turpëruar më së shumti me Maqedoninë e Veriut, e cila ka bërë shumë lëshime dhe ka fituar pak nga ajo Evropë.” “Dhe një ditë do të duhet të ndalemi dhe të mendojmë mirë nëse do të vazhdojmë në këtë rrugë,” tha Dodik. 

Mickoski nuk ka pritur që Dodik të fliste kështu 

Kryeministri Hristijan Mickoski këtë eveniment e pa si frymëzim për krijimin e një shoqërie që do të jetë shembull për rajonin. 

Mirëpo, pas reagimeve të ashpra mediatike për fjalimin e Dodikut, ai ndërroi mendje dhe në konferencën e sotme për shtyp deklaroi se nuk është dakord me narrativët kundër BE-së dhe NATO në evenimentin në të cilën ishte në radhën e parë dhe njëkohësisht edhe mbajti fjalim. 

“Për sa i përket fjalimit me përmbajtje anti-BE dhe NATO dhe ngjashëm, unë e refuzoj kategorikisht dhe nuk jam absolutisht dakord me të dhe realisht nuk e prisja që ai do ta keqpërdorë evenimentin duke dërguar mesazhe të tilla, sepse në fund të fundit ishte një akademi solemne” “dhe jo një vend ku dërgohen këto lloj mesazhesh politike,” tha Mickovski. 

Zëvendëskryeministri Ivan Stoilkoviq si organizator e shfrytëzoi këtë eveniment për të shprehur mbështetjen për presidentin serb Aleksandar Vuçiq dhe më pas për t’u takuar me Millorad Dodik në ambientet e ministrisë. 

“Diznilend nekrofil” 

Partia e boshnjakëve në vend, Lidhja Demokratike Boshnjake, reagoi ndaj vizitës së Dodik tek zëvendëskryeministri dhe ministri për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive Stoilkoviq, duke thënë se takimi vë në pikëpyetje strategjinë e shtetit për integrime evropiane dhe marrëdhënie ndërkombëtare. 

“Zëvendëskryeministri dhe ministri për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive, Ivan Stoilkoviq, në Qeverinë e Maqedonisë, u takua sot me Millorad Dodik në ambientet e ministrisë, i cili është në listën e zezë të SHBA-së për shkak të politikave të tij gjenocidale dhe korrupsionit”, thonë nga Lidhja Demokratike Boshnjake.

Sipas tyre, “kjo është një goditje e madhe për reputacionin e vendit tonë në komunitetin ndërkombëtar, me çka shtrohet pyetja nëse kjo qeveri kultivon vlera evropiane në kontekst të respektimit të të drejtave dhe lirive të njeriut dhe vlerave qytetëruese të përcaktuara me aktet ndërkombëtare”. 

Kjo nuk është hera e parë që Lidhja Demokratike Boshnjake reagon ndaj sjelljes së Ivan Stoilkoviqit. Ata vitin e kaluar ngritën padi penale kundër tij për mohimin dhe talljen e gjenocidit të Srebrenicës. 

Siç qëndron në njoftimin e tyre, ankesa ka të bëjë me deklaratën e Stoilkoviqit, pas vendimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme për të mbështetur Rezolutën e Kombeve të Bashkuara për shpalljen e 11 korrikut Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Gjenocidit të Srebrenicës, me ç’rast siç thonë, gjenocidin e ka quajtur “diznilend nekrofil”. 

Prishtina zyrtare hesht 

Autoritetet në Prishtinë nuk reagojnë në asnjë mënyrë pas skandalit me fjalimin e Dodikut dhe as më herët nuk kanë reaguar për përmendjen e Kosovës si Kosovë e Metohi në faqen zyrtare të Ministrisë për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive, e cila drejtohet nga Stoilkoviq. 

Portalb.mk që para pesëmbëdhjetë ditësh i drejtoi pyetje edhe Qeverisë së Kosovës edhe Ambasadës së Kosovës në Shkup, por ata nuk e kanë parë të nevojshme të përgjigjen. 

Lidhur me këtë, reagim kishte edhe nga partia kosovare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK). Sipas tyre, Republika e Maqedonisë ka për obligim që të sillet në përputhje me normat ndërkombëtare në lidhje me shtetin e Kosovës. 

Përndryshe, Maqedonia e njohu pavarësinë e Kosovës në tetor të vitit 2008, në kohën e qeverisë së Nikolla Gruevskit, kur ministër i Punëve të Jashtme ishte deputeti i njohur i VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshoski. 

Ky artikull është përgatitur në kuadër të projektit Rrjeti i Diversitetit 2.0 – Agjenda e Re.