RMV, kryeministri Mickoski i ka shitur hidrocentralet, ministrja Bozhinovska posedon kompani në Çeki
Kryeministri Hristijan Mickoski disa vite më parë posedonte tre hidrocentrale të vegjël – një në rajonin e Pehçevës dhe dy në rajonin e Berovës, për çka tha se dikur ka qenë pronar i 10% të investimit të përgjithshëm, shkruan Scoop, transmeton Portalb.mk. Pas dy vite e gjysmë Mickoski tha se nuk ka qenë pronar i hidrocentraleve të vegjël për një […]
Kryeministri Hristijan Mickoski disa vite më parë posedonte tre hidrocentrale të vegjël – një në rajonin e Pehçevës dhe dy në rajonin e Berovës, për çka tha se dikur ka qenë pronar i 10% të investimit të përgjithshëm, shkruan Scoop, transmeton Portalb.mk. Pas dy vite e gjysmë Mickoski tha se nuk ka qenë pronar i hidrocentraleve të vegjël për një kohë të gjatë.
“Unë për një kohë të gjatë nuk kam qenë pronar dhe realisht nuk jam i lidhur drejtpërdrejt dhe as indirekt me ndonjë prodhues të energjisë elektrike, qoftë në Maqedoni apo jashtë Maqedonisë,” tha ai.
Në vitin 2019 u publikua një raport i Bank Watch and World Wildlife Fund në të cilin thuhet se profesori i Hristijan Mickoskit, Koço Angjushev, posedon së paku 27 hidrocentrale të vegjël, ndërsa asistenti i tij dhe atëkohë lider i opozitës Mickoski posedon së paku 5 hidrocentrale.
Tani, në qeverinë e tij, tre ministra kanë kompanitë e tyre.
Bëhet fjalë për ministren e energjetikës, minierave dhe lëndëve të para minerale Sanja Bozhinovska, bashkëshorten e ministrit të mbrojtjes Vllado Misajllovski, e cila është pronare e një kompanie në komunën e Kisella Vodës, si dhe për bashkëshortin e ministres së financave Gordana Dimitrievska Koçovska i cili posedon një kompani në Shkup, tregon kështu hulumtimi i Skup.
Ministrja Bozhinovska posedon pasuri me vlerë të përgjithshme prej 547.234 euro.
Ajo ka dy apartamente në Qendër, toka bujqësore, dy apartamente në Spanjë, një në Serbi dhe një në Portugali. Bozhinovska gjithashtu ka një automjet Nissan, mjete në një llogari transaksionale dhe llogari devizore në Republikën Çeke, Spanjë dhe Portugali.
Ajo që është lëndë e analizës është kompania që ajo e posedon në Çeki ku ajo shfaqet si themeluese. Emri i kompanisë është “Sustainable services s.r.o.”.
Me atë lidhet edhe një skandal. Në publik u shpërndanë informacione se Bozhinovska ka edhe pasaportë bullgare. Ajo nuk i mohoi ato pretendime, por njoftoi se që nga fundi i vitit të kaluar ka filluar procedurë për heqjen e shtetësisë bullgare, por se procedura ende nuk ka përfunduar. Sipas pretendimeve, pasaporta bullgare asaj i nevojitej për të menaxhuar me kompani në Bullgari.
Gazeta bullgare Faktor publikoi se Sanja Bozhinovska ka një kompani në Bullgari, me të cilën në vitin 2012 ka bërë një qarkullim prej 65 milionë eurosh. Në atë kompani përmendet edhe Vuk Hamoviq, partner në biznes i Koço Angjushevit në kompaninë EFT dhe nënkryetar i qeverisë së Zoran Zaevit. Siç shkruan gazeta bullgare Faktor, Vuk Hamoviq është djali i Rade Hamoviqit, njërit prej gjeneralëve të UDBA-s, shërbimit sekret jugosllav.
Sa i përket ministrit të mbrojtjes Vllado Misajllovski, ai posedon një oborr, një shtëpi banimi, tokë nën ndërtesë, tokë ndërtimore, një automjet AUDI A6, llogari transaksionale, mjete në kartelë kreditore, kredi, leasing, si dhe mbitërheqje të lejuara në llogaritë transaksionale. Vlera e përgjithshme e pasurisë së tij është 241.460 euro.
Bashkëshortja e tij posedon një kompani, më saktësisht “Shoqëri për tregti dhe shërbime INFINITI GLOBAL SOLUTIONS import-eksport ShPKNjP” me seli në komunën e Kisella Vodës.
Media të caktuara për të shkruanin se menjëherë pas zgjedhjeve ka blerë një automjet Audi, me vlerë prej 30.000 euro.
Krahas Bozhinovska-s dhe Misajllovski-t, kompani posedon edhe bashkëshorti i ministres së financave Gordana Dimitrievska Koçovska.
Ajo ka dy apartamente, bashkëshorti i saj ka tokë, ajo gjithashtu ka një llogari transaksionale, ndërsa bashkëshorti i saj ka dy llogari. Ka edhe leje për mbitërheqje në llogarinë transaksionale, një kartelë krediti, ajo personalisht ka një kredi, ndërsa bashkëshorti i saj ka dy.
Me partnerin e saj kanë edhe policë për sigurimin e jetës, qira mujore prej 22.000 denarë, ndërsa bashkëshorti i saj posedon edhe një kompani “KFK ShPKNjP Shkup”.