RMV, u përmbyll stërvitja “Maple Arch 24”, në të cilën morën pjesë më shumë se 600 anëtarë nga katër shtete aleate dhe dy partnere

Sot në kazermën “Alekso Demnievski-Bauman” në Veles, ministri i Mbrojtjes Vllado Misajlovski së bashku me shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Armatës, gjeneralmajor Sashko Lafçiski, ambasadorët e Kanadasë dhe Ukrainës Michelle Cameron dhe Larisa Deer dhe zyrtarë të lartë ushtarakë nga Kanadaja dhe Polonia morën pjesë në Ditën e të ftuarve të lartë dhe në […]

dhjetor 6, 2024 - 15:00
 0  5
RMV, u përmbyll stërvitja “Maple Arch 24”, në të cilën morën pjesë më shumë se 600 anëtarë nga katër shtete aleate dhe dy partnere
ARM. Foto: Ministria e Mbrojtjes

Sot në kazermën “Alekso Demnievski-Bauman” në Veles, ministri i Mbrojtjes Vllado Misajlovski së bashku me shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Armatës, gjeneralmajor Sashko Lafçiski, ambasadorët e Kanadasë dhe Ukrainës Michelle Cameron dhe Larisa Deer dhe zyrtarë të lartë ushtarakë nga Kanadaja dhe Polonia morën pjesë në Ditën e të ftuarve të lartë dhe në mbylljen e stërvitjes “Maple Arch 24”, e cila po zhvillohet në vendin tonë që prej datës 25 nëntor, në qendrën për simulime në Veles dhe në terrenin stërvitor të Ushtrisë “Krivolak”, transmeton Portalb.mk.

Ministri Misajlovski theksoi se kjo stërvitje, e cila po kryhet për herë të 25-të dhe në të cilën marrin pjesë më shumë se 600 anëtarë nga katër shtete aleate dhe dy partnere, dallon nga të gjitha të mëparshmet për shkak të kombinimit të simulimit kompjuterik dhe zbatimit në kushte terreni, e cila përfundon një proces të ekzekutimit të ushtrimeve.

“Ajo që shohim këtu në Veles dhe aktivitetet që po zhvillohen paralelisht në “Krivolak” janë dëshmia më e madhe se ushtria maqedonase ofron kushte dhe mundësi për përfundimin e gjithë procesit stërvitor në përputhje me standardet më të larta të NATO-s”, theksoi Misajlovski dhe shtoi se bashkëpunimi mes ushtrive ndikon drejtpërdrejt në forcimin e ndërveprimit, por edhe të sigurisë.

Misajlovski përgëzoi të gjithë anëtarët e vendeve pjesëmarrëse që me profesionalizmin, përkushtimin dhe motivimin e tyre e realizuan me sukses këtë stërvitje jubilare dhe falënderoi aleatët kanadezë për mbështetjen e tyre në organizatë.

“Përkushtimi i ndërsjellë për zhvillimin e bashkëpunimit në mbrojtje është i dukshëm edhe përmes këtij lloj trajnimi dhe ushtrimesh të përbashkëta që do të vazhdojnë edhe në të ardhmen”, theksoi Misajlovski.

Në këtë ngjarje foli shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, gjeneralmajor Sashko Lafçiski, i cili theksoi se realizimi i kësaj lloj stërvitjeje është dëshmi e stërvitjes, vazhdimësisë dhe kohezionit ndërmjet pjesëtarëve, gjë që mundëson forcimin e lidhjeve me aleatët dhe partnerët dhe arritja e përvojave të reja në një mjedis shumëkombësh.

Ambasadorja kanadeze Michelle Cameron fillimisht falënderoi ushtrinë dhe shtetin  për mbështetjen e jashtëzakonshme për stërvitjen dhe theksoi se kjo stërvitje tregon unitet dhe konfirmon përkushtimin e përbashkët për paqen globale, stabilitetin, vlerat e përbashkëta dhe partneritetin në NATO dhe se vetëm bashkërisht dhe me qasje proaktive ne do të kontribuojmë për një botë më paqësore dhe më të sigurt.

Stërvitja shumëkombëshe “Maple Arch 24” është stërvitje në të cilën marrin pjesë rreth 600 pjesëtarë të ushtrisë maqedonase dhe pjesëtarë të forcave të armatosura të Kanadasë, Polonisë, Lituanisë, Ukrainës dhe Gjeorgjisë. Stërvitja sponsorizohet dhe mbështetet nga Drejtoria e Trajnimit dhe Bashkëpunimit Ushtarak të Forcave Kanadeze.

Kujtojmë se Maqedonia e Veriut ka mbushur mbi 4 vjet që është pjesë e NATO-s. Më 27 Mars 2020,vendi zyrtarisht u bë anëtar i NATO-s, ndërsa më 30 mars, flamuri i Maqedonisë, si flamuri i vendit aleat të 30, u ngrit në selinë e NATO-s në Bruksel, përpara Komandës supreme të forcave aleate (SHAPE) – Komanda aleate për operacione në Mons, Belgjikë dhe Komanda aleate për transformime në Norfolk, Virxhinia, SHBA.